cleopatra-instagram-post-(1440--550-px).png

"Kleopatra, një jetë", kush ishte Kleopatra dhe si u prezantua në publik figura e saj

FEMINISTING

June 10th, 2023

Shumë shpesh burrat, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë arritur që t’i mbajnë edhe gratë më të zonja nën hije. Shumë shpesh dëgjojmë për gra që kanë shkruar me pseudonime burrash. Shkrimtaret më të njohura si Simone de Beauvoir, motrat Brontë, Sylvia Plath, të gjitha e kanë fshehur krijimtarinë e tyre nën një emër burri. F.Scott Fitzerald madje thuhet se i ka vjedhur fshehurazi shkrimet e të shoqes, Zelda Fitzerald, dhe me to është bërë i famshëm. Kryeveprën e njohur “Frankenshtejni”, autorja angleze Mary Shelley e botoi anonym, por të gjithë ishin të bindur se ky libër u shkrua nga bashkëshorti i saj Percy B. Shelley dhe jo nga vetë ajo. Megjithatë, edhe të fshehura prapa emrash të tjerë, ato janë njohur, janë lexuar dhe vlerësuar.

Pavarësisht lirisë së burrave për të shkruar vetëm për atë që ata konsideronin të rëndësishme, figura e një gruaje arriti të dalë në sipërfaqe, ajo e Kleopatrës. Siç e dimë tashmë, Kleopatra ishte mbretëresha e Egjiptit, për të cilën u fol dhe u shkrua më shumë se për çdo grua tjetër. Por, sa më shumë u shkrua, aq më shumë u devijua figura e vërtetë e saj. Fatkeqësia më e madhe qëndron aty se, ky devijim ishte i qëllimshëm. Historianët, shkrimtarët, poetët, filozofët, burrat, të cilët nuk e pranuan faktin se kishte ekzistuar një grua e tillë, i vun një qëllim vetes, të zhduknin gjurmët e historisë se ka qenë dikush e cila ka dëshmuar faktin se “një grua e arsimuar është një grua e rrezikshme”. Çfarë ishte rrezik sipas tyre? Ata e shihnin rrezik mendimin e lirë, të kuptuarit të gjërave, zgjuarsinë dhe guximin për ta përsosur vetveten nëpërmjet leximit dhe punës së vazhdueshme. 

Kleopatra është shembull i përparimit si pasojë e edukimit dhe arsimimit. Ne jemi dëshmitarë që shkolla e parë shqipe e vashave u hap në vitin 1891, ndërkohë që kur flasim për Kleopatrën flasim për vitet para erës sonë. Kjo dëshmon që rruga drejt arsimimit dhe edukimit të vashave nuk ka qenë e lehtë, ka qenë shumë e gjatë, dhe patjetër, jo të gjithë kanë arritur ta kuptojnë rëndësinë e të njëjtës. A ka qenë në ndonjë periudhë kohore e qëllimshme ndalesa për edukim të vajzave? Mesiguri po. Madje edhe në Maqedoninë e Veriut, sot e kësaj dite ka vajza të cilave ju mohohet e drejta e arsimimit, sado të sakta të jenë ligjet. Arsyet janë të shumta se përse ndodh kjo, por shumica prej tyre lidhen me “vendin ku gruaja përket”, e realiteti na dëshmon që mendohet se ajo përket në kuzhinë, në shtëpi, në familje. Shumë shpesh ndalimi për edukim, lidhet me funksionin reproduktiv të gruas. 

Gjithsesi, Kleopatra nuk e kishte ndërmend të dorëzohej as në vitet para erës sonë. Për një kohë shumë të gjatë njëllosja e figurës së Kleopatrës ishte detyra parësore e kujtdo që i jepej mundësia. Kishin burrat frikë nga figura e saj? Sigurisht që po, ngaqë e dinin se Kleopatra do të ishte frymëzim i shumë grave në momentin kur ato të mësonin se kush realisht ka qenë ajo dhe ngritjes intelektuale që ajo ka pasur. Gruaja më  e fuqishme e historisë u bë e tillë ngaqë u edukua në qytetin me librarinë më të mirë që ka ekzistuar ndonjëherë. Ajo kalonte e mbyllur në atë librari duke studiuar, lexuar dhe mësuar. Aftësia për të kuptuar dhe folur shumë gjuhë të ndryshme të botës dhe oratoria e saj përsosej gjithnjë e më shumë nga leximi i librave. Kështu, ajo arriti të fitonte mbështetjen dhe dashurinë e popullit, duke qenë shembull që duhet të ndiqnin të gjithë. Burrat rrezikonin të përballeshin me gra të cilat e kishin gjetur burimin e vërtetë të fuqisë intelektuale, leximin.

Njerëzit gjithnjë mundohen që suksesin e një gruaje t’ia mveshin bukurisë fizike të saj, por në këtë rast çështja ndryshon. Saherë që flitet për Kleopatrën, vendoset në diskutim fakti që a ka qenë ajo e bukur. Plutarku tregon se bukuria e Kleopatrës nuk ishte e jashtëzakonshme. Ajo u bë gruaja më me ndikim, jo falë pamjes se jashtme por falë qëndrimit të saj, këmbënguljes, personalitetit të mirëformuar dhe ngritjes intelektuale.

Sot e kësaj dite ekzistojnë kuota për përfshirje të grave në vendimarrje. Kodi zgjedhor aktual i Maqedonisë së Veriut, parashikon që të paktën 40% e deputetëve në Kuvend të jenë gra, e Kuvendi aktualisht numëron 51 deputete gra, ose 42.5%. Kjo normë vlen edhe për përbërjen e këshillave komunal. Nëse kthehemi në kohë dhe krahasojmë kohën kur Kleopatra ka udhëhequr, mund të imagjinojmë vështirësitë që mund të ketë pasur. Gjithsesi, Kleopatra ishte një stratege mendjehollë dhe negociatore e lindur. Ajo ishte një shpirt i lirë dhe shumë ambicioze. Por, pavarësisht karakterit të saj të fortë, iu desh të përballet me sfida të ndryshme. Ajo i shihte këto sfida si eksperiencë për përsosshmërinë e saj. Gjatë qëndrimit në Romë, vështirësitë ishin të mëdha. Për një grua si ajo, me një mendësi shumë ndryshe, i duhej të përballej çdo ditë me realitetin e dhimbshëm. Ishte një epoke e errët për çdo grua në Romë, të cilat nuk kishin autoritet dhe nuk kishin të drejtë politike apo ligjore. Që të mbijetonin, duhet të ishin të padukshme. Nëse Kleopatra arriti të bëj ndryshime, kjo ngelet të mësohet nga ju kur të lexoni librin “Kleopatra, një jetë.”

Ndikimi i letërsisë qe shumë i madh në jetën e mbretëreshës. Dy kryeveprat e Homerit ishin tekste të cilat ndikuan jashtëzakonisht shumë në formimin e saj. Autorja e librit “Kleopatra, një jetë” thotë: “asnjë tekst tjetër nuk depërtoi më thellë në botën e Kleopatrës” se sa Iliada dhe Odiseja. Personazhi i gruas te Homeri nuk gëzonte asnjë të drejtë, sepse i tillë ishte dhe realiteti. Ajo nuk shihej si frymor por si plaçkë lufte, si një objekt në dorë të një burri. Mos ndoshta këta episode që na jep Homeri, nga jeta e grave, e frymëzuan Kleopatrën duke e shtyrë të bëhet e pamposhtur. Ndoshta ajo ndjente keqardhje për jetën e tyre dhe kishte vendosur që historia të mos përsëritej më, andaj punoi për veten dhe për të tjerat. Por, se si ishte qëndrimi i vërtetë i Kleopatrës, çfarë mendimi kishte dhe në çfarë mënyre ndikoi Homeri tek ajo, ngelet për t’u mësuar.

Në moshën njëzetvjeçare ajo komandonte ushtrinë. Arriti të qeveriste dy mbretëri. Ishte filozofe, mjeke, shkencëtare dhe dijetare. Mbante fjalime të zjarrta. E aftë për t’u përshtatur me të gjithë. Aftësitë e saj ishin të mëdha dhe njohuritë e saj ishin të gjithanshme. Se si e shihnin Kleopatrën, mund të përkufizohet me një fjali: “Kleopatra ishte në shumë aspekte e ngjajshme me vendin e saj: turp ta humbisje, rrezik ta pushtoje, dhembje koke ta qeverisje.”

KY SHKRIM ËSHTË SHKRUAR EKSKLUZIVISHT PËR MOLLEKUQJA.MK. TË DREJTAT E PUBLIKIMIT I KANË VETËM MOLLEKUQJA.MK DHE AUTORI, SIPAS MARRËVESHJES MES TYRE.    

Besarta Ramadani

Besarta Ramadani

Besarta Ramadani është Magjistre e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Gjatë studimeve ka qenë pjesëmarrëse në konferenca të ndryshme me disa studime letrare. Ka të botuara poezi në një përmbledhje poetike. Ajo është bashkëautore e disa punimeve të botuara në revista shkencore. Për dy vite ka punuar si lektore. Aktualisht punon për një qëllim të vetëm, që libri të jetë pjesë e pandashme për njerëzit rreth saj dhe jo vetëm.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia