gray-modern-name-id-card-(1440-x-550-px).png

Diskriminim dhe traditë patriarkale, çka shtyn gratë të ndryshojnë mbiemrin pas martese?

FEMINISTING

August 21st, 2023

“Mezi pres të ta vjedh mbiemrin”, kishte shkruar në rrjetet e saj sociale një vajzë e cila ishte në prag të martesës. Duket shumë romantike në shikim të parë, por shumë seksiste kur e analizon origjinën e kësaj tradite të ndërrimit të mbiemrit pas martesës. Ka shumë arsye të logjikshme dhe të palogjikshme për atë se si ka mbijetuar kaq gjatë ky “fenomen” dhe përse vazhdon të praktikohet sot e kësaj dite, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë botën. 

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas një analize të “The New York Times”, rreth 70% e grave e marrin mbiemrin e bashkëshortit pas martese. Nga ana tjetër, në një hulumtim i vitit 2018, tregon se vetëm 3% e burrave në ShBA e kanë ndërruar mbiemrin pas martese. Në Britaninë e Madhe, sipas një studimi të vitit 2016, rreth 90% e grave të moshës 18 deri 30 vjeç vazhdojnë të praktikojnë ndërrimin e mbiemrit pas martese.  

Vetë shkrimtarja Elif Shafak në librin e saj “Black Milk” flet për ndryshimin e mbiemrit dhe traditën e trashëgimit të mbiemrave të burrave në familje. Ajo sqaron se mbiemri i saj për të nuk ka pasur asnjë kuptim, për shkak edhe të mos krijimit të ndonjë raporti me babain e saj, andaj në kohën kur ka filluar të shkruajë, Elif ka vendosur të ndërrojë mbiemrin duke vendosur për mbiemër emrin e nënës së saj, Shafak, emër ky me të cilin edhe e njeh bota. 

A e kërkon ligji ndryshimin e mbiemrit?

Për institucionet në Maqedoni, ndërrimi i mbiemrit është “çështje private”. Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut tregojnë që në vitin 2019 gjithsej 3209 persona e kanë ndërruar emrin, 22266 në vitin 2020, dhe 3276 në vitin 2021. Për të kuptuar gjininë e këtyre personave, nëse të njëjtët kanë mbajtur dy mbiemra ose jo, MPB-ja orienton te Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë. Të pyetur në shkurt të vitit 2022 për këtë çështje, nga drejtoria thonë se ata nuk mbajnë të dhëna të tilla se “kush çfarë mbiemri mban” dhe se kjo është çështje private e vetë palëve. 

“Sipas Ligjit për evidentimin në librat e gjendjes civile, UVMK-ja dhe nëpunësit e gjendjes civile realizojnë martesat, por administrata nuk mban evidencë se kush çfarë mbiemri mban. E gjitha është çështje personale e secilës palë dhe nuk mbahen të dhëna të tilla”, thonë nga Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë. 

Sipas nenit 5 të Ligjit për Emrin Personal në Maqedoninë e Veriut qytetari ka të drejtë të ndryshojë emrin personal, pra vetëm emrin ose mbiemrin, nëse nuk është në lidhje martesore. Nga ana tjetër, në Ligjin për Familjen (neni 31) është parashikuar mundësia që bashëshortët të mund të zgjedhin njërën nga opsionet në vijim:

·      të marrin për mbiemër mbiemrin e njërit ose bashkëshortit tjetër; 

·      secili të mbajë mbiemrin e vet; 

·      secili prej tyre mbiemrit të vet t’ia shtojë mbiemrin e bashkëshortit tjetër dhe 

·      njëri bashkëshort të marrë mbiemrin e bashkëshortit tjetër dhe atij t’ia shtojë mbiemrin e vet 

Në praktikë, në Maqedoninë e Veriut, më së shpeshti gruaja e merr mbiemrin e burrit ose mbiemrit të vet ia shton mbiemrin e burrit. Të rralla janë rastet kur burri merr mbiemrin e gruas, ose mbiemrit të vet ia shton mbiemrin e gruas. Në ndërkohë vende si Franca, Italia apo Holanda, e kanë të rregulluar edhe me ligj dhe nuk lejojnë gratë të ndryshojnë mbiemrin. Në Japoni situata është mjaft ndryshe: martesa pranohet vetëm nëse çifti mban të njëjtin mbiemër, ku në 96% të rasteve zgjidhet mbiemri i burrit. 

Më ka ndodhur të jem prezent në martesa, ku ndonjëherë nga vetë nëpunësi nusja shihet shtrembër sepse thotë që do mbajë mbiemrin e vet dhe nuk do e marrë atë të burrit. Rrënjët e patriarkatit janë mjaft të thella. Nga ana tjetër, ndër arsyet më të shpeshta që dëgjoj kur pyes se përse e kanë ndërruar vajzat mbiemrin, është “sepse nuk dua të kenë problem fëmijët e mi”. Sipas Ligjit për Emrin Personal, fëmijët mund të mbajnë njërin nga mbiemrat e cilitdo prind, të dy mbiemrat njëherësh, ose prindërit të zgjedhin një tjetër mbiemër për fëmijët e tyre. Arsyetimi që do të kenë probleme me fëmijët nëse nuk mbajnë mbiemrin e njëjtë, bie në ujë.  

Për të gjithë ata që shpesh fshihen pas fesë, kur është në pyetje ndryshimi i mbiemrit: në botën islame është zakon që një grua të mbajë mbiemrin e saj pas martesës. Myslimanët mbajnë mbiemrin e tyre në mënyrë që t'i bëjnë homazhe dhe të ruajnë rrënjët e tyre familjare, edhe pas martesës.

A është ndërrimi i mbiemrit ndryshim identiteti?

Tradita e ndërrimit të mbiemrit pas martesës daton nga koha kur gratë ishin pronë e burrave, merreshin e jepeshin, shiteshin nga vetë prindërit, si objekte apo mall tregtar, nuk kishin të drejtë prone, as të drejtë vote. Sipas Dr Sophie Coulombeau, traditat e importuara në Britani nga francezët rreth kohës së Pushtimit Norman në shekullin e katërmbëdhjetë, përcaktonin se gratë e martuara nuk kishin fare mbiemër, pasi normanët kishin sjellë me vete edhe parimin ligjor që, pas martesës, gruaja bëhej pronë e burrit të saj. Sipas fjalëve të një gjykate në vitin 1340, "kur një grua merrte një burrë, ajo humbte çdo mbiemër përveç "grua e"”.

Edhe pse nuk mund të themi që fenomene të tilla nuk janë ende prezente në rrethin tonë. Në rajone të caktuara të Ballkanit, ashtu si në fshatin Sllatinë të Tetovës në Maqedoninë e Veriut, ku unë jam rritur, gratë përveç që marrin mbiemrin e burrit, njihen dhe thirren në shoqëri me emrin e burrit, duke i shtuar emrit të tij prapashtesën “ica”. Për shembull, nëse burri quhet Jusuf, gruaja e tij njihet me emrin “Jusufica”. Ndodh madje që vetë rrethi në të cilin jetojnë, të mos kuptojnë kurrë emrin e vërtetë të gruas. Dhe kur nuk thirren me emrat e burrave të tyre, thirren me përemra, ashtu siç e përshkruan edhe Nurie Emrullai në romanin e saj “Duhet të jetë dashuri”: Kur dëshiron burri ta thërrasë gruan e tij i thotë Ajo ose Ej...dhe në fakt, shumë rrallë ka nevojë që ta thërrasë atë, sepse ajo është njëzet e katër orë përreth tij, në ndjekje të secilit hap.

Madje, në rajonin e Kërçovës dhe në disa rajone të tjera në Maqedoni dhe rrethinë, ku vdekjet e njerëzve njoftohen nëpërmjet një thirrjeje të caktuar në minaret e xhamive, gratë nuk thirren kurrë me emër. Identitetit të këtyre grave, njoftuesi i lajmit i drejtohet me: “gruaja e filanit”, “nëna e filanit (vetëm emrat e djemve, nëse ka)”. Në raste kur gruaja nuk ka djalë, ose nuk është e martuar, vdekja e saj njoftohet me emrin e ndonjë personi më të largët në familje. Gjithsesi, përmbledhja e të gjithë këtyre veprimeve tregon që identiteti i grave është “çështje problematike” në Ballkan. Andaj, ndërrimi i mbiemrit pas martesës, ose mbajtja e të dy mbiemrave, vjen si nga “romantizimi” i kësaj çështje, duke i bërë gratë të mendojnë se kështu janë më të përkushtuara në martesë, ashtu edhe nga statusi shoqëror që fitojnë kur dikush kupton që zonjat në fjalë janë të martuara. Sepse, martesa vazhdon të jetë njësi matëse e nderit dhe moralit të grave, si dhe arritja më e madhe në jetë si për to, ashtu edhe për familjet e tyre. Normalisht, marrja e një mbiemri të ri vjen edhe nga presioni shoqëror, dhe ndonjëherë edhe nga detyrimi që bashkëshortët ua imponojnë grave.  

Edhe pse sot jetojmë në një shekull ku lufta për barazi gjinore ka avancuar, dhe vetëdija për këto çështje shkon duke u ngritur, duhet të kuptojmë që secili prej nesh mban përgjegjësi për ushqyerjen e traditave diskriminuese të patriarkatit. Ndërrimi i mbiemrit nuk është aspak çështje romantike, është ndërrim identeti. 

Ky artikull është shkruar për Liberal Forum Magazine, revistë onlajn e cila publikohet nga Liberal Alternative Institute.

Rita Behadini

Rita Behadini

Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia