November 29th, 2023
Në Maqedoninë e Veriut ende nuk janë tejkaluar stereotipet gjinore sa i përket pushimit të lindjes për prindërit. Në pjesën më të madhe të rasteve, nëna është e vetmja që shfrytëzon pushim për t’u kujdesur për fëmijët. Madje, me ligjin aktual për marrëdhënie pune në pjesën e pushimit të lindjes, ende diskriminohen baballarët.
Asociacioni i Juristëve të Rinj të Maqedonisë (AJRM), duke elaboruar ligjin aktual, thanë se momentalisht, atë që e ofron ligji për marrëdhënie pune në raport me pushimin e lindjes është që nëna e shfrytëzon pushimin, ndërsa nëse nëna vendosë të kthehet para kohe në punë, atëherë babai ka të drejtë t’i shfrytëzojë ditët e pushimit të lindjes të cilat mbetet të pashfrytëzuara.
“Në këtë mënyrë, me me vendosjen e mundësisë së babait për shfrytëzimin e pushimit si përjashtim dhe si rregull, ligjvënësi mbështet stereotipin e vendosur gjinor se, vetëm nënat janë përgjegësie për kujdesin për foshnjat. Nëse përjashtohet kjo mundësi e ndarjes së pushimit të lindjes, babai ka të drejtë në një apo disa ditë pushimi të paguara (i cili nuk llogaritet në pushimin vjetor) për lindjen e një fëmije, në varësi prej asaj që përcaktohet me marrëveshjen kolektive. Për shembull, sipas marrëveshjes kolekteve e cila vlen për sektorin publik, babai ka të drejtë 3 ditë pushim për lindjen e fëmijë, ndërsa me marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin privat ka të drejtë vetëm 2 ditë”, thanë nga ky asociacion.
“Një kontekst i këtillë, gjithsesi ka pasoja në shfrytëzimin e të drejtave që u takojnë baballarëve. Situatat kur baballarët e shfrytëzojnë pushimin e mbetur janë shumë të rralla, edhe pse kanë bazë ligjore për atë. Më tej, shumë rrallë hasim në situata kur baballarët shfrytëzojnë pushim mjekësor për kujdes ndaj fëmijëve të sëmurë. Ishim dëshmitar edhe se në kohën e masave për covid-19, kur lejohej që njëri prind të jetë në shtëpi me fëmijë deri në 10 vjeç, në masë më të madhe ishin nënat”, theksojnë nga AJRM.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale veç më ka paralajmëruar ndryshimet të ligjit, në pjesën e kohëzgjatjes dhe mënyrës së lejes për lindje në ligjin për marrëdhënie pune. Ndryshimet e paralajmëruara, sipas ministrisë, janë në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe deri në fund të vitit do të hyjnë në procedurë qeveritare. Ndryshimet ligjore kanë për qëllim të transformojë pushimin e deri tanishëm që i takonte nënës (ndërsa babait vetëm nëse nëna nuk e shfrytëzon) dhe në të përfshihet leja për nënën, babain dhe dhe për prindërim.
“Leja për nënën është në kohëzgjatje të përgjithshme prej pesë muajsh pa ndërprerë, për lindjen e një fëmije dhe shtatë muaj pa ndërprerë, nëse lindin më shumë fëmijë njëkohësisht (binjakë, trinjakë dhe më shumë). Leja për babain, ka të bëjë vetëm për babain dhe është në kohëzgjatje prej 10 ditë pune për lindjen e një fëmijë apo 15 ditë pune për lindjen e më shumë fëmijëve njëkohësisht dhe punëtori mund ta shfrytëzojë nga lindja e fëmijës. Leja e prindërimit është në kohëzgjatje prej 4 muajsh individualisht për një fëmijë, përkatësisht 6 muaj individualisht, nëse lindin më shumë fëmijë njëkohësisht dhe nuk mund të transferohet mes tyre. Prindërit mund ta shfrytëzojnë njëkohësisht, njëri pas tjetrit, në bazë të marrëveshjes së ndërsjellë. Çdo prind, mund ta shfrytëzojë të drejtën e lejes prindërore njëkohësisht apo në dy pjesë, me çka, njëra pjesë nuk duhet të jetë më pak se një muaj, ndërsa mund të shfrytëzohet më së voni deri në moshën dy vjeçare të fëmijës”, thonë nga ministria.
Por, edhe përkundër faktit se ky është një hap drejt heqjes së diskriminit ligjor ndaj baballarëve, Asociacioni i Juristëve të Rinj të Maqedonisë, nuk është shumë optimist se me këtë do të hiqen edhe stereotipet.
“Propozim ligji për këto pika tenton të tejkalojë stereotipin se fëmija është obligim i nënës, dhe në këtë mënyrë siguron lloje të ndryshme të pushimit: mungesa nga puna e nënës i cili fillon menjëherë pas lindjes dhe zgjat 20 javë (28 javë për binjakë apo më shumë fëmijë), mungesë nga puna e babait e cila fillon menjëherë pas lindjes së fëmijës dhe zgjatë 15 ditë apo 20 ditë për binjakë apo më shumë fëmijë dhe pushim lindje i cili zgjatë 4 muaj për çdo prind, ndërsa shfrytëzimin e të cilit e rregullojnë prindërit mes vete. Megjithatë, duhet të theksojnë se ndryshimet e tilla ligjore do të kërkojnë ndryshim të perceptimeve në shoqëri që të mund të implementohen tërësisht. Përkrah qëndrimeve të ndryshuar të prindërve, është e domosdoshme të punohet edhe me punëdhënësit të cilët duhet t’i pranojnë ndryshimet dhe të lejojnë shfrytëzim të pandërprerë të të drejtave nga ana e baballarëve”, vlerësojnë nga AJRM.
Sa i përket pjesës financiare, edhe me ndryshimet e reja parashihet që të dy prindërit të marrin kompensim 100% nga paga e tyre. Megjithatë, siç thonë nga AJRM, një mbrojte e këtillë dëshmohet si e pamjaftueshme, sepse shumë shpesh në praktikë shfrytëzohet mekanizmi i punësimit në kohë të caktuar, ku marrëdhënia e punës e punëtorit ndërpritet me skadimin e kohës për të cilën është lidhur ajo marrëveshje, pavarësisht asaj nëse bëhet fjalë për punëtore shtatzëne ose jo. Janë të shpeshta situatat në të cilat marrëveshjet nuk vazhdohen pasi punëtoret janë shtatzëne, ndërsa disa raste të tilla janë mbulluar gjërësisht edhe nga mediat. Kjo është njëra ndër pikat për të cilat presim me padurim të përforcohet dhe të rregullohet me ligjin e ri për marrëdhënie pune.
Ndërkohë, shtetet e Bashkimit Evropian kanë marrë masa të ndryshme për t’i nxitur baballarët që ta shfrytëzojnë lejen prindore. Njëra ndër qasjet e ofruara është ajo në formë shpërblimi. Ndër shumë vende që ofrojnë një shpërblim të tillë është Gjermania, e cila e zgjat pushimin me pagesë për dy muaj nëse baballarët marrin të paktën dy muaj leje prindore, ndërsa në Suedi të dy prindërve u jepen 480 ditë pushim për fëmijën, dhe nga 420 prej këtyre ditëve paguhen me një normë prej 80 për qind të pagës së tyre.
Hulumtimi i vitit 2017 “State of the World’s Fathers – Time for Action”, thekson rëndësinë ndarjes së punëve të shtëpisë dhe të kujdesit për fëmijë, çka kontribuon që burrat të pranojnë konceptin e barazisë gjinore, ndërsa gratë, ndjenjën e autonomisë dhe të fuqizimit, duke krijuar një cikël pozitiv të kujdesit dhe të barazisë.
Teuta Buçi është gazetare e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Aktualisht punon si gazetare në televizionin Klan Macedonia. Teuta ka punuar paraprakisht edhe në disa media të tjera. Ajo ka marrë pjesë në trajnime dhe projekte të ndryshme gazetarie. Temat në të cilat Teuta raporton janë kryesisht të karakterit politik.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia