pink-minimalist-gynecologist-logo-(46).png

Komisioni Evropian e bën për pesë pare Maqedoninë e Veriut në fushën e barazisë gjinore, s'ka progres

N'THELB

November 9th, 2023

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Mollëkuqja ka analizuar të gjitha vërrejtjet e këtij raporti që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, diskriminimin gjinor, dhunën, dhunën në familje dhe tjera – duhet thënë, kritika ka me bollëk ndërsa progresi në këtë drejtim - thuajse i padukshëm.

Maqedonia e Veriut pjesërisht ka harmonizuar kornizën ligjore për barazi gjinore me atë të Bashkimit Evropian si dhe në këtë raport theksohet fakti që ligji për barazi gjinore ende nuk është miratuar, përkundër rëndësisë së tij.

“Miratimi i një projektligjit për barazinë gjinore është në procedurë e sipër. Projektligji parashikon përmirësime në mekanizmat kombëtarë dhe lokale të barazisë gjinore dhe themelimin e një trupi të pavarur në nivel ministrie për barazinë gjinore, i cili do të jetë përgjegjës për koordinimin dhe zbatimin e legjislacionit dhe politikave për barazi gjinore. Miratimi i ligjit do të ishte i rëndësishëm për zbatimin efikas të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2022-2027” thuhet në raport.

Në raport thuhet se institucionet publike nuk mbajnë evidencë mjaftueshëm dhe kësisoj, kjo mungesë e të dhënave të besueshme, të ndara sipas gjinive krijon kufizime të konsiderueshme në zhvillimin e politikave të rëndësishme në këtë drejtim.

Gjithashtu thuhet se mekanizmat të cilat shteti i ka vendosur për të monitoruar politikat që promovojnë barazi gjinore, janë të dobëta.

“Administrata ka mungesë të planifikimit adekuat dhe strategjik gjinor dhe mjeteve buxhetore, çka kufizon mundësitë për përfshirjen efektive gjinore në hartimin e politikave dhe integrimin e perspektivës gjinore në dialogun sektorial dhe menaxhimin e financave publike. Mekanizmat ndërinstitucionalë të projektuar për të zbatuar dhe monitoruar politikat që promovojnë barazinë gjinore janë dukshëm të dobëta, në kuptimin e strukturave organizative, ekspertizave buxhetore dhe profesionale të standardeve ndërkombëtare” thuhet në raport.

Vendi ynë është nënshkrues i Konventës së Stambollit, por përveç që shpesh herë nuk i përmbushë obligimet që rrjedhin nga kjo konventë, në këtë raport thuhet se dispozitat ligjore nuk janë harmonizuar mjaftueshëm, përfshirë edhe definimin e saktë të përdhunimit në Kodin Penal, ashtu siç e kërkon kjo konventë. 

Shumë politika të cilat do të kontribuonin në barazinë gjinore në Maqedoninë e Veriut fillojnë, por ngelin pa epilog konkret. Në raport thuhet se duhen ndryshime në Kodin Penal që do të ofronin mbrojtje të plotë për viktimat e çdo forme të dhunës, përfshirë femicidin.  

Nevojiten amandamente në Kodin Penal për të ofruar mbrojtje të plotë për viktimat nga çdo formë e dhunës, përfshirë edhe femicidin. Në janar 2023, u bë progres me amandementin në Kodin Penal për përfshirjen e dhunës gjinore në disa akte penale dhe me përfshirjen e një vepre të re penale – ndjekja (stalking), në përputhje me Konventën e Stambollit dhe trashëgiminë e barazisë gjinore të BE-së.

thuhet në raportin e KE-së për vitin 2023.

Në Maqedoninë e Veriut ka 13 shërbime të specializuara rajonale për strehimin e grave viktima të dhunës me bazë gjinore, 10 qendra këshillimore të specializuara, 3 qendra për referencë të viktimave të dhunës seksuale dhe 9 qendra këshillimore për trajtimin psiko-social të autorëve të dhunës.

Për KE-në, këto nuk janë të mjaftueshme - as për nga sasia, e as nga buxheti.

“Shërbimet për viktimat e dhunës gjinore janë të pamjaftueshme, si në aspektin e sasisë ashtu edhe të buxhetit, dhe nuk përmbushin standardet e Konventës së Stambollit; më tepër, aksesi për gratë me aftësi ndryshe është i kufizuar." thuhet në raport.

Ka kritika edhe për qasjen e policëve dhe punonjësve shëndetësorë ndaj rasteve të dhunës në familje.

“Shteti ka mungesë protokolleve të qarta ndërinstitucionale, ndërsa policëve dhe punonjësve shëndetësorë ju mungon kapaciteti për të vlerësuar plotësisht pasojat e dhunës dhe për të ndërmarrë masa të duhura.” thuhet në raport.

Përkundër që janë pak në numër, shërbimet për gratë viktima të dhunës në familje nuk kanë as buxhet stabil dhe financim adekuat. Vendi gjithashtu s’ka protokolle që do të ndiqnin ri-integrimin e grave të dhunuara, pas daljes nga qendrat rehabilituese. 

Sigurimi i shërbimeve psikosociale dhe shërbimeve të tjera të parandalimit mbetet i pakordinuar dhe i varur nga financimi nga vetqeverisja lokale, donator të huaj dhe komuniteti i biznesit. Protokolle të qarta ndërinstitucionale dhe shërbime të standartizuara për reintegrimin e viktimave - si dhe ndjekja e duhur nga institucionet në rastet e përdhunimit dhe dhunës në familje janë të pamjaftueshme

thuhet në raportin e KE-së për vitin 2023.

Në raport përmendet edhe diskriminimi i grave në tregun e punës të Maqedonisë së Veriut. Thuhet se përkundër përmirësimit të “pjesshëm” në këtë drejtim, vazhdon të qëndrojë si problem struktural, me një hendek të madh gjinor.  

Në fund, duhet theksuar se RMV-ja është nënshkruese e konventave kryesore ndërkombëtare për të drejtat e grave, përfshirë atë të Stambollit. Ligji mbi Mundësitë e Barabarta për Gratë dhe Burrat dhe Ligji mbi Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje janë kornizat kryesore ligjore në të cilat bazohet Maqedonia e Veriut. Në vend gjithashtu ka koordinatorë për mundësi të barabarta mes grave dhe burrave në të gjitha ministrisë dhe njësitë e qeverisjes lokale.

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia