642a3086.jpg

Qasja në abort të sigurt ende sfidë për shumë gra në Maqedoninë e Veriut

N'THELB

October 7th, 2024

Në Maqedoninë e Veriut edhe pse Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë nga viti 2019 u lejon grave liri më të madhe riprodhuese, ende nuk ka asnjë mjet kontraceptiv në listën pozitive të barnave, ndërsa aborti mjekësor është i disponueshëm vetëm në Shkup, i cili përjashton gratë nga zonat rurale, ndërsa barnat që përdoren për të ende nuk janë regjistruar. Qasja në abortin e sigurt është e drejtë shëndetësore dhe thelbësore për realizimin e lirisë riprodhuese.

Këto janë vetëm disa nga mesazhet kryesore që u adresuan nga ekspertë të fushës me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Qasje në Abortin e Sigurt dhe Legal, që ishte 28 shtatori.

Drejtoresha e Klinikës Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë Shkup Irena Aleksioska-Papestiev theksoi se si promotore e politikave më të mira dhe më të sigurta shëndetësore, në përputhje me standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të katërtin vit radhazi, Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë me sukses zbaton dhe realizon abortin mjekësor, si mënyra më e sigurt për të ndërprerë shtatzëninë.

“Duke marrë të drejtën e pacenueshme të gruas për zgjedhjen e saj, Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe HERA-s, ofron burime dhe kushte cilësore që aborti mjekësor të jetë zgjedhja e më shumë se 80% të pacientëve që i nënshtrohen ndërprerjes së shtatzënisë”, tha Irena Aleksioska-Papestiev.

Gligor Tofoski, gjinekolog specialist në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë dhe kryetar i Shoqatës së Gjinekologëve dhe Obstetërve të Maqedonisë së Veriut (MAGO) theksoi se ligjshmëria e abortit është një nga parametrat më të rëndësishëm dhe se që nga viti 2019 Republika e Maqedonisë së Veriut ka një ligj për ndërprerjen e shtatzënisë që avancon të drejtat e grave.

“Nga viti 2020 kemi edhe një Udhëzues Klinik për ndërprerjen e shtatzënisë, të përgatitur nga ekspertë të fushës së gjinekologjisë dhe obstetrikës, se si duhet të aplikohet metoda”, tha Gligor Tofoski.

Eva Spasevska, menaxhere e programit të programit të kujdesit seksual dhe riprodhues në HERA, theksoi se edhe pse aborti është i ligjshëm dhe i disponueshëm në vend, aborti me kërkesë të gruas për arsye sociale dhe ekonomike ende nuk mbulohet nga sistemi shtetëror i sigurimeve shëndetësore.

“Kostot e larta kërcënojnë qasjen  në abort të sigurt dhe pikërisht për shkak të tyre, ne jemi ende dëshmitarë të rasteve të abortit të paligjshëm. Rekomandimet ndërkombëtare tregojnë gjithashtu se shteti duhet të sigurojë mbulimin universal të të gjitha kostove që lidhen me shëndetin seksual dhe riprodhues dhe metodat moderne të kontracepsionit, të cilat janë paraparë me Programin e Qeverisë 2022-2024, por ende nuk kemi një kontraceptiv të vetëm në kurriz të Fondit për sigurim shëndetësor dhe vendi ka një nga normat më të ulëta të përdorimit të kontracepsionit modern në Evropë, që është vetëm 14%”, tha Eva Spasevska.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare për Qasje në Abort të Sigurt dhe Legal shënohet çdo vit më 28 shtator.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia