gettyimages-629726342.webp

Italia ka ndaluar surrogacinë: Çfarë do të thotë kjo për lirinë reproduktive?

SEKSIZËM

November 21st, 2024

Mos rregullimi ligjor apo ndalimi i surrogacisë paraqet cenim të lirisë reproduktive të një individi. Së fundmi Italia u bë pjesë e shtetve të cilat jo vetëm në rrafshin nacional e ndalojnë surrogacinë, por atë e ka ndaluar edhe në rrafshin ndërkombëtar. Kështu personat që kanë indikacione mjekësore dhe nuk mund të mbajnë fëmijën për shkak të mungesës së mitrës ose anomalisë së mitrës nuk do të munden ta shfrytëzojnë këtë mundësi brenda shtetit Italian madje edhe nuk kanë të drejtë që të sjellin fëmijën e lindur jashtë Italisë nga gruaja surrogate.

Arta Mero, profesoreshë e të drejtës familjare në Fakultetin Juridk pranë UEJL-së, shprehet se edhe pse surrogacia u ka ndihmuar shumë çifteve të realizohen si prindër, ajo sërish has në barriera në sferën ndërkombëtare për shkak të prezumimit juridik se nëna e fëmijës është ajo që e lind fëmijën.

“Edhe përkundër shumë anëve pozitive, amësia surrogate ka hapur shumë debate filozofike, etike, juridike dhe fetare. Arsyeja e parë që shumë nga shtetet në rafshin ndërkombëtarë nuk pranojnë ose refuzojnë të rregullojnë në legjislacionet e tyre familjare dhe ato reproduktive këtë mënyrë të konstituimit të prindërisë është pikërisht valorizimi i procesit biologjik të shtatzënisë, si dhe devijimi i maksimës së njohur romake Mater semper certa es (Nëna çdo herë është e njohur - ajo që lind fëmijën).”

Arta Mero

Mero thekson se shtetet kanë të drejtë që në kuadër të politikës së tyre të natalitetit mos të përfshijnë ndonjërën nga metodat e reproduktimit artificial, dhe në grupin e vendeve që ndalojnë lindjen e fëmijëve për tjetrin janë një numër i konsiderueshëm i shteteve për dallim nga shtetet që kanë qëndrim shumë liberal ndaj këtij procesi madje rregullojnë amësinë surrogate komerciale. Sipas një studimi të Shoqatës "Luca Coscioni", surrogacia është e ligjshme në 65 vende të botës, si në formë të solidaritetit (ku nuk ka shpërblim në para) ashtu edhe në formë komerciale  (ku nëna e cila e mban fëmijën merr kompensim).

Në vijim Arta Mero tregon se aspekti komercial i surrogacisë është argumenti më i rëndësishëm që shtyn që ajo të mos lejohet nga shtete të caktuara por edhe të mos pranohet si një formë bashkëkohore e lindjes së fëmijës.

“Zakonisht amësisë surrogate komerciale i mveshet petku i turizmit reproduktiv kjo për arsye se shfrytëzohet situata e vështirë financiare dhe sociale e grave surrogate. Stigmatizimi tjetër i bëhet trupit të gruas duke e eksploatuar për qëllime komerciale, mitrës së gruas i mveshen terme të ndryshme duke e quajtur atë “mitër me qira”, “inkubator pa ndjenja amësie”; amësia trajtohet si “prositucion” reproduktiv kjo për arsye të shitjes së mitrës në kundërvlerë për një fëmijë; gratë dhe fëmijët janë objekte shitë-blerjeje gjë që cënon dinjitetin e tyre dhe kjo assesi nuk mund të pranohet në një shoqëri me vlera të familjes tradicionale.”

Përderisa amësia surrogate është shprehje e vullnetit të lirë dhe autonomisë personale dhe përderisa një proces i tillë nuk keqpërdoret,  nuk ka arsye të justifikuar pse të kufizohen të drejtat prindërore të një çifti ose individi dhe kjo nuk lëkund familjen tradicionale, shprehet Arta Mero.

“Përmes amësisë surrogate mundësohet realizimi i interesave të prindërve, dhe duke mos cënuar në këtë drejtim familjen tradicionale, kjo për arsye se fëmija gjenetikisht është i lidhur me të dy prindërit ose me të paktën njërin prind. Nga lindja biologjike, ndryshon vetëm procesi i cili ndihmohet nga procedurat mjekësore, gruaja surrogate në asnjë mënyrë nuk ka lidhje gjenetike me fëmijën (amësia surrogate gestacinale), ajo vetëm kryen një akt human në drejtim të ofrimit të mundësisë çifteve të realizohen si prindër.”

Edhe pse shteti mund të mos e lejojë surrogacinë, sipas Meros, çiftet mund të lindin fëmijë përmes surrogacisë me ndihmën e agjencive me bazë në shtete të cilat e lejojnë surrogacinë.

“Përndryshe, shumë çifte si heteroseksuale poashtu edhe homoseksuale nga shtetet tek të cilat nuk është lejuar dhe rregulluar amësia surrogate, kanë opsione që të angazhojnë gra përmes agjencioneve që ndërmjetësojnë këtë proces që nga ngjizja e deri tek lindja e fëmijës. Prindërit kanë mundësi të kontaktojnë me gruan e cila mban fëmijën e tyre duke mbajtur llogari për shëndetin e tyre dhe të gjitha shpenzimet e procesit. Pas lindjes, fëmija regjistrohet se ka lindur në klinikën që ka ndërmjetësuar dhe përmes ambasadës së shtetit të prindërve merret leje për ta sjellë fëmijën në shtetin amë.”

Arta Mero

Mero shton se këtë metodë e kanë shfrytëzuar edhe shumë çifte nga RMV-ja deri në vitin 2014 kur me Ligjin për plotësime dhe ndryshime të Ligjit për Fekondim të Asistuar Biomjekësor, amësia surrogate altruiste dhe gestacionale lejohet dhe në shtetin tonë, ekskluzivisht vetëm për bashkëshortët martesorë shtetas të RMV-së.

Përmes këtyre ndryshimeve Maqedonia e Veriut bën pjesë në spektrin liberal sa i përket surrogacisë por edhe metodave të tjera të fekondimit të asistuar të cilat jo vetëm që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, por gjithashtu mundëson një spektër më i gjerë i njerëzve të bëhen prindër përmes rrugës laboratorike.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Era Gjakova

Era Gjakova

Era Gjakova është PhD kandidate në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si prezantuese e edicionit informativ si dhe moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në TV Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën etë drejtave të njeriut, barazisë gjinore, dhunës në familje, krimeve seksuale dhe medias.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia