March 27th, 2024
Ushqimi luan rol shumë të rëndësishëm gjatë kohës së shtatzënisë. Marrja e energjisë së nevojshme dhe nutrientëve është e patjetërsueshme si për nënën, po ashtu edhe për fetusin. Kështu shprehet në një intervistë për 'Mollëkuqja', nutricionistja dhe këshilltarja ushqimore Festa Murati.
Murati tregon se llojllojshmëria dhe ushqimi i balancuar mundësojnë rritjen dhe zhvillimin e fetusit, njëkohësisht i suportojnë edhe ndryshimet fiziologjike që ndodhin në trupin e nënës.
“Nuk duhet të mungojnë makronutrientët siç janë: proteinat, karbohidratet dhe yndyrat. Po ashtu edhe vitaminat dhe mineralet. Burim i të gjitha këtyre, është ushqimi i balancuar”, thotë Murati.
Megjithatë gratë shtatzëna duhet të kenë kujdes me disa ushqime, si ato të detit, pemët e thata (posaçërisht kumbulla e thatë), ananasi (përmban bromalinë).
“Duhet pasur kujdes edhe te mëlmesat si kanella dhe biberi i zi të cilat janë të lidhura me shumë raste të abortit spontan, dhe cilësohen si mëlmesat më “agresive”. Sasia e kafeinës duhet të mbahet në nivel, sepse është diuretik (eliminon kalciumin nga organizmi), stimulon sistemin nervor, dhe mund ta ul kualitetin e qumështit të nënës. Alkooli dhe nikotina janë totalisht të ndaluara”, tregon nutricionistja.
Mes tjerash ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që të merren kaloritë e duhura, të furnizohet trupi me energji. Mirëpo, ato kalori nuk duhet të jenë të zbrazëta.
Ajo shtoi se nëpërmjet ushqimit duhet të merren nutrientët, dhe të mos ketë deficite, sepse ato deficite mund të jenë shkak i komplikimeve të shumta gjatë shtatzënisë. Pemët dhe perimet jo vetëm që janë të mbushura me vitamina dhe minerale, ato përmbajnë edhe fibra, të cilat janë të patjetërsueshme për funksionimin e duhur të sistemit digjestiv.
“Proteinat mundësojnë rritjen dhe formimin e qelizave, indeve skeletore dhe muskulore të fetusit. Prandaj përveç opsioneve shtazore, mund të konsumohen edhe proteinat bimore si: legumet, produktet e sojës apo kinoa”, thekson Murati.
Sipas saj, edhe yndyrat hynë në grupin e makronutrientëve që janë esenciale për njeriun. Omega 3, Omega 6 janë vitale për ndërtimin e membranave qelizore dhe trurin. Prandaj mungesa e cilit do makro apo mikronutrient, mund të manifestohet me efekte jo të dëshiruara.
Shëndeti i nënës është reflektim direkt te foshnja, thotë Festa duke përmendur si shembull mungesën e vitaminës B12 te nëna e cila manifestohet me defekte në trurin dhe boshtin kurrizor te fëmija.
“Në disa raste përfundon edhe me abort spontan. Tregues i zakonshëm i deficitit të vitaminës B12 është anemia megaloblastike te nënat. Prandaj, gjatë shtatzënisë, si mënyrë e evitimit të deficiteve, rekomandohen edhe suplemente. Mirëpo, suplementimi duhet të jetë i caktuar nga profesionistët, dhe duhet kontrolluar në mënyrë strikte”, thekson Murati.
Për fund ajo thekson se për shtatzëni të shëndetshme, është shumë e rëndësishme qetësia shpirtërore dhe mentale kombinuar me ushqim të duhur dhe aktivitet fizik.
“Nuk duhet harruar, që përpos kujdesit për foshnjën në bark, nuk duhet lënë dhe veten anash! Dëgjojini nevojat e trupit tuaj, dhe konsultohuni me profesionistë për çfarëdo pyetje apo shqetësim që keni”, përfundoi Murati.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia