July 2nd, 2024
Pas 21 vitesh martesë, nga viti 1998 deri në vitin 2019, bashkëshorti vjen në shtëpi nga bastorja dhe fillon ta ofendojë bashkëshorten e tij para bijës së tyre 17 vjeçare.
“K*rvë, k*rvë, ik, k*rvë, vetëm ik”, janë disa nga fjalët të cilat ai ia ka drejtuar bashkëshortes së tij. Pastaj fillon ta shtyjë, ta godasë në kurriz me grushta, e godet me shkelma, si pasojë e kësaj ka pasur një mavijosje të madhe në pjesën e pasme të trupit, pastaj e ka shtrënguar me duar dhe e ka shtyrë që ta nxjerrë jashtë.
Bija e saj A. e ka mbrojtur duke i thënë babait të saj “baba, mos, mos baba”. Babai del nga shtëpia dhe kanoset se pasi të kthehet në shtëpi do ta vrasë bashkëshorten. Gruaja e kalon natën në një dhomë me dy fëmijët e saj të mitur – vajzën 17 vjeçare dhe djalin 9 vjeçar.
Në ditë më pas në mëngjes ajo e denoncon rastin në polici dhe shkon në spital ku i konstatohen lëndime trupore.
Kështu thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale për një person i cili është në moshë rreth 50 vjet, e të cilit tashmë dy herë i janë shqiptuar masa për mbrojtje nga dhuna në familje nga ana e Gjykatës Civile në Shkup.
Por, edhe përkrah masave të shqiptuara ai vazhdon të ushtrojë dhunë edhe në prag të divorcit. Për shkak se gruaja e tij e ka denoncuar ai ka dashur me dhunë ta përzërë atë dhe fëmijët. Rasti është denoncuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e pas kësaj personi në fjalë kalon në katin përdhes të shtëpisë që të jetojë bashkë me babain e tij. Edhe pse gruaja bashkë me fëmijët e saj vazhdon të jetojë në të njëjtën shtëpi, ajo para gjykatës dëshmoi se i pandehuri dhe babai i tij ua kanë ndërprerë energjinë elektrike dhe ujin dhe u është dashur të ngrohen me dru.
Për këtë vepër, lëndim trupor, bashkëshorti dënohet me gjashtë muaj burg.
Ai do e mbarojë dënimin e tij, por trauma që ua ka shkaktuar fëmijëve të tij do i ndjekë gjithë jetën.
Në numrin më të madh të aktgjykimeve gjyqësore për dhunën në familje të cilat tashmë për një kohë më të gjatë po i analizon Meta.mk, fëmijët shpesh janë dëshmitarë, por edhe viktima të horrorit që ndodh në shtëpi pas dyerve të mbyllura. Për pasojat që kjo dhunë i le tek fëmijët ne biseduam me Ana Poprizova, Geshtalt terapeute dhe psikologe në shkollë.
“Fëmijët që janë viktima të dhunës në familje janë të ekspozuar ndaj rrezikut nga probleme shëndetësore afatgjata dhe afatshkurtra fizike dhe psikike. Çdo fëmijë e përjeton në mënyra të ndryshme traumën e shkaktuar nga keqtrajtimi dhe dhuna në familje. Rritja në një familje plot me dhunë ka një ndikim të dëmshëm afatgjatë ndaj fëmijëve. Fëmijët e prekur nga dhuna në familje në punën tonë trajtohen si viktima edhe në rastet kur vetëm njëri nga prindërit ka qenë viktimë, gjegjësisht kur ata vetë nuk kanë qenë të pranishëm, pra nuk kanë qenë dëshmitarë të aktit të dhunës“, thotë Poprizova.
Ajo sqaron se kur në një familje ka dhunë viktima largohet emocionalisht nga fëmija, ndërsa fëmija mund të vuajë nga ndjenja e fajit se mos ndoshta në ndonjë farë mënyre ka ndikuar në vetë aktin e dhunës.
“Nga ana tjetër, prindi i cili manifeston sjellje të dhunshme shpesh herë është më pak i pranishëm në procesin e përkujdesjes për fëmijën, është më jostabil dhe ka më pak kontroll ndaj sjelljes së tij, kështu që edhe vetë fëmija mund të bëhet viktimë. Në një farë mënyre që të dy prindërit nuk janë mbështetje emocionale dhe fizike për fëmijën dhe në të shumtën e rasteve as nuk janë të aftë për një gjë të tillë, kështu që fëmija nuk ka një bazë të sigurt për rritje dhe zhvillim“, sqaron Poprizova.
Qendra e parë familjare e Asociacionit për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim – HERA është një këshillimore e specializuar e cila tashmë dhjetë vjet punon në fushën e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Qendra familjare ka një qasje holistike kundër dhunës, nga njëra anë punohet për mbështetje dhe ndihmë psikosociale të viktimave të dhunës në familje, si dhe me fëmijë të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë janë viktima, ndërsa nga ana tjetër punohet edhe me autorët e dhunës.
Gjatë vitit të kaluar në Qendrën e parë familjare janë drejtuar gjithsej 113 persona, nga të cilët 57 gra viktima të dhunës në familje, përfshirë këtu edhe 36 fëmijë nën moshën 18 vjet, dhe 20 prindër ose anëtarë të tjerë të familjes të prekur nga dhuna në familje.
“Këto janë 113 persona të cilët nuk janë ndjerë të sigurt në shtëpinë e tyre, në familjen e tyre – vendi që atyre duhet t’ju sigurojë mbrojtje dhe mbështetje. Familja, si njësi themelore sociale, duhet të jetë burim i sigurisë dhe i stabilitetit emocional. Mirëpo, në vend të një vendi ku do gjejnë siguri dhe qetësi, për këto persona ajo është kthyer në një burim të pasigurisë dhe frikës, që i ka detyruar të kërkojnë ndihmë jashtë rrethit të tyre familjar. Kjo gjendje e thekson rëndësinë e këtij problemi dhe nevojën për masa efektive për mbështetje dhe mbrojtje të viktimave të dhunës në familje”, thotë për Meta.mk Stefanija Serdarska nga HERA.
Në fillim të vitit 2023 e frikësuar dhe e shqetësuar dhe me shenja të dukshme të dhunës fizike, një grua 34 vjeçare bashkë me birin e saj 6 vjeçar vjen në Qendrën e parë familjare të HERA-s. Dhuna të cilën e ka përjetuar kjo grua ka filluar pak pas martesës, e cila ka zgjatur shtatë vjet. Po kaq kohë kjo grua ka qenë viktimë e dhunës psikike, fizike dhe ekonomike nga ana e bashkëshortit të saj, dëshmitar i të cilës në të shumtën e rasteve ka qenë djali i tyre.
Bashkëshorti, i cili ka mainfestuar xhelozi dhe sjellje kontrolluese dhe posesive, e ka ndjekur vazhdimisht dhe vazhdimisht ka dashur të dijë se kë takon dhe ku. Kontrolli nga ana e tij është intensifikuar, pas çka bashkëshorti ka filluar t’ia marrë rrogën, kështu që ajo ka qenë e detyruar që për çdo ditë të kërkojë para nga ai.
Me kalimin e kohës dhuna fizike dhe kërcënimet nga ana e bashkëshortit të saj në shtëpinë e tyre janë bërë përditshmëri, ndërsa lëvizja e saj ka qenë rreptësisht e kufizuar deri në punë e deri në shtëpi. Në të kundërtën ai bëhej i dhunshëm verbalisht dhe fizikisht, ndërsa ndonjëherë nëse ajo vonohej edhe nuk e ka lejuar të futet në shtëpi. Fëmija e tyre i vogël shpesh ka qenë dëshmitar i dhunës. Gruaja ka tentuar ta lërë bashkëshortin e saj dhe bashkë me fëmijën të largohet tek prindërit e saj, por pas kanosjeve të tij se do i lëndojë fizikisht prindërit e saj, ajo ka mbetur në shtëpinë e tyre të përbashkët. Edhe pse ka tentuar që ta denoncojë dhunën në stacionin policor, ky rast nuk është regjistruar.
Në Qendrën e parë familjare ajo menjëherë është përfshirë në proces këshilldhënës, i cili në fillim është zhvilluar në kuadër të orarit të saj të punës, meqë lëvizja e saj ka qenë e kufizuar, ndërsa frika se mos e kuptojë këtë gjë bashkëshorti i saj ka qenë një kërcënim i madh për të.
“Në fillim ajo refuzonte ta paraqesë dhunën në cilin do qoftë institucion, nga frika se përsëri nuk do të ndërmerreshin kurrëfarë masash”, sqaron Serdarska.
Disa javë pas këshillimit gruaja mori guximin të largohet nga mjedisi i dhunshëm bashkë me të birin e sat të mitur, ngre një procedurë divorci, dhe njëkohësisht e shoqëruar nga një punonjëse në Qendrën e parë familjare drejtohet pranë Qendrës për punë sociale dhe në polici ku e denoncon dhunën.
Pas largimit nga shtëpia e përbashkët dhe dorëzimit të denoncimit për shunë familjare, dhuna psikike, fizike dhe ekonomike merr fund, ndërsa në bashkëpunim me institucionet kompetente, kundër bashkëshortit të saj shqiptohen masa për mbrojtje nga dhuna në familje dhe denoncim penal.
Analiza jonë nxori në pah se rruga drejt epilogut për rastet e dhunës në familje është e gjatë të paktën një vit. Aq kohë kalon nga fillimi e deri në përfundimin e procesit gjyqësor, pa u llogaritur koha e kaluar nga denoncimi në stacionin policor, deri në procedimin e lëndës në prokurorinë publike, e pastaj në gjyq. Gjatë gjithë kësaj periudhe, mbetet e hapur çështja se sa viktimat e dhunës në familje, por edhe fëmijët, janë dhe mund të jenë të sigurt dhe dhuna nuk do të përsëritet apo nuk do të intensifikohet.
Pastaj, çfarë mund të ndodhë për dy muaj? Kontuzion i fytyrës dhe gërvishtje në fytyrë, frakturë e kockës së mollëzës së majtë, mavijosje në buzën e poshtme, kontuzion i gishtit të vogël të dorës së djathtë, mavijosje nën gjurin e këmbës. Të gjitha këto, para syve të djalit të saj të mitur, i ka përjetuar O. M., tre herë, në periudhën nga 20.11.2020 deri më 05.01.2021.
Herën e tretë bashkëshorti e ka goditur me grusht gruan e tij në pjesën e gojës, pas çka ka ndërhyrë edhe djali i tyre i mitur А.М, i cili ka filluar të grindet me babain e tij duke u munduar që t’i ndajë, por nëna e tij përsëri është sulmuar nga bashkëshorti i saj, i cili e ka goditur me shkelma nëpër këmbë dhe ia ka përdredhur pëllëmbën e dorës së djathtë. Nga ajo ditë, pra 5 janar të vitit 2021, deri në shqiptimin e aktgjykimit ka kaluar plot një vit e dy muaj. Dhunuesi është dënuar me dënim me kusht, gjegjësisht nuk do përfundojë në burg nëse brenda dy vjet e gjysmë nuk e përsërit veprën.
Me fjalë të tjera ai është i lirë, gruaja ende nuk ndjehet e sigurt, por as edhe djali i saj i mitur.
Për atë se sa gjasa ka që fëmija gjatë jetës së tij ta pranojë sjelljen e dhunuesit ose të viktimës, Poprizova thotë se shumë shpesh djemtë që gjatë fëmijërisë dhe rritjes së tyre kanë qenë të ekspozuar ndaj poshtërimit dhe keqtrajtimit të grave, edhe vetë pranojnë forma të sjelljes ës dhunshme.
“Një sqarim është mekanizmi i ashtuquajtur identifikimi me agresorin. Identifikimi me agresorin është një mekanizëm mbrojtës i cili nënkupton identifikim të viktimës me një person që manifeston sjellje agresive, me qëllim që të eliminohet ose të paktën të zbutet frika nga ai. Identifikimi me agresorin është veçanërisht karakteristik për fëmijët që ndjehen të rrezikuar ose të pambrojtur. Në rast të identifikimit me një individ armiqësor, fëmija si një person i pambrojtur mundohet që ta tejkalojë frikën duke u sjellë ngjashëm si agresori“, sqaron Poprizova për Meta.mk, dhe shton se dhuna të cilën pastaj e kryen viktima nuk drejtohet kah burimi i dhunës, pra nga dhunuesi primar, por drejtohet kah një person që ka fuqi më të vogël se ai – nxënës, motër/vëlla më i vogël, etj.
“Shumë shpesh nxënësit që i bullizojnë të tjerët në shkollë mund të jenë edhe vetë viktima dhe/ose dëshmitarë të dhunës në familje”, shton ajo.
Nga ana tjetër, Poprizova është e mendimit se shumë shpesh vajzat që janë rritur në një mjedis të dhunshëm në famije, kanë shumë gjasa që edhe vetë të bëhen viktima të partnerit të tyre, sepse e kanë pranuar atë mënyrë të sjelljes në familje, më së shumti si mënyrë se si ta mbijetojnë dhunën, gjegjësisht si një mekanizëm psikologjik për mbrojtje.
“Këto sisteme të besimeve janë vendosur që ta mbrojnë viktimën nga nevoja që vërtetë të inkuadrohet në jetë dhe në mënyrë aktive të marrë pjesë dhe të luftojë. Kjo për ata është diçka shumë e rrezikshme , kështu që vendosin ta durojnë dhunën dhe asnjëherë të mos presin kushte më të mira“, thotë Poprizova.
(Vazhdon)
Lajmi fillimisht është botuar në Meta.mk.
Meri Jordanovska është zëvendës-kryeredaktore në Meta.mk, gazetare profesioniste me përvojë gati njëzetvjeçare në media, si hulumtuese, reportere dhe analiste. Jordanovska është fituese e çmimeve të shumta për gazetari hulumtuese.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia