pexels-photo-11556009.webp

50 mijë gra shtatzëna në Gaza kanë nevojë për ndihmë, sistemi shëndetësor është shkatërruar

N'THELB

January 15th, 2024

Agjencia e Kombeve të Bashkuara po lufton përditë për të siguruar kujdes për të paktën 50,000 gra shtatzëna në Gaza, në mesin e sulmeve të vazhdueshme Izraelite. Përkundër këtyre rrethanave, informacionet janë se atje ka mbi 180 lindje në ditë.

"Në Rripin e Gazës ka rreth 50,000 gra shtatzëna, dhe mbi 180 lindje çdo ditë," tha Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në një deklaratë.

Agjencia Kombeve të Bashkuara tha se mjekët dhe motrat medicinale të tyre "po bëjnë gjithçka të mundur për të siguruar kujdes për gratë me rrezik pas lindjes dhe për gratë shtatzëna me rrezikshmëri të lartë ose komplikime, në shtatë qendrat shëndetësore të UNRWA-së.”

Gjithashtu pak ditë më herët kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) foli për "shkatërrimin" e sistemit shëndetësor të Gazës ndërsa i përshëndeti profesionistët e shëndetit atje për punën që e bëjnë në këto kushte.
"Shkatërrimi i sistemit shëndetësor të Gazës është një tragjedi," shkroi Tedros Adhanom Ghebreyesus në X, ose 'Twitter'.

"Në mesin e pasigurisë konstante dhe ardhjes së pacientëve të plagosur, shohim mjekë, infermierë, shoferë ambulancash dhe më shumë që vazhdojnë përpjekjen për të shpëtuar jetë," shtoi ai, duke përsëritur thirrjen për armëpushim.

  • LEXOJENI REAGIMIN E PLOTË KËTU.

Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur bllokadë dhe ka ndërmarrë një sërë veprimesh tjera, si kundërpërgjigje e sulmit të një grupit palestinez ‘Hamas’ më 7 tetor të vitit 2023. 

Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, të paktën 20,424 palestinezë janë vrarë dhe 54,036 janë plagosur, ndërsa rreth 1,200 izraelitë besohet se kanë ngelur të vrarë në sulmin e Hamas mbi ta.

Shumë gra palestineze kanë filluar të marrin ilaçe për shtyrjen e ciklit menstrual për shkak të gjendjes së tmerrshme dhe jo-higjienike në të cilën gjenden për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Gaza. Ilaçet e përdorura për shtyrjen e ciklit menstrual mund të shkaktojnë efekte anësore negative, por pa qasje në ujë dhe produkte higjienike, gratë në Gaza thonë se nuk kanë alternativë tjetër përveç përdorimit të tyre.

Duke u përballur me zhvendosjen, kushtet e jetesës (mbipopullim) dhe mungesën e qasjes në ujë dhe produkte higjienike menstruale si tampona dhe tjera, gratë po i marrin ilaçet “norethisterone”, të cilat në kushte normale u jepen grave për shkak të gjakderdhjes së pakontrolluar, endometriozës dhe menstruacioneve me dhimbje – për të evituar dhimbjet dhe efektet tjera të mundshme të ciklit menstrual.

Sipas mjekëve, këto ilaçe mund të kenë efekte anësore si gjakderdhje të parregullt vaginale, të vjella, ndryshime në ciklin menstrual, dhimbje koke dhe ndryshime në humor, por disa gra, si Salma Khaled, thonë se nuk kanë alternativë tjetër përveçse të marrin mbi supe këtë rrezik në mes të bombardimeve të vazhdueshme dhe bllokadës të Gazës nga sulmet izraelite.

Në kampin e refugjatëve Deir el-Balah, Salma duket e shqetësuar për efektet psikologjike dhe fizike të luftës mbi gratë, pasi shumica prej tyre janë të prekura jo vetëm nga problematika të tilla si shëndeti menstrual, por edhe ato për t’u kujdesur për fëmijët e tyre.

 

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia