Untitled-design-3.jpg

Si "Odë Burrash", listat e partive shqiptare për zgjedhjet lokale

SEKSIZËM

September 24th, 2021

Epiteti “kryetare komune” nuk do të përdoret as në katër vitet e ardhshme në komunat e Maqedonisë së Veriut në të cilat kandidojnë partitë shqiptare, kjo për shkak se në garë nga të gjitha partitë shqiptare prinë numri i kandidatëve meshkuj – edhe atë, nga gjithsej 61 kandidatë, vetëm dy janë gra. Sipas njohëses së çështjeve politike, Adelina Marku, ka ardhur koha që të përveshim krahët dhe të punojmë në një strategji konkrete për këtë çështje, ajo shtoi se tradicionalja “duhet luftuar”. Në të njëjtën vijë është edhe psikoterapistja Vala Adili, e cila për “Mollëkuqja” tha se partitë i shohin gratë si “disavantazh” e jo si mundësi, shkruan Mollëkuqja.mk.

“Mollëkuqja” hulumtoi listat e kandidatëve për kryetarë komunash për zgjedhjet të cilat janë paraparë të mbahen me datë 17 tetor të këtij viti dhe rezultoi që numri i grave kandidate është shumë i vogël, edhe atë vetëm 3.17%.

Infografik:

Listat sipas partive politike shqiptare

·       Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – 18 kandidatë, 1 grua

·       Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa (ASh-AAA) – 16 kandidatë, 0 gra

·       Partia Demokratike Shqiptare (PDSh) – 13 kandidatë, 1 grua

·       Lëvizja BESA (LB) – 11 kandidatë, 0 gra

·       Lëvizja për Shtet dhe Drejtësi (LShD) – 1 kandidat

Sipas kësaj, në aspektin e përfaqësimit gjinor dhe respektimit të parimit së barazisë gjinore, më keq qëndron koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, dhe Lëvizja BESA, këta parti nuk kanë asnjë gra kandidate për zgjedhjet e tetorit.

Përqindja e grave bartëse të listave për këshillet komunale nga partitë shqiptare 

·       Bashkimit Demokratik për Integrim – 17,6%

·       Lëvizja BESA - 9%, 

·       Partia Demokratike Shqiptare - 12,5% 

·       Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa - 3.4% 

Adelina Marku për “Mollëkuqja” theksoi se duhet hequr mënjanë ideja e dominimit të burrave si paradigmë arsyetuese dhe kjo të zëvendësohet me “luftimin” e tradicionales dhe arkaikes, ajo shtoi se roli i viktimës në këtë pikë është i dëmshëm për vetë kauzën feministe.

Le jemi dhe vetëkritike pak. Fakt është qe kemi filluar ketë temë ta flasim me më shumë zë, por fakt është qe kemi qejf të flasim dhe te mos punojmë me strategji dhe me vetëmohim. Dmth, le të heqim mënjane dominimin e burrave si paradigme arsyetuese, dhe si zëvendësim, le ta sfidojmë tradicionalen e arkaiken. Në mendjet tona, pra le ta kuptojmë barazinë si gjendje mentale dhe jo si nevojë kontekstuale e korrektësisë politike. Kur të edukohemi mjaftueshëm ne gratë në këtë drejtim, jam e bindur se gara e kandidatëve të mire, dhe jo gara e gjinive, do behet jo vetëm më cilësore, por do dinë te kuptojë se çka është suksesi realisht! Roli i viktimës ne vazhdimësi tanimë është i dëmshëm dhe i panevojshëm! Lets do the walk and not only the talk! Sepse, po nuk e bëmë këtë, ka rrezik qe proceset të bëhen edhe reverzibile e të kthehen në vetëradikalizuese

Adelina Marku

Nga ana tjetër, sipas psikoeterapistes Vala Adili, partitë politike grave të kyçura në politikë nuk ua japin mundësinë e të qenit në krye të një institucioni të rëndësishme sepse ata i konsiderojnë si disavantazh dhe jo si mundësi.

Mendimi im është se këto zgjedhje perceptohen si shumë te rëndësishme dhe partitë politike nuk nominojnë gra sepse mendojnë se do jene ne disavantazh. Patriarkati e saboton shume herët ketë proces me atë nuk lejon gruaja te zhvillohet ne drejtimin a asaj që të bëhet një personalitet i njohur për komunitetin. Komuniteti ynë nuk përkrah zhvillimin  e grave aktive që pastaj politika do shfrytëzonte imazhin e tyre për te marrë simpatinë e elektoratit. Gruaja vetë e përkrah ketë dinamikë me atë qe nuk zgjedh te veçohet, por zgjedh te ndjek rrugën e “ sigurt ” te shumicës

Vala Adili

As OSBE-ODIHR nuk arriti të “bind” krerët e partive shqiptare për përfshirjen e grave në vendimmarrje

Rikujtojmë se në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale të vitit 2017, një nga rekomandimet kryesore ishte që partitë politike dhe institucionet relevante të ndërmarrin iniciativa serioze për nxitjen e pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor dhe në vendimmarrje.

Për të lexuar raportin e plotë, në të cilin theks të veçantë i është vendosur edhe barazisë gjinore, klikoni KËTU.

U injoruan tërësisht thirrjet e organizatave joqeveritare

Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”në mars të vitit 2020 përmes një ekspozite vetëdijësuese me fotografitë e takimeve më të rëndësishme të politikanëve të vendit tonë, ku numri më i madh i tyre ishte burra, tentuam të nxjerrim në pah mungesën e grave në momentin kur merën vendime që më vonë do të ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të këtij shteti, përfshirë këtu edhe gratë. 

“Ne si lëvizje feministe përmes kësaj ekspozite, kërkojmë nga politikanët në Maqedoninë e Veriut që gratë të mos i përdor vetëm si makineri për vota në kohë fushate, mirëpo të njëjtat të respektohen duke u vendosur në pozita vendimmarrëse” deklaroi Rita Behadini nga “Mollëkuqja” në mars të 2020.

Përveç kësaj, Platforma për Barazi Gjinore në Maqedoninë e Veriut, ku bëjnë pjesë një numër i madh i organizatave të cilat merren me të drejtat e njeriut, në korrik të këtij viti apeloi deri te partitë politike që të respektojnë parimin e barazisë gjinore në zgjedhjet e tetorit.

Ndryshe, në nivel shtetëror gjithsej për kryetarë të komunave kandidojnë 301 persona nga të cilët vetëm 25 janë gra, edhe pse deklarativisht të gjitha partitë politike në vend deklarohen se janë për barazi të plotë gjinore por kjo nuk respektohet në praktikë.

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia