pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-05-21t132325.815.png

"S'ka gra të pafuqishme, ka vetëm toka të pa zbuluara", bisedë me Sabire Abdullahin

DORA VETË

May 21st, 2024

Sabire Abdullahi është një nënë dhe grua me orar të plotë e mes tjerash gjen kohë për lexim si dhe për të gërshetuar vargje të bukura. Kontakti i parë me të ishte pasi më shkroi mbi një libër të Dostojevskit, unë përmenda ca libra, ajo pohoi që i kishte lexuar. Dhe kështu bisedat për librat u bënë të zakonshme edhe për poezitë që i shkruante dhe m’i përcillte për lexim.

Sabirja akoma nuk ka botuar një libër, po pret ditën që të mbushet me kurajë e të pranoj të shkruhet emri i saj sipër vargjesh shumë të bukura. Ajo është nga fshati Siniçan, ka mbaruar tetë vjeçaren dhe shkollën e mesme, pa shkollë të lartë, por me një bibliotekë në shtëpi ku shuan etje për dije dhe ku mëson çdo ditë si përballen sfidat në jetë. Do ta shihni se lartësia dhe thellësia e dikujt nuk matet me diplomat në mur, apo me klasët që ka mbaruar dikush, por matet me përvojën e jetës dhe guximin për të qenë ndryshe.

Sabirja çdo ditë provon diçka të re, ashtu si edhe kjo intervistë është zëri i saj i parë publik.

A dëshiron të bëhesh një shtytje për shumë gra të pafuqishme me një interviste?

- S’ka gra të pafuqishme, ka vetëm toka të pa zbuluara. Të tregoj që në fillim keqardhjen e kam armik shpirtëror. Nuk e dua, kjo bashkëbisedë nuk dëshiroj të ngjall keqardhje.

E heqim qafe! Nuk na duhet keqardhja. Më pëlqen lidhja jote me librat, në fillim mendova se ti ishe një profesoreshë e gjuhës shqipe...i njihje shumicën e librave që t’i përmendja..

- Kaosi im i brendshëm kërkonte një rregull urgjent, një lokalizim të zjarreve Dostojevskiane, pa anshmëritë e mia e kishin lodhur zërin e shpirtit tim, bota ime kërkonte një shpëtim. Ke parasysh atë degën e lisit që e shkëput vetëtima rreth lumit, ku ti lundron pa busull, në hak me veten dhe ke dy zgjidhje ose të mbytesh ose të shpëtosh, unë zgjodha të kapem për degën dhe ajo degë ishte bota e librave.

Kush thotë që ti je amvise....sa fjalë "bajate" termi amvise.

- Termat, titujt janë shpikje të krijuara si kod vlerësimi/ zhvlerësimi për natyrshmërinë e ndryshme njerëzore, keqardhja është nëna e të gjitha padrejtësive. Njeriut nuk i duhet keqardhja, njeriut i duhet hapësira e veprimit dhe vetëdijesimi për këto hapësira. Ti kthehem " amvisërisë" pak ma thjeshtë;

Gruaja është Tokë, varësisht stinëve, përpunimit, zbulimit dhe formës së ujitjes ashtu do e kemi edhe begatinë që dhuron ajo, pra gruaja është një qenie që kërkon aftësi, pa aftësia për ta mirëkuptuar gruan fsheh frikën nga metamorfoza për ta kryer obligimin e saj ndaj njerëzimit.

Nuk duhet tepruar me vetëbesimin, sepse gruaja kalon në anën tjetër të medaljes dhe ngurtësohet, nuk na duhen gra të ngurta, gratë e ngurta avullohen kur harrojnë se sa të bukura janë ashtu si janë, delikate, të brishta por me një forcë të jashtëzakonshme dhe të domosdoshme për ta mbajtur njerëzimin në frekuencat e duhura të shpirtërores. Gruaja e ngurtë hijezon veten nëse nuk dallon trendet e turmës nga natyra e saj.

Je një grua luftarake:

Tani mu kujtuan vargjet e tua: Ndoshta isha Eva që hëngri mollën/ Ndoshta Teuta, që luftoi me romakët/E ndoshta një Helenë e sajuar,/ Udhëtimi i shpirtit në univers sjell pluhurat e luftërave të ndryshme në çdo shpirt poetik./ A nuk jemi grimca rëre, të shkelura nga thundra të ndryshme në beteja të ndryshme.

-Kur të kërkova mendim për vargjet e mia, ti u hodhe si grua me atë instinktin mëmësor ku tërhoqe ‘’fëmijën’’ e një gruaje tjetër të panjohur drejt kraharorit tënd për ta shpëtuar, këtë e vlerësoj tek një grua dhe ti e plotësove atë krenarinë time femërore, që e kërkoja me ngulm, por rrallë gjendet, dhe kjo na dobëson si gra.

Ne gratë e kemi pakëz më vështirë për t'ia dalë, çka llogaritë ti si pengesë...

-Vështirësitë i sjell politika - ndërveprimet politike ku ajo mban çdo vegël propaganduese të lidhur ngushtë me armikun e Zotit, pra me fenë, që e përdorin si mashë për ta fuqizuar fanatizmin dhe injorancën funksionale, dhe si të tillë bëhemi më lehtë të dirigjueshëm kudo, në çdo fushë, në çdo aspekt, në çdo lagje, në çdo oxhak. Zoti nuk e do frikën, Zoti e do lirinë e përgjegjshme dhe kjo e fundit nuk vjen nëse gruaja burgoset në muret e frikës. Për ata që thonë se vajzat nuk duhet të shkruajnë: ata kanë frikë nga gruaja, nga gruaja që mendon dhe një grua që mendon është poetike, poezia dhe politika nuk bashkohem, nuk bashkëjetojnë, përjashtojnë njëra- tjetrën, sepse poezia jep liri, politika e burgos atë.

Mbështetja për muri jo, por mbështetja nga njerëzit për të qëndruat në këmbë, na duhet...

-Muret janë obligim vetjak, muret e tua duhet t’i rrëzosh vetë ose në pamundësi, fasadoi, lyeji, zhgërryeji dhe krijo universin tënd atje ku je me ato mundësi që ke. Familja duhet ta kuptoj se e ka obligim të respektoj pjesëtaret e saj, sigurisht që ka rregulla bazë, por ato të bazohen në liri dhe ta shtysh fëmijën të dashuroj lirinë e tij.

Mbështetje nuk ka, ka gjetje, gjeje veten dhe respektoje sepse këtë ta kërkon Krijuesi, obligim për respektin reciprok ndaj vetes në marrëdhënie me lirinë.

Sigurisht që rrethi ka ndikimin e vet, nuk mund të them se nuk kam dëgjuar fjalë që bënin atë hendekun gjinor të më ndrydh, por kjo nuk më ndaloi të përvetësoj pyetësorin universal brenda vetes sime.

Çka e quan fat në jetën tënde?

- Fati, fati ose të helmon ose të mrekullon. Jeta ime është një mrekulli, edhe pse shpesh jam ankuar. Të të rrëfej diçka; Nuk isha kaq e zgjuar dhe mirënjohës para zbulimit të kancerit të gjirit, të cilën sfidë e kalova me sukses sepse më ndihmoi kaosi që më kishte humbur mua mes tërmeteve të shpirtit dhe të vërtetave të gënjeshtrës sime të madhe për një botëkuptim absurd mbi jetën. Jeta nuk të pret dhe as të fal, jeto, krijo, qeshu, qaj por mos ndalo, hapin bëje pak më të rëndë që të ngelet diku një shenjë e jotja.

-Baballarët janë heronjtë e vajzave...pas çdo vajze luftarake fshihet një baba që e ka trimëruar atë.

- Po. Trimëria, drejtësia e babait tim më mësuan t’i përballoj betejat, ku unë së pari nxirrja veten në front pastaj peshoja humbjet dhe fitoret e mia.

Kush mendon se është më i rëndësishëm në edukim dhe pavarësim? Si je bërë ti kështu si je?

- Ne njohim një standard, përkushtimin e familjes, por kjo ka afat të caktuar, pjesa e mbetur i takon vetë  njeriut të sheshojë mes kushteve dhe mundësive, të gjitha në të mirën e paqes dhe dashurisë për fëmijën dhe shoqërinë që na rrethon, por nëse ndan mbështetjen nga dogmat e mentalitetit atëherë ndryshon rregullat idiote të një doktrine antikombëtare, e ku ka atdhedashuri më të madhe sesa ta fuqizosh vajzën tënde. Duhet ta bërtasim se nuk na duhen gra të burrëruara, por na duhen gra të lira që do lindin burra që do respektojnë lirinë e tjetrit.

Kështu si jam, jam bëre duke qëndruar me veten.

Nuk kam një të vërtetë të dytë as gënjeshtër rezervë....(qesh).

Nëse do kishe një megafon, ç'do u thoshe krejt vajzave të botës?

- Për vajzat: Kujdes me çfarë dhe me kë bëjnë kompromis, pesho para se të luftosh, merito para se të fitosh. Jo çdo luftë ia vlen dhe jo çdo fitore të sjell atë që të duhet. Kompromisi shpesh ka zhduk, talente, profesione, familje edhe jetë.

Ajo përfundoi intervistën duke thënë se “Jo çdo liri merr kuptimin e duhur nëse nuk e njeh thelbin e saj dhe qëllimin tënd, mirëkuptojë veten më shpesh, sepse mirëkuptimi nga të tjerët vjen me një afat të caktuar.” Ndërsa shtoi se atë e motivon përditë “Sabirja e vargjeve, ai zëri që shkrihet në shtratin e letrave.”

Xhemazije Rizvani

Xhemazije Rizvani

Xhemazije Rizvani është magjistre e letërsisë. Një kohë të gjatë ka punuar në arsim me nxënës dhe studentë ndërsa momentalisht është e angazhuar në sferën e medias në TV Alsat dhe Portalb.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia