pink-minimalist-gynecologist-logo-(5).png

Shkurtimi i fondeve për HIV-in në Maqedoni mbart rrezikun nga rritja e numrit të të sëmurëve

N'THELB

December 3rd, 2024

Disa javë para shënimit të 1 dhjetorit, Ditës Botërore të Luftës kundër SIDA-s, organizatat joqeveritare në Maqedoni që punojnë për zbulimin dhe parandalimin e HIV-it kanë paralajmëruar se për të katërtin vit radhazi Ministria e Shëndetësisë po e shkurton buxhetin, gjë që do të ndikojë në sigurimin e shumë mjeteve për parandalim.

Ata thonë se sipas informacioneve të tyre në buxhetin për vitin 2025, i cili është në procedurë parlamentare, do të ndahen vetëm 90 milionë denarë, pak më shumë se 1,46 milionë euro, të dedikuara për parandalimin dhe mjekimin e HIV-it, që është mekanizëm kyç për çrrënjosjen e sëmundjes.

Kjo shumë është dhjetë milionë denarë më pak se shuma e ndarë këtë vit.

“Në kuvend, përmes amendamenteve, nuk presim që të ndryshojë diçka në aspektin e fondeve. Më tepër shpresojmë që kur buxheti të kthehet në Qeveri, se do mund të korrigjohet atje”, thotë Andrej Senih, drejtor i shoqatës për mbështetjen e personave me HIV, “Së bashku më të fortë”.

Nëse paratë shkurtohen sërish, do të mbyllen shumë shërbime që për momentin janë në dispozicion në të gjithë vendin.

“Ajo që e kemi arritur si vend në vënien nën kontroll të kësaj epidemie do të humbet. Do të humben më shumë se 25 milionë dollarë amerikanë që janë investuar në dekadat e fundit dhe do të përballemi me një epidemi të re”, thotë Senih.

Në këtë mënyrë, shton ai, nuk mund të bëhet fjalë për përmbushjen e qëllimit global për t’i dhënë fund HIV-it si një problem kryesor i shëndetit publik deri në vitin 2030.

Ministria e Shëndetësisë deri më tani nuk ka qenë e prerë në lidhje me planet buxhetore, duke këmbëngulur se trajtimi i pacientëve me HIV nuk është në rrezik. Nga atje nuk thanë asgjë për mekanizmat për parandalim ​​që kanë funksionuar deri më tani për të ndihmuar në çrrënjosjen e HIV-it dhe AIDS-it.

Apelet për para po injorohen

Nga viti 2004 Maqedonia ka marrë tre grante nga Fondi Global për luftë kundër SIDA-s, tuberkulozit dhe malaries, e sidomos për luftën kundër HIV-SIDA-s.

Deri në vitin 2017 nga këto fonde shteti ka marrë rreth 30 milionë euro për parandalim dhe mjekim.

Paratë, rreth 800.000 euro në vit, ndër të tjera u përdorën për blerjen e shiringave dhe gjilpërave të pastra, për shpërndarjen e prezervativëve për punonjësit e seksit dhe grupet e rrezikuara, për të ofruar edukim dhe për të shtypur materiale për parandalim.

Por, në vitin 2017 Fondi Global e përfundoi financimin, duke konsideruar se Maqedonia si një vend me zhvillim mesatar është në gjendje të sigurojë para vetë.

Barna për parandalim në dispozicion në Maqedoni dhe Kosovë

Krahas ofrimit të terapisë falas për HIV-AIDS, Maqedonia nga viti 2021 dhe Kosova nga mesi i vitit 2024 ofrojnë falas një bar të ri preventiv të quajtur “profilaksi para ekspozimit”, PrEP, për njerëzit që bëjnë pjesë në kategoritë e rrezikuara.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se PrEP “e zvogëlon rrezikun e infektimit me HIV përmes seksit në rreth 99 përqind të rasteve kur merret rregullisht dhe sipas rekomandimeve”.

Nga ajo kohë organizatat lokale që merren me HIV-in u kanë bërë thirrje qeverive që t’i sigurojnë fondet e humbura. Në të shumtën e rasteve këto lutje janë injoruar.

“Është për t’u habitur që buxheti i shtetit për programin për HIV-in në vitin 2018 ishte 95 milionë denarë kur janë trajtuar rreth 200 pacientë me HIV, ndërsa parashikohet të jetë më i ulët në vitin 2025 kur presim që numri i pacientëve të jetë mbi 500”, thuhet në letrën e përbashkët të nënshkruar nga 13 shoqata që merren me parandalimin e HIV-it, si dhe nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë.

Këto shoqata, të cilat janë pjesë e Platformës për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Parandalimin dhe Mbështetjen e HIV-it, kah mesi i muajit nëntor i kanë dërguar një letër ministrit të shëndetësisë, Arben Taravari, ministres së financave, Gordana Dimitrieska-Koçovska dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.

Në të thuhet se për funksionimin e duhur të shërbimeve vitin e ardhshëm nevojiten minimum 131 milionë denarë (rreth 2,1 milionë euro), e pa këto nuk do të ketë mjaftueshëm as për barna.

Ata vlerësojnë se vetëm për mjekim do të nevojiten 110 milionë denarë (1,79 milionë euro), edhe nëse supozohet se 80 përqind e njerëzve do ta përdorin terapinë më të lirë në dispozicion.

Zbulimi i hershëm e virusit është i një rëndësie qenësore

Plani për luftë kundër HIV-SIDA-s, të cilin këto organizata e mbështesin, bazohet në zbulimin sa më të shpejtë të rasteve të reja të HIV-it, në mënyrë që të prekurit të mjekohen më lehtë.

Senih shpjegon se kur të sëmurët zbulohen herët dhe fillojnë me terapi herët, trajtimi mund ta shtypë virusin, kështu që ai nuk mund të transmetohet te njerëzit e tjerë nëpërmjet seksit ose nga nëna te fëmija.

“Nuk është rastësi që vetëm në vitet e fundit kanë lindur 14 fëmijë, njëri prind i të cilëve ka qenë HIV pozitiv”, thotë Senih.

Këtë vit numri i personave të regjistruar HIV pozitivë në vend arriti në 440. Çdo vit zbulohen rreth 40-50 raste të reja. Në vitin 2024 deri më tani numri i rasteve të reja është 51.

Autoritetet shëndetësore krenoheshin për faktin se në nivel global Maqedonia është një vend me shkallë të ulët të HIV-SIDA-s.

Por me një buxhet që vazhdimisht shkurtohet dhe prej të cilit edhe deri më tani për parandalim shpenzohet vetëm 20 përqind e tij, nuk ka garanci se do vazhdojë të jetë kështu.

Platforma thotë se shkurtimet e pritshme të buxhetit do të kenë si rezultat mbylljen e shërbimeve për skrining dhe testim, duke përfshirë këtu edhe klinikën mobile që u hap në vitin 2007, bashkë me shërbimet spitalore për HIV-in në të gjithë vendin, që i kanë përdorur në vitin 2023 1.750 njerëz, shumë prej tyre nga grupet e rrezikuara.

Përveç kësaj, ata paralajmërojnë se do të mbyllen shërbimet për parandalimin e HIV-it dhe infeksioneve të tjera të transmetueshme përmes gjakut dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Për shumë prej 8.000 përdorues të këtyre shërbimeve në vend, ato janë mënyra e vetme për të pasur qasje në mbrojtje shëndetësor themelore.

“Ky është ndoshta i vetmi program që i mbulon si shpenzimet për terapi, ashtu edhe shpenzimet për parandalimin e HIV-it. Deri më tani raporti ka qenë 80 përqind për trajtim dhe 20 përqind për parandalim, por me rritjen e shpenzimeve për trajtim, mbetet gjithnjë e më pak buxhet për parandalim”, thotë Senih.

Stigma mbetet ndërsa objektet mbyllen 

Nga Ministria e Shëndetësisë për BIRN thonë se një nga synimet e këtij programi është pikërisht ruajtja e prevalencës së ulët të HIV-it.

“Ministria është e hapur për bashkëpunim me organizatat dhe shoqatat joqeveritare në interes të shëndetit të qytetarëve tanë”, shtojnë nga atje.

Por Gorani (emrin e vërtetë të të cilit nuk po e publikojmë) tashmë është përballur me pasojat e shkurtimit të fondeve.

Ai është diagnostikuar me HIV 12 vjet më parë. Ai thotë se kur për shkak të mungesës së parave vitin e kaluar u mbyll qendra për mbështetjen e HIV-it në qytetin e tij në Maqedoninë qendrore, jeta e tij u bë më e vështirë.

“Qendra ka qenë edhe një vend shoqërimi, jo vetëm për marrjen e shiringave të pastra dhe gjërave të tjera. Aty mund të bisedonim, të bisedonim me miqtë dhe të pinim një kafe. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua”, thotë ai për BIRN.

Që nga mbyllja e qendrës ndalesa e tij e vetme është spitali lokal, ku vizitat janë të shkurtra.

Ai thotë se stigma rreth gjendjes së tij shëndetësore është ende e gjallë dhe se kur përpiqet të blejë shiringa të pastra nga farmacitë lokale, punonjësit shpesh refuzojnë ta shërbejnë.

“Më gënjejnë se u kanë mbaruar shiringat, por unë e di që kanë”, thotë ai.

Tani atij i duhet të udhëtojë më shpesh për në Shkup për t’i siguruar gjërat që i nevojiten – ndërsa ndonjëherë edhe vetëm për të shkëmbyer një fjalë me miqtë dhe të njohurit në qytet.

Kujtojmë se ë shtator, janë raportuar tre raste të konfirmuara me HIV dhe dy me SIDA, të gjithë të gjinisë mashkullore, të grupmoshës 20 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave ekzistuese të rasteve të raportuara, numri i personave të regjistruar me HIV/AIDS në Maqedoninë e Veriut për periudhën 1987-2024 është 680.

  • Artikulli fillimisht është publikuar në Prizma.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia