internasional-day-for-the-elimination-of-racial-discrimination-(poster-(landscape))-(1440--550-px)-1676575668.png

Taksisti i cili ka dhunuar dy studente është larguar nga shteti, para MPB-së qytetarët kërkuan përgjegjësi nga institucionet

PASOJA

February 17th, 2023

Më datë 17 shkurt, para Ministrisë së Punëve të Brendshme u protestua për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet kompetente për mos dënimin e dhunuesit të studenteve të cilat u sulmuan seksualisht nga një taksist mbrëmjen e 27 janarit. Ndonëse janë publikuar fotografi të veturës dhe ekziston evidencë për gjetjen e të njëjtit, dhunuesi është larguar nga shteti pa u dënuar për sulmin seksual dhe dhunën e ushtruar. Protesta do të zhvillohet në ora 15:00.

Dhunuesi mbrëmjen e 27 janarit ka qenë duke "luajtur" ilegalisht rolin e taksistit, duke vendosur madje në veturën që po drejtonte shenjën e një kompanie taksish, për ta bërë më të besueshëm për klientët automjetin e tij. Ai përveç që ka nxjerrë organin e tij gjenital përpara vajzave dhe i ka ndjekur të njëjtat edhe kur kanë arritur të dalin nga vetura, ka djegur me cigare njërën prej tyre. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetura që dhunuesi ka drejtuar është në pronësi të prindit të tij.

“U konstatua se në datën e përcaktuar mjeti drejtohej nga djali i pronarit të veturës, i cili aktualisht ndodhet jashtë shtetit. Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të çështjes, ndaj tij do të ndërmerren masat e duhura”, është përgjigja e shërbimit për shtyp të MPB-së në pyetjen e IRL-së se çfarë kallëzim do të bëhet ndaj dhunuesit që ishte në rolin e një shoferi taksie mbrëmjen e 27 janarit.

Organizatat për të drejtat e grave protestuan për rastin në fjalë.

"Si qytetarë të shqetësuar, feministe, vajza dhe gra, ju ftojmë në një tubim proteste këtë të premte, më 17 shkurt, nga ora 15:00, para Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kërkojmë përgjegjësi nga institucionet kompetente, sepse nuk ndihemi të sigurtë në qytetet tona: as në rrugë, as në klasa, as në spitale, as në shtëpi. Ju ftojmë të shprehim revoltën tonë ndaj institucioneve që duhet të na mbrojnë nga dhuna, por mesa duket nuk e bëjnë këtë. Oficerët e policisë janë dëshmuar edhe një herë të paaftë dhe joadekuat kur bëhet fjalë për viktimat e dhunës me bazë gjinore. Rasti i fundit i raportimit të një sulmi seksual, i cili u bë i njohur në media si "taksisti i egër që iku nga policia", vuri në dukje për të disatën herë të njëjtën mungesë të mbështetjes institucionale për viktimat që denoncojnë dhunën me bazë gjinore. Ky është një nga shumë rastet në të cilat kemi parë se si shteti po dështon sistematikisht dhe socialisht kur bëhet fjalë për sigurinë dhe mirëqenien e vajzave dhe grave në vend", thuhet në njoftimin e organizatorëve të protestës.

Ata kërkojnë sanksione për policët joprofesionistë që ekspozojnë viktimat ndaj ngacmimeve shtesë, por edhe për policët e trajnuar që duhet të bëjnë punën për të cilën paguhen.

“Kërkojmë që çdo paraqitje të trajtohet me profesionalizëm maksimal, por edhe të pritet me empati, solidaritet dhe mbështetje. Ne duam të jemi të sigurt në qytetet, rrugët dhe shtëpitë tona”, theksojnë organizatorët.

Rita Behadini

Rita Behadini

Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia