pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-08-18t141337.521.png

Analizë: Histeria mediatike për gjininë e Imane Khelif i ka rrënjët në Rusi, mediet ranë në kurthin e Rusisë, përsëri

N'THELB

August 19th, 2024

Para se të shtjellojmë më në detaje, le të themi që në fillim se boksierja algjeriane Imane Khelif nuk është transgjinore. Ajo ka lindur me organe gjenitale femërore, ka jetuar gjithë jetën, identifikohet dhe aktualisht jeton si grua. Nëse mediet ju thonë diçka ndryshe – ju gënjejnë. 

Imane Khelif ka qenë në qendër të vëmendjes mediatike pasi mundi kundërshtaren italiane Anxhela Karini në lojërat olimpike, Karini vendosi të dorëzohet në 46 sekondat e para pas një grushti të fortë, i cili sipas saj kishte rezultuar në “dhimbje të papërballueshme” të hundës.

Mjaftuan disa postime, kryesisht dezinformata, të personazheve kontrovers si Donald Trump, autores të Harry Poter J.K. Rowling, drejtuesit të "X", Elon Musk që mediet t’i bashkëngjiten valles propaganduese dhe gënjeshtrave të ekstremit të djathtë në lidhje me gjininë e boksieres algjeriane Imane Khelif.

“Unë do t’i mbaj burrat larg sportit të grave”, kishte thënë Trump.

Dezinformata, keqinformim, informim qëllimkeq dhe propagandë

Ka plot metoda se si mund të manipulohet me informacione, thuajse të gjitha këto janë përdorur për të (keq) informuar në lidhje me gjininë e algjerianes Imane Khelif. Për ata që ndoshta nuk i dinë dallimet mes termeve të lartëpërmendura, pa merak, do t’i mësoni në këtë analizë – edhe atë, përmes shembujve konkret.

Dezinformatë është kur një informacion i rremë ose i manipuluar shpërndahet me vetëdije të plotë, për të shkaktuar dëm. Pasojat e shkaktuara nga ky lloj i informacionit mund të jenë shumë më të mëdha nëse media që i publikon ka autoritet dhe besueshmëri në masë.

Për shembull: Televizioni ‘Top Channel’ pas ndeshjes së Imane Khelif publikoi një artikull me këtë titull: “Dueli i mbushur me polemika në Lojërat Olimpike/ Kundërshtarja u tërhoq pas 45 sekondash, reagon për herë të parë transgjinorja: Shyqyr që...”

Më tutje, në paragrafin e parë shkruan “Fitorja e transgjinores Imane Khelif kundër Angela Carinit në boksin e femrave ka shkaktuar polemika në Lojërat Olimpike të cilat po mbahen në Paris.”

Nuk ka asnjë evidencë që boksierja algjeriane Imane Khelif është transgjinore përkundër që ‘Top Channel’, por edhe mediet tjera të mëdha, si Televizioni 'Klan' në lajme i referohet në atë formë. Algjeria, ku jeton dhe ka jetuar gjatë gjithë jetës Khelif nuk lejon ndryshimin e gjinisë, madje këtë e sanksionon në Kodin Penal.

Gjykatat në Algjeri më herët kanë lëshuar aktgjykime në të cilat thuhet se ‘ndryshimi i gjinisë është në kundërshtim me natyrën njerëzore’. Andaj, nuk është e besueshme që ky shtet do të dërgonte një përfaqësuese transgjinore në lojërat olimpike.

“Fëmija im është vajzë. Ajo është rritë si vajzë,” tha babai i Khelif, Omar Khelif në një intervistë për “Sky News”, ku mes tjerash u shfaqën edhe fotografi të Khelif si fëmijë, ku duket se është vajzë.

Zëdhënësi i Komitetit Ndërkombëtarë Olimpik, Mark Adams, gjithashtu ka deklaruar se Khelif “ka lindur grua, është regjistruar grua, ka jetuar gjithë jetën si grua, ka boksuar si grua dhe në pasaportë thuhet se është grua. Ky rast s’ka të bëje me transgjinore,” përfundoi ai.

Kanë reaguar edhe nga Komiteti Algjerian Olimpik, nga ku thanë se “këto sulme janë joetike dhe të pabazuara.”

Madje, edhe organizata që e filloi debatin në lidhje me gjininë e boksieres Khelif, Asociacioni Ndërkombëtarë i Boksit, në asnjë moment nuk ka thënë se bëhet fjalë për një transgjinore ose transeksuale, por për diçka krejtësisht tjetër të cilën do ta shtjellojmë më poshtë.

  • Konkluza: Imane Khelif asnjëherë nuk i është nënshtruar ndonjë operacioni ose mjekimi për ndryshim të gjinisë. Ajo edhe po të donte, s’do mund ta bënte këtë pasi shteti amë nuk ja lejon. Diskutimi rreth gjinisë së saj do të kishte logjikë nëse ajo me vullnet të plotë, gjatë jetës së saj, do t’i ishte nënshtruar procedurave për ndryshim gjinie.

  • Për Mediet: sidomos ato tradicionale, nuk guxoni të publikoni lajme të paverifikuara dhe të bazuara kryesisht në postime të personazheve kontrovers, të cilët në të kaluarën kanë qenë burim i shumë dezinformatave. Ky lajm ka potencial serioz në përkeqësimin e atmosferës edhe ashtu të keqe kundër personave LGBTQ+.

Keqinformim do të thotë kur përhapet një informacion i pasakte ose i pavërtetë, por jo domosdo me qëllim të keq. Arsyet për këtë mund të jenë nga më të ndryshmet, si dëshira për sensacionalizëm, keqkuptime dhe ngjashëm.

Për shembull: Në kohën kur gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat për këtë rast vërshuan rrjetin, “Sakam da Kazam” publikoi një artikull me këtë titull “Asociacioni Ndërkombëtarë i Boksit thotë se me të drejtë ka diskualifikuar Khelif dhe Jun, nivelet e testosteronit i kanë pasur si burra.”

Këtë lajm e futëm në kategorinë e keqinformimit, jo vetëm për faktin që portali ‘SDK’ ka vendosur të publikojë vetëm njërën anë të historisë, atë të Asociacionit Ndërkombëtarë të Boksit, por edhe për faktin që lexuesit i ka lënë pa një pjesë shumë të rëndësishme të informacioneve.

  • Vini re: Burimi i të gjitha dezinformtave për këtë rast është Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit.

Andaj, lexuesit meritojnë ta njohin burimin e informacionit. Kjo organizatë që tashmë është e diskredituar, udhëhiqet nga një oligark rus, Umar Kremlev, i afërt me presidentin rus Vladimir Putin. Kremlev vazhdimisht ka tentuar të fus ndikimin rus në sport, duke lidhur marrëveshje me kompani ruse si “Gazprom.”

Në fotografi është udhëheqësi i Asociacionit Ndërkombëtarë të Boksit, Umar Kremlev me Presidentin e Rusisë, Vlladimir Putin.

Në vitin 2019, Komiteti Ndërkombëtarë Olimpik mori vendim që të ndërpresë çdo lloj bashkëpunimi me këtë organizatë për shkak të qeverisjes së dyshimtë, problemeve me transparencën financiare si dhe për shkaqe tjera etike, që kryesisht kanë të bëjnë me ndikimin rus.

Tash që e dimë kush janë, të merremi pak me çfarë thonë: Nuk është e vërtetë që kjo organizatë zyrtarisht ka deklaruar se Imane Khelif dhe Lin Ju-Ting kanë “nivele të testosteronit si të burrave” ashtu siç shkruan ‘SDK’.

Madje, nga atje e bënë të qartë se nuk kanë testuar fare nivelin e testosteronit të Imane Khelif.

“Pikë për t'u vënë re, atletët nuk iu nënshtruan një ekzaminimi të testosteronit, por iu nënshtruan një testi të veçantë dhe të njohur, specifikat e të cilit mbeten konfidenciale.” shkruan ky asociacion në kumtesë zyrtare, të lëshuar më 31 korrik. As kjo organizatë, as udhëheqësi i tyre Umar Kremlev s’janë të besueshëm, por ‘SDK’ duhet të citojë drejt, edhe në titull.  

Asokohe, presidenti i kësaj organizate Umar Kremlev kishte deklaruar për agjencitë shtetërore të lajmeve në Rusi se atletet Khelif dhe Ju-Ting kishin kromozome XY (mashkullore) dhe jo kromozome XX (femërore).

Gjithsesi, edhe për këtë shkenca ka një përgjigje të cilën do ta shtjellojmë më poshtë.

Këto teste u realizuan në mes të kampionatit, pak ditë pasi Khelif mundi boksieren ruse Azalia Amineva dhe nuk janë publikuar asnjëherë, janë realizuar krejtësisht në formë jontransparente. Rrjedhimisht, nuk njihen nga asnjë organizatë ndërkombëtare serioze e sportit.

Zëdhënësi i Komitetit Olimpik, Mark Adams ka hedhur poshtë këto teste, duke thënë se “ato teste nuk janë teste legjitime. Vetë testet dhe procesi si janë realizuar, natyra e rastësishme e testeve, nuk është legjitime”.

“Testi, metodologjia e testit, ideja e testimit që kishte ndodhur brenda natës. Asnjë prej këtyre nuk është legjitime dhe nuk meriton asnjë përgjigje. A e dini se këto dy atlete targetohen nga një federatë e cila është tërësisht e diskredituar?” shtoi Adams.

Përpos kësaj, shkenca thotë se nuk ka diçka si “nivele të testosteroneve si të burrave”, ka shumë gra me nivele të larta të testosteronit, studimet thonë se 8 deri në 18% të grave në moshën riprodhuese preken nga sindroma e vezoreve policistike, kështu vezoret e tyre prodhojnë më shumë hormone seksuale mashkullore të quajtura androgjen.

  • Konkluza: Rezultatet e testeve të gjinisë nuk janë publikuar asnjëherë përkundër kërkesave të shumta, nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur ndërsa Komiteti Olimpik i kundërshton ato si dhe ka ndaluar çdo lloj bashkëpunimi me Asociacionin Ndërkombëtar të Boksit për shkak të qeverisjes jo-transparente, problemeve financiare dhe ndikimit rus.

  • Për mediet: Kujdes me informacionet të cilat i merrni nga burime të dyshimta dhe të diskredituara më herët. Lexuesit meritojnë të informohen nga burime relevante, të pandikuara dhe jo-propaganduese. Rusia dhe ndikimi i tyre mund të jetë prezent edhe aty ku s’ua merr mendja. Andaj, verifiko, publiko!

Informim qëllimkeq është kur një lajm i pasaktë ose i saktë publikohet me të vetmin qëllim për të dëmtuar dikë. Informatat që publikohen ose gjuha e zgjedhur mund të shkaktoje dëm te një individ ose një grup i caktuar, përmes gjuhës së urrejtjes ose dhunës psikologjike.

Për shembull, në ditën kur Imane Khelif fitoi medaljen e artë olimpike, portali Lapsi.al publikoi një artikull me titullin “Khelif tregohet “burrë” deri në fund: mposht edhe kinezen Yang dhe fiton medaljen e artë olimpike”

Duke qenë koshient për bullizmin dhe dhunën psikologjike që e ka përjetuar boksierja algjeriane gjatë lojërave olimpike, ky titull është tërësisht jo-profesional, shaka ‘pa kripë’, sensacional dhe me potencial për të nxit masën kundër Khelif.

Artikullin e vendosëm në kategorinë “qëllimkeq” pasi përpos titullit, lajmi më poshtë është i shkruar mirë. Tendenca për të krijuar një titull sa më tërheqës ose manipulues për të tërhequr sa më shumë klikime për lajmin nuk i shërben gazetarisë profesionale dhe nuk mund të bëhet për qëllim të mirë.

Asnjë klikim më shumë nuk duhet t’i nxisë gazetarët që të ndikojnë në ushqyerjen ose mbajtjen gjallë të teorive konspirative ose dezinformatave. Përkundrazi, është detyrë e medies që t’i luftojë këto fenomene duke u bazuar gjithmonë në fakte dhe duke përdorur gjuhë të përshtatshme për t’i informuar lexuesit.

“Gazetari nuk do të krijojë ose përpunojë me vetëdije informacione që rrezikojnë të drejtat ose liritë e njeriut, nuk do të flasë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë dhe diskriminim në asnjë bazë (nacionale, fetare, racore, gjinore, sociale, gjuhësore, orientim seksual, politik...)”. Neni 10 i Kodit të gazetarëve të Maqedonisë.

Por përveç kësaj, duhet theksuar se boksierja Imane Khelif në të kaluarën ka humbur gjithsej 9 ndeshje kundër kundërshtareve gra. Një prej tyre që ka triumfuar kundër Khelif është boksierja Amy Broadhurst.

"Personalisht nuk mendoj se Khelif ka bërë diçka që mund të konsiderohet si "hile". Unë mendoj se kjo është mënyra se si ajo ka lindur dhe jashtë kontrollit të saj. Fakti që ajo është rrahur në ring nga 9 gra boksiere më herët thotë gjithçka" shkruan boksierja Amy Boradhurst në "X".

  • Konkluza: Po, është e saktë se boksierja algjeriane Imane Khelif ka fituar medaljen e artë olimpike. Ajo çmimin e mori në kategorinë e vajzave deri në 66 kilogramë. Nuk ka nevojë që të jesh ‘burrë’ për të qenë e fortë.

  • Për mediet: Gazetarët janë të vetëdishëm për ‘fuqinë’ që e ka titulli i një artikulli. Andaj, tentoni që të jenë kreativ mjaftueshëm për t’i tërhequr lexuesit pa pasur nevojë që të nxisni urrejtje ndaj një individi ose grupi të caktuar.

Propaganda ka të bëje me informacione të cilat nuk janë objektive, kryesisht përdoren për të ndikuar në mendimin e njerëzve për përmbushjen e një agjende politike ose tjera. Për këtë arsye, mesazhet që përçohen kryesisht janë emocionale dhe jo racionale.

Për shembull, pastori i Kishës “Ungjilli i Krishtit”, në Tiranë, Akil Pano, në ueb-portalin e tij ka publikuar një shkrim me titullin “Ç’janë këta që rrahin gratë dhe bota bën sehir, madje u jep medalje?”

Ky shkrim dukshëm i përmban të gjitha elementet e një propagande, në këtë rast fetare. Ai ka tentuar që t’i prekë në emocione lexuesit që nga fotografia e vendosur në ballinë të artikullit, ku shihet kundërshtarja e Khelif duke qarë.

Më pas, ai tenton që t’i bëje lexuesit të ndjejnë keqardhje për kundërshtaren e Imane Khelif duke ju spjeguar arsyet se pse atij i është “dhimbsur” ajo. Kryesisht mesazhet në tekst janë emocionale dhe aspak racionale, ndërsa teksti është i mbushur me dezinformata.

Marrë parsysh se emocionet janë faktor kyç te njerëzit, mesazhet të cilat në këtë shkrim i përçon pastori Akil Pano kanë fuqinë që të manipulojnë me emocionet e lexuesve të tij, target grupit (të cilët kryesisht janë fetarë), duke shkaktuar një histeri të panevojshme tek ata.

Shkrimi i përmban të gjitha elementet e propagandës, nga aktivizimi i emocioneve të fuqishme, thjeshtësimi i informacionit, përshtatja e nevojave të audiencës së tij dhe sulmi ndaj gjithkujt që mund të mendojë ndryshe, duke i quajtur ata si “njerëz që i duartrokasin dhunës ndaj grave”.

  • Konkluza: Ky artikull është gërshetim i dezinformatës, keqinformimit, informimit qëllimkeq dhe propagandës. Lexuesit të kenë kujdes kur të hasin në shkrime të cilat me çdo kusht tentojnë t’i prekin ata në emocione dhe janë komplet të njëanshme.

Me ekspertë të gazetarisë, mjek dhe edukatorë seksual tentuam që të gjejmë thelbin e dezinformatave dhe gjithë debatit në lidhje me boksieren algjeriane Imane Khelif. Morëm qëndrime edhe nga institucionet.

Gazetarët kur s’dinë, duhet të pyesin dhe jo dezinformojnë

Bojan Kordallov është komunikolog, thotë se kur bëhet fjalë për tema më të ndërlikuara, është e pamundur për gazetarët t’i kenë të gjitha informacionet – këtu, thotë ai, duhet të jenë më aktive organizatat joqeveritare për t’i ndihmuar ata.

untitled-design-(38).png

“Edukimi është kyç, sepse punonjësit mediatik është e pamundur që të kenë të gjitha detajet në lidhje me të gjitha temat dhe specifikat. Nga këtu, organizatat joqeveritare të cilat janë të specializuara dhe përfaqësojnë tema të caktuara dhe grupe për të cilat masa ka pak informacione duhet të jenë vazhdijmisht në kontakt dhe të disponueshëm për mediet dhe punonjësit mediatik.” thotë Kordallov.

Por mungesa e informacionit s’është problemi i vetëm. Kordallov thotë se informimi i medieve në lidhje me boksieren Imane Khelif na tregoi një gjë: “Lufta për klikime apo qasja ‘clickbait’ sjellë klikime, por nuk e informon masën në mënyrë të drejtë, madje nxit gjuhë të urrejtjes dhe diskriminim”, shtoi Kordallov.

Mungesë të informacionit në lidhje me këtë rast nuk kanë vetëm gazetarët në Maqedoninë e V. por është problem global. Për shembull, statistikat e “Google Trends” tregojnë që nga nfundi muajit korrik deri në fillim të gushtit kërkimet më të shpeshta kanë qenë “çrregullimet ne zhvillimin seksual”, “XY kromozomet” dhe “Testi i gjinisë i Imane Khelif”

Marija Gjorgjievska një kohë ka punuar si edukatorë seksuale në pilot-projektin për vendosjen e kësaj lënde në kurrikulat shkollore, për ‘Mollëkuqja’ shprehet e bindur se kjo lëndë do të ndikonte që masa t’i gëlltisë më lehtë këto tema.

“Programi ynë mes tjerash përfshinte informimin e tyre mbi termet gjinia dhe seksi, rolet gjinore, normat, ku potenconim rëndësinë e njohjes së dallimeve të të gjithëve, mos gjykimi I njerëzve vetëm pse s’bëjnë pjesë në atë që patriarkati e quan “burrë i vërtetë” ose “grua e vërtetë”, tha Gjorgjievska.

Tha se në kohën kur i ka ligjëruar këto tema në Shkup, “shpesh herë jam përballë me rezistencë të pranimit që ekziston diçka më ndryshe se ndarjes klasike të punëve për burra dhe për gra, por kryesisht baza e kundërshtimit qëndron në mos-informimin adekuat ose fare të nxënësve për këto tema”.

Kai Gladgova nga iniciativa TransForma për ‘Mollëkuqja’ tha se dëmi i shkaktuar në masë nga mediet joprofesionale gjatë informimit për atleten Imane Khelif do të ishte më i vogël nëse edukimi seksual do të ishte pjesë e kurrikulave shkollore.

untitled-design-(39).png

“Përmes edukimit seksual, në vend që nxënësit të mësojnë si të perpetuirat dhunën me bazë gjinore të cilën e shohin në korridoret e shkollës dhe jashtë saj, do të kenë mundësi të mësojnë se si të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme me veten dhe tjerët, me këtë do të marrin pjesë në ndërtimit e një ambienti pa dhunë në të cilin ka vend për të gjithë pa marrë parasysh dallimeve. “

Ajo shtoi se është e papranueshme që për sindromin “Swyer” si dhe për Interseks shumë njerëz në Maqedoninë e V. dëgjuan për herë të parë nga dezinformatat e shpërndara për boksieren Imane Khelif.

“Fakti që shumë njerëz për herë të parë dëgjuan për sindromin "Swyer” dhe interseksin përmes artikujve në lidhje me Imane Khelif, flet për rëndësinë dhe rolin e medieve dhe përgjegjësia që vjen nga profesioni i tyre.” përfundoi Gladkova.

Përkundër kësaj, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për “Mollëkuqja” thanë se nga shtatori nuk do të ketë lëndë të veçantë për edukim gjithëpërfshirës seksual – por disa prej temave do integrohen në lëndët ekzistuese aktuale.

“Në programet mësimore të biologjisë dhe lëndëve tjera të rregullta, nga shtatori në klasat e shtata, teta dhe nënta do të ligjërohen tema të ndërlidhura me shëndetin reproduktiv si shtatzënia e padëshiruar, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, dhuna gjinore dhe ngjashëm, këto tema patjetër të detabuizohen, në interes të të rinjve dhe në përputhje me moshën e tyre” thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Endokrinologia për Mollëkuqja: Khelif nuk mund të quhet burrë

Rrezearta Elezi, endokrinologe, sqaroi disa dilema për gazetarët që ju referoheshin boksieres Imane Khelif si “burrë” për shkak të lajmeve të paverifikuara se ajo kishte lindur me kromozomet XY që janë tipike për meshkujt. Megjithatë, edhe po të ishin të sakta këto lajme, Khelif sipas enokrinologes nuk mund të quhet burrë.

untitled-design-(40).png

“Imane Khelif, pavarësisht kontradiktave rreth faktit nëse ka lindur me XY kromozome (që janë tipike për meshkujt), akoma e paverifikuar, sigurisht se nuk mund të quhet burrë ose transgjinore sepse gjatë zhvillimit gjinor të personave hyjnë më shumë faktorë biologjik (AMH – anti mullerian hormoni, mes tjerave) që japin karakteristikat fenotipike mashkullore” tha Elezi.

Ajo shtoi se edhe nëse “verifikohet prezenca e XY kromozomit, apo e ashtuquajtura “Swyer Sindroma”, Imane Khelif do të ngelet grua, pavarësisht niveleve të larta të testosteronit, biologjikisht, po te ishte kriter i vetëm për përcaktimin e gjinisë niveli i testosteronit, atëherë shumë gra me sindromën PCOSY, të cilat kanë nivele shumë të larta të testosteronit, do të quheshin burra” tha endokrinologia Rrezearta Elezi.

Një gjë është e sigurt: Dëmi që u shkaktua nga këto dezinformata është i madh

Nuk është ndonjë shkencë e vështirë që përmes lajmeve të rreme dhe propagandës të shkaktosh dëm në një popullatë të paedukuar mediatikisht, e cila është e prirur që të bie pre e dezinformatave. Se këto lajme nxiten gjuhë të urrejtjes dhe diskriminuese mund të shihet në komentet e secilit artikull.

Komentet kryesisht janë homofobike, me gjuhë të urrejtjes, kërcënuese dhe plot ofendime për komunitetin LGBTQ+ në vend. Rikujtojmë që atmosfera kundër këtij komuniteti në vend edhe ashtu nuk ka qenë e mirë.

Ministria për Punë të Brendshme për ‘Mollëkuqja’ thotë se në dekadën e fundit ka pasur 28 raste të sulmeve kundër pjesëtarëve të këtij komuniteti. Megjithatë, ky numër raportohet të jetë shumë më i lartë por i pa deklaruar, për shkak të frikës nga linçimi publik.

Dëmtim i veturës të pjesëtarëve të komunitetit, bullizëm online, arrestim i kundërligjshëm, dhunë fizike, shpërndarje e materialeve homofobike në ‘Fejsbuk’, rrezikim i sigurisë, kërcënime – këto janë veprat penale më të shpeshta kundër komunitetit LGBTQ+ në Maqedoninë e Veriut, sipas MPB-së. 

Gjuha e urrejtjes është vepër e cila ndëshkohet e ligjet pozitive në Maqedoninë e Veriut. Rikujtojmë që në prill të këtij viti për herë të parë në vend u ndëshkua me burg një person për gjuhë të urrejtjes ndaj pjesëtarit të komunitetit LGBTQ+.

Kallëzimi penal për “përhapje e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik”, e kishte dorëzuar organizata "Queer Centar" ndërsa Gjykata Themelore e Negotinës ka vendosur se i pandehuri është fajtor për veprën për të cilën akuzohet. Nëse doni të lexoni më shumë për këtë rast, klikoni KËTU.

Mediet kanë rol shumë të rëndësishëm në formësimin e përceptimeve dhe qëndrimeve të publikut. Ata duhet të kenë shumë kujdes kur shkruajnë për tema që i prekin komunitetet e rrezikuara, në mënyrë që të mos ndikojnë në rritjen e homofobisë dhe nxitjen e urrejtjes kundrejt një komuniteti të caktuar.

Boksierja algjeriane Imane Khelif menjëherë pasi fitoi medaljen e artë ka paditur për bullizëm përmes rrjeteve-sociale drejtuesin e “X”, Elon Musk dhe autoren JK Rowling. Avokati i Khelif, Nabil Boudi tha se ata duhet të përgjigjen për komentet që i kanë shkruar në rrjetet sociale.

Avokati Nabil Boudi shtoi se “Imane Khelif ka vendosur që të fillojë një betejë të re, betejë për drejtësi, dinjitet dhe nder,”.

Imane Khelif tha se “Gjithçka që është thënë për mua në rrjetet-sociale nuk është e moralshme. Unë dua të ndryshoj mëndjet e njerëzve në botë,”.

Presidenti i Komitetit Olimpik, Thomas Bach tha se “Këtë duhet ta zgjidhë drejtësia: Gratë duhet të lejohen që të marrin pjesë në garat e grave. Ndërsa këto dyja janë gra,”.

Informimi për rastin e Imane Khelif edhe njëherë alarmoi për nevojën e edukimit mediatik në Maqedoninë e Veriut. Përderisa pjesa më e madhe e medieve ranë pre e dezinformatave në të cilat kishte gisht Rusia dhe personazhe tjerë kontravers, lexuesit i merrnin si të mirëqena këto informacione pa u menduar dy herë dhe reagonin me gjuhë të urrejtjes.

За да го прочитате овој напис на македонски јазик, кликнете ТУКА.

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia