untitled-design-(4)-1708169807.png

Sportet ekstreme dhe gratë, intervistë me Drita Abdiun: Dua më shumë gra të merren me paragliding

DORA VETË

February 23rd, 2024

Drita Abdiu është shqiptarja e vetme në Maqedoninë e Veriut që merret me një sport jo të zakontë siç është paragliding. Tashmë nuk ka dyshim që qielli është terreni sportiv i saj. Për "Mollëkuqja", Drita rrëfen për rrugën të cilën është dashur ta kalojë që sot të jetë profesioniste në këtë sport.

Vetëm 13 vjeçe ishte kur filloi ta ndjekë ëndrra për paragliding, tre vitë më vonë fluturoi për herë të parë. Sot ajo synon që të nxisë sa më shumë gra dhe vajza shqiptare që të merren me këtë sport.  

“Kur i rrëfeva instruktorit tim se dua të mësoj paragliding, ai më tha që do jem e para shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Më erdhi çudi se si një sport kaq i veçantë të mos ketë as edhe një vajzë apo grua që e praktikon, dhe kjo gjë më motivoi edhe më shumë që ndoshta edhe pse jam e para mos të jem e vetmja. Fatkeqësisht ende jam e vetmja, po kam shpresë që nuk do jem e vetmja edhe për shumë gjatë”, tha Drita.

Fillimet për të nuk kanë qenë të lehta, sfidë në vete ka qenë se si t’i bind prindërit që përkundër rrezikut, ajo duhej të merret me këtë sport.

“Me kalimin e kohës, pas një analize të thellë që ia bëmë sportit të paraglidingut bashkë me prindërit e mi, ata e panë që unë mundem, dhe se nuk është aq rrezik sa duket. Dhe ja ku jam sot, falë përkrahjes së familjes sime si dhe shoqërisë”, tha Drita.

"S’je mirë nga trutë, ky është sport i rrezikshëm"

Shpesh herë Dritës i është dashur të përballet me komente demotivuese në lidhje me këtë sport, kjo pasi çdo gjë që nuk është e pazakontë apo jo e shpeshtë, vështirë pranohet nga masa.

“Mos u merr me këtë sport se është i rrezikshëm”, “ju nuk jeni mirë nga trutë”, ishin disa prej komenteve.

Por nuk kanë munguar edhe komentet e mira dhe motivuese.

“Para disa vitesh, kur po ateroja në një fushë në rrethinën e Gostivarit, ishin mbledhur shumë fëmijë dhe po na shikonin, sapo zbrita unë, fëmijët erdhën me vrap. Kur hoqa helmetën ata të çuditur thanë: “Aa qenka vajzë”, “po vajzë jam”- thash unë, “ Edhe je shqiptare?”. Pas një bisede të këndshme me ta, i pyeta se a do të donin të fluturonin kur të rriten, dhe ç’më gëzoi më shumë është fakti se të gjitha vajzat e entuziazmuara thanë “Po!”. Shpresoj që një ditë, kur të rriten dhe do të duhet të marrin vendime të rëndësishme në jetën e tyre, t’ju kujtohet biseda jonë dhe të mos heqin kurrë dorë nga ëndrrat e tyre”, rrëfeu Drita.

Edhe pse Maqedonia e Veriut ka kushte ideale për paragliding, falë maleve të larta, fushave të mëdha dhe falë klimës së butë e cila e bën të mundur që të fluturohet gjatë gjithë vitit, Drita thekson se “investimet nga ana e organeve shtetërore janë të pakta”.

Për fund, Drita porositi që të gjithë të rinjtë të ndjekin ëndrrat e tyre me vendosmëri dhe guxim dhe mos lejojnë që stereotipet shoqërore t’i tërheqin prapa.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia