January 16th, 2023
Përkundër nevojës esenciale dhe të pashmangshme higjienike dhe mjekësore, shteti vazhdon t’i cilësojë produktet menstruale si diçka luksoze, kështu duke i tatimuar me 18 për qind dhe kjo rrit çmimin e tyre. Kriza ekonomike dhe inflacioni kanë thelluar varfërinë menstruale, duke bë që jo të gjitha vajzat dhe gratë të kenë qasje në këto produkte jetike për ato ndërsa ndryshimet ligjore të propozuara që do të zgjidhnin këtë problem, flenë në sirtarët e Kuvendit.
Çmimet për pecetat menstruale lëvizin nga 90 deri në 230 denarë. Teodora Milevska nga organizata joqeveritare “Tiit Int” tha se gratë për çdo muaj harxhojnë deri në 400 denarë për këto produkte.
Jemi të vetëdijshëm se problemi me varfërinë menstruale te ne është shumë aktual. Sipas hulumtimit nga Tiit Int dhe Reaktor, një nga tre gra të paktën një herë në jetë nuk ka pasur para për të blerë produkte menstruale ndërsa 70 për qind e të anketuarve harxhojnë deri në 400 denarë në muaj për produkte menstruale që është një shifër e lartë e cila për disa gra është e papërballueshme edhe pse produktet menstruale janë esenciale për shëndetin menstrual të grave dhe vajzave
Teodora Milevska, organizata joqeveritare “Tiit Int”.
Të dhënat e studimit tregojnë që gratë të cilat nuk kanë pasur para të blejnë produktet menstruale, kanë qenë të detyruara të improvizojnë me pëlhura, peshqirë, letër tualeti ndërsa gjysma e tyre, këtë e kanë bërë më shumë se njëherë. Sipas gjinekologëve, këto metoda kanë rezultuar me pasoja të rënda shëndetësore, deri në përjetimin e shokut toksik dhe në fund me vdekje.
Nevojën që produktet e higjienës menstruale të tatimohen 5% dhe jo 18 për qind, ashtu si tatimohen alkooli dhe cigaret, organizatat joqeveritare për të drejtat e grave e kanë shprehur në mënyrë të vazhdueshme. Kjo kërkesë edhe pse me vonesë, u pranua nga Ministria e Financave dhe u bë pjesë e reformave tatimore, megjithatë, assesi të miratohet nga Kuvendi.
“Ju njoftojmë se ulja e taksës për produktet menstruale nga 18% në 5% është pjesë e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për TVSH-në, i cili nga dhjetori 2022 është dërguar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për miratim. Zgjidhja ligjore, ndër ndryshimet e tjera, që janë pjesë e konceptit të reformës tatimore, parashikon se për shitjen e produkteve menstruale do të zbatohet norma preferenciale prej 5%, në vend të normës së mëparshme 18%. Projektligji është futur në rendin e ditës të seancës së 95-të parlamentare dhe duhet të shqyrtohet nga Komisioni për Financim dhe Buxhet, pas së cilës do të kthehet në seancë plenare për miratim.”, thonë nga Ministria e Financave.
Ndryshe, më datë 28 maj të vitit të kaluar në Shkup shumë aktivistë protestuan në rrugë duke i kërkuar shtetit që mes tjerash, të punojë drejt zbutjes së varfërisë menstruale e cila sipas tyre, është një hap më afër barazisë gjinore.
Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia