September 28th, 2023
Gjuha e urrejtjes dhe seksiste ndaj vajzave përhapet përmes komenteve në artikujt gazetaresk të mediave sociale në Maqedoninë e Veriut, të cilat tashmë shihen si terren pjellor për zhvillimin e përmbajtjeve dashakeqe dhe shqetësuese me bazë gjinore, thuhet në hulumtimin "gjuha e urrejtjes dhe seksiste ndaj vajzave të reja", e kryer nga Instituti për Studime të Komunikimit, i cili ka studijuar dy raste konkrete.
Rasti i parë ka të bëjë me zhdukjen e dy vajzave të mitura në Çair të Shkupit ndërsa rasti tjetër me dy vajzat e zhdukura në lagjen Qendër të Shkupit. Në lidhje me këto u analizuan 140 shkrime gazetareske dhe më shumë se 1.500 komente (në Facebook dhe Twitter).
Në mediat sociale, gjuha e urrejtjes në vitet e fundit ka marrë hov dhe është një nga burimet kryesore të mizogjinisë dhe seksizmit.
Mollëkuqja.mk analizoi këtë hulumtim dhe më poshtë i përcjell gjetjet kryesore.
Në mars të vitit 2023, një 12 dhe një 15 vjeçare nga Çairi i Shkupit u larguan nga shtëpitë e tyre dhe nuk u kthyen. Ndërkaq kjo në media dhe rrjete sociale bëri bujë të madhe dhe u pasua me një sërë komentesh seksiste dhe me gjuhë të urrejtjes.
Arsyet e zhdukjes së vajzave mbeten të panjohura për publikun e gjerë.
“Por supozimet për zhdukjen e tyre dhe komentet që përmbajnë spekulime për orientimin seksual të vajzave, të cilat në thelb përhapin dhe intolerancën ndaj diversitetit, si dhe ato me fyerje dhe spekulime për qëllimet e këqija dhe sjelljen e keqe të vajzës më të madhe, mund të kenë një efekt serioz negativ në zhvillimin e vajzave dhe jetën e tyre të mëtejshme”, thuhet në hulumtim.
Ja çfarë thonin disa nga komentet për këtë rast:
“Amon bre sall vajzat hupen nje her nuk psh djem te hupen.”
“A thupër he lock jn tranu rinija ka vdek bablok kur bërtitke flokt iriq duan te jetojn si europian te knaqen te dëfrehen matura ka 4 dit qika djem po shka miba tik tokit qikan hup tru jan jan fshiii kejt.”
“M.K qenka per ta lidh n’podrum, fëmija i keq.”
Dy muaj më vonë, në maj të vitit 2023 dy vajza nga Strumica të cilat erdhën në Shkup në një ekskursion njëditor shkollor dhe u zhdukën. Ngjashëm si rasti paraprak edhe këtu senzacionalizmi mediatik, seksizmi dhe gjuha e urrejtjes dolën në sipërfaqe.
“Nëpërmjet këtyre përmbajtjeve, konfirmohen disa stereotipe dhe paragjykime gjinore që ende ekzistojnë në shoqërinë tonë, ku sjellja e grave shoqërohet me nevojën për vëmendje dhe seksualizimi i tyre bëhet për hir të fyerjes së personalitetit dhe veprimeve të tyre. Për më tepër, në komente ka fyerje ndaj vajzave me arsyetimin se ato vijnë nga një provincë, dhe në të njëjtën kohë bëhet një krahasim me rastin e vajzave të zhdukura në Çair, veçanërisht në baza etnike”, thekson hulumtimi.
Ja çfarë thonin disa nga komentet për këtë rast:
„Mendimi im është se sigurisht janë shkruar me dikë dhe i kanë treguar se do të shkojnë në Shkup, të shihemi në filan vend, u humbet gjurma, përndryshe edhe telefoni tu jetë fikur do tu kishte ndihmuar dikush nëse humben, polici ka në çdo rrugicë, vetë do të paraqiten.“
“Nuk janë vajza po gomarica, kanë shkuar në Shkup për jetë më të mirë.”
“ke të drejtë, dimë shumë mirë për fitimin e parave të shpejta, çmimi për gjysme orë, për një orë...komplet, gjysmë...nuk ka shanse të jenë humbur, nuk janë klasa e parë?”
“Hajt sejon nzhurka per nja 2 dit dot kthehen se nukan hup mosubani merak per nja 2.3 dit dot kthehen ktupari jan.”
“Meritojnë një qotek të rëndë nga prindërit, si në kohën, më parë.”
Shqetësuese sipas hulumtimit është se këto komente morrën mbështetje nga një audiencë më e gjerë, e shprehur përmes numrit të pëlqimeve dhe komenteve.
“Mbështetja për përdorimin e dhunës si mjet disiplinor justifikon dhunën me bazë gjinore në raste të caktuara, domethënë kur qëllimi justifikon mjetet. Në këtë mënyrë, këto narrative kontribuojnë në normalizimin e dhunës me bazë gjinore në shoqëri dhe përsëritjen e saj, si dhe njohjen joadekuate, si nga vetë viktimat ashtu edhe nga institucionet në atë shoqëri”, thuhet në hulumtim.
Pavarësisht nëse ndonjë nga supozimet për zhdukjen e vajzave është i saktë, këto përmbajtje mund të kenë efekt serioz negativ në zhvillimin e vajzave, duke pasur parasysh se ato janë vajza të mitura që ofendohen publikisht, gjykohen dhe seksualizohen.
Madje në një nga rastet, ka supozime në lidhje me orientimin seksual të vajzave, të cilat ishin një nxitje e mjaftueshme për një seri komente homofobike dhe paragjykime.
Shpërndarja publike e narrativeve misogjiniste përmes mediave sociale mund të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin personal dhe emocional të fëmijëve dhe të rinjve, por gjithashtu edhe të ketë pasoja afatgjata të dëmshme në favor të ruajtjes dhe thellimit të pabarazive gjinore në shoqëri. Krijimi, shpërndarja dhe përhapja e përmbajtjeve me të cilat sulmohen persona të caktuar në bazë të gjinisë së tyre, përfshirë identitetin e tyre gjinor dhe orientimin seksual, përbëjnë dezinformim gjinor ose informacion të rremë, të cilat më së shpeshti karakterizohen nga mizogjinia dhe homofobia
thuhet në hulumtim.
Hulumtimi mes tjerash thekson se është vlerësuar se një në dhjetë gra të moshës mbi 15 vjeç përjetojnë dhunë online.
“Megjithatë, jo vetëm që gratë kanë më shumë gjasa të ekspozohen ndaj dhunës në internet, ato gjithashtu mund të vuajnë pasoja serioze fizike, psikologjike ose ekonomike. Ngacmimi mund të përkeqësohet kur kryhet në bazë të gjinisë në kombinim me faktorë të tjerë, duke përfshirë moshën, origjinën etnike ose racore, orientimin seksual, identitetin gjinor, aftësinë e kufizuar, etj”, thekson hulumtimi.
Aty theksohet se të dhënat nga një sondazh i kryer në tre shkolla të mesme në Maqedoninë e Veriut treguan se 78% e të anketuarve ishin viktima të ngacmimit në hapësirën online, nga të cilët numri më i madh i grave dhe anëtarëve të komunitetit LGBTI, kategoritë që janë viktimat më të shpeshta në hapësirën fizike.
Për më tepër, gjuha e urrejtjes me bazë gjinore dhe dhuna me bazë gjinore në hapësirën online ende nuk njihen sa duhet nga institucionet përkatëse në Maqedoninë e Veriut. E gjithë seria e keqkuptimeve dhe mangësive në kuadrin ligjor lidhet me mungesën e rregullimit të gjuhës së urrejtjes në hapësirën online. Mungesa e tillë reflektohet edhe në praktikën gjyqësore, ku haset në ndjekje penale joefektive të autorëve dhe një numër dukshëm të vogël të dënimeve për gjuhën e urrejtjes.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia