December 9th, 2021
Për dhjetë vite rresht Drita Islami është shpallur atletja më e mirë e vitit në Maqedoninë e Veriut. Ajo thotë se disiplina e saj kryesore është 400 metra me pengesa andaj është stërvitur mirë edhe për pengesat jashtë gare.
Drita i ka sjellë Maqedonisë së Veriut shumë çmime gjatë vitit 2021, dhe e ka në plan t’i sjellë shumë të tjera vitin e ardhshëm.
“Jam tejet e lumtur me rezultatet e arritura gjat karrierës time në atletikë, e sidomos këtë vit ku arrita të shpallem përsëri atletja më e mirë në Maqedoni për vitin 2021, falë rezultateve të arritura gjatë sezonit: Rekord shtetëror, Normë europiane dhe vendi i parë në Kupën e Europës në Qipro. Viti i ardhshëm do të jetë edhe më sfidues për mua sepse do të ketë gara edhe më të mëdha. Më pret Kampionati Botëror në SHBA, Kampionati Europian në Gjermani, Lojërat Mediterane në Alzhir dhe shumë gara të tjera ndërkombëtare.”
Ajo thotë se nuk ka menduar asnjëherë se do të jetë kaq gjatë në sportin e atletikës edhe pse e ka pasur si qëllim si e vogël, por asnjëherë nuk ka ëndërruar këto suksese që i ka arritur. Drita thotë se nuk e ka menduar asnjëherë se do të arrijë të fitojë respektin që ka sot: të jetë shembull si vajzë sportise shqiptare - sepse janë të rralla dhe në të kaluarën s’ka pasur fare.
“Më gëzon fakti që vajzat e reja më shohin si rol model, sepse të paktën kanë një shembull që mund të ndjekin. Unë në fillimet e mia për fat të keq nuk kam pasur këtë mundësi sepse kam qenë ndër të parat që kam filluar të merrem me sport para 13 vitesh. Normalisht nuk ka qenë fare e lehtë të thehen shumë tabu në vendin tonë, duke pasur parasysh që vija nga Komuna e Sarajit, një vend shumë paragjykues. Por, asnjëherë nuk kam lejuar që këto gjëra të më pengojnë të arrij qëllimet e mia”
Ajo thotë se disiplina e saj kryesore është 400 metra me pengesa andaj është stërvitur mirë edhe për pengesat jashtë gare.
“Kuptohet që kam pasur pengesa gjatë rrugës por për fat të mirë disiplina ime kryesore është 400 metra me pengesa dhe jam stërvitur mirë edhe për pengesat e tjera që paraqiten jashtë gare. Deri tani i kam kaluar të gjitha me sukses dhe kam vazhduar para drejt synimeve të mia. Në të kaluarën jam mërzitur pak nga komentet negative dhe reagimet e ngutura të njerëzve, miërpo tani janë shumë të rralla këto komente sepse mendoj se njerëzit e kanë pare që e kam ndërtuar karrierën time me suksese dhe jo me skandale”
Përveç sukseseve në sport Drita këtë vit edhe ka kurorëzuar dashurinë e saj me martesë. E pyetur nëse ka pasur presione për të zgjedhur martesën apo karrierën, ajo thekson se si të gjitha vajzat e tjera edhe atë e kanë “këshilluar” të krijojë familje sa më shpejtë.
“Normalisht se edhe mua më kanë “këshilluar” të martohem dhe të krijoj familje e t’i lë këto “budallallëqe” sepse nuk jam më fëmijë. Shpesh më thuhej “25 vjet i ke mbushur”, por unë asnjëherë nuk i kam dëgjuar, madje më ka ardhur keq se përse njerëzit mendojnë se po bëj diçka të keqe dhe të marrin të drejtën të vendosin për jetën time. Falë Zotit gjithmonë kam pasur mbështetjen e familjes time të ngushtë dhe asnjëherë nuk më kanë bërë presion. Do doja vajzave të ju thoja që të mos lejojnë dikush tjetër të vendos për ta, të jenë të zonjat e vetes dhe të marrin vendimet për jetën e tyre, të besojnë në vetvete dhe të punojnë fort për të realizuar ëndrrat e tyre.
Drita thotë se në fillim prekej dhe mërzitej kur merrte komente negative, por tani jo më. Ajo thekson se nuk e mërzit më veten dhe se askush s’ka të drejtë të vjell vrer mbi të. Për fat të keq jetojmë në një shoqëri shumë paragjykuese dhe komente të tilla do të kemi gjithmonë, thotë ajo, por tani i marr me sportivitet dhe i kaloj shumë lehtë.
Drita ka qenë kandidate për këshillin e Qytetit të Shkupit në zgjedhjet lokale të tetorit nga ana e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë. Ajo thekson se tani ka mundësi të ndihmojë të tjerë sportistë dhe është e vendosur t’u dale krah.
“Nuk jam futur në politikë, por jam në pozicion ku mund t’i shërbej sportit dhe sportistëve në Maqedoni, pasi që edhe unë vetë është dashur të kaloj shumë sakrifica dhe nuk kam pasur kushte të mjaftueshme. Dua që të kontribuoj në këtë pjesë dhe t’ua lehtësoj sportistëve në të ardhmen, të jem zëri i rinisë dhe i sportistëve, e sidomos atyre shqiptarë”
Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.
TË NDRYSHME
Albesa Demjaha në mesin e 50 grave kryesuese në teknologji në Norvegji: Më no...
Fisnik Xhelili
25/03/2024
Gratë prodhuan automjetin e parë ushtarak shqiptar, e pagëzuan me emrin SHOTA
Ardit Ramadani
11/06/2024
Hapi bibliotekën shqipe në Manastir, Selimi për Mollëkuqja: Më thanë je vajzë...
Era Gjakova
05/12/2023
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia