August 25th, 2024
Keq-informimi i një pjesë të medieve për rastin e shkupjanit me inicialet D.I, të akuzuar për sulm seksual ndaj një të mituri 16 vjeçar ngriti pikëpyetje dhe krijoi mjegull në opinionin publik për atë se kur një person mund të konsiderohet pedofil, çfarë do të thotë sulmi seksual dhe prej cilës moshë lejohet kryerja e marrëdhënieve seksuale.
'Mollëkuqja’ do t’i sqarojë me radhë të gjitha këto
Mosha nën 18 vjeçe e viktimës në këtë rast bëri që një pjesë e madhe e gazetarëve joprofesional dhe pa njohuri thelbësore juridike në artikujt e tyre ta etiketojnë të akuzuarin si pedofil.
Jo, ky nuk është një rast pedofilie
Për ta akuzuar dikë për vepra që kanë të bëjnë me pedofilinë, viktima në rastin e kryerjes së veprës do të duhet të ishte më i ri se 15 vjet. Sipas Kodit Penal, kjo vepër emërohet si “Dhunim i fëmijës që nuk ka mbushut 15 vjet.”
Viktima i sulmit seksual në këtë rast, sipas Prokurorisë Publike ka lindur në vitin 2008 – që i bije ta kishte kaluar moshën 15 vjet. Kjo edhe është arsyeja pse i akuzuari D,I nuk ndiqet për vepra që kanë të bëjnë me pedofilinë.
Ai akuzohet për diçka tjetër që ligjërisht konsiderohet të jetë shumë më e lehtë, përkatësisht edhe më pak e dënueshme se sa sulmi seksual ndaj fëmijës që nuk i ka mbushur 15 vjet, vepër për të cilën rrezikon burg prej më së paku tetë vjet.
Në rastin konkret, personi D,I akuzohet për kryerje të veprës penale ‘Sulm Seksual dhe Dhunim’, nga neni 186, paragrafi 7 lidhur me paragrafin 2 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.
Kjo vepër në ligj definohet kështu: “Ai që në kundërshtim me vullnetin e shprehur qartë të tjetrit, vlerësuar në kontekst të rrethanave të rastit, mbi të kryen marrëdhënie seksuale ose diçka tjetër të barazuar me veprimin seksual, e cila përbëhet nga depërtimi vaginal, anal ose anal me cilëndo qoftë pjesë të trupit ose sendit..” (vazhdon)
Por gjithsesi, rrethanat të akuzuarit do ia lehtësojnë betejën ligjore
Ai akuzohet që ka kryer vetëm një akt seksual nga kjo vepër penale, përkatësisht akuza e tij hynë në paragrafin 7 të këtij neni i cili thotë kështu, “Ai i cili në rastet e paragrafit 1 deri në 5 të këtij neni kryen vetëm një akt tjetër seksual që nuk konsiston në depërtim vaginal, anal ose oral.”
Sipas kësaj, i akuzuari në këtë rast nuk do të mund të dënohet më shumë se 3 vjet burg.
Ligjërisht, në Maqedoninë e V. lejohet që të miturit nga mosha 15 vjeçe të kryejnë marrëdhënie seksuale më kë të duan, përderisa këtë e bëjnë me vullnet dhe dëshirë të të gjitha palëve të përfshira.
A i bije që një 15 vjeçar mund të kryejë marrëdhënie seksuale me një 50-60 ose më shumë vjeçar/e dhe të mos ketë ndëshkim për këtë? E saktë.
Mosha e lejuar për këtë deri në vitin e kaluar ka qenë 14 vjet, por rritja e moshës së të miturve të cilët gëzojnë mbrojtje të veçantë të integritetit seksual, nga mosha 14 në moshën 15 vjeçare u bë me ndryshimet ligjore të Kodit Penal në vitin 2023.
Fotografia e të akuzuarit në këtë rast bëri xhiron e rrjetit-sociale, përkatësisht portaleve joprofesionale duke e etiketuar atë si ‘pedofil’ dhe fajtor ndërsa duke i përmendur edhe familjarët.
‘Mollëkuqja’ rikujton që prezumimi i pafajësisë është një nga parimet themelore juridike që siguron pafajësinë e të akuzuarit deri në vërtetimin e fajësisë ndërsa mediet janë të obliguara që ta respektojnë këtë parim.
“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi. Në proceset gjyqësore duhet të respektohet parimi i pafajsisë, të raportohet për të gjitha palët e përfshira në kontest dhe të mos sugjerohet vendimi.” thuhet në nenin 8 të Kodit Etik të Gazetarëve.
Ky lloj i raportimit mediatik mund të ketë pasoja serioze tek shëndeti psikologjik dhe fizik i familjarëve të personit të akuzuar, kështu duke ju rrezikuar atyre sigurinë dhe mundësinë për tejkalim të situatës në privatësinë familjare.
Institucionet në Maqedoninë e V. kanë praktikë të zvarritjes dhe mos marrjes seriozisht të rasteve që kanë të bëjnë me sulmet seksuale. Përkatësisht nga viti 2020 deri në vitin 2023 janë regjistruar gjithsej 115 raste të sulmit gjinor dhe përdhunimit.
Fakti që në këtë rast viktima është i gjinisë mashkullore nuk e bën as më pak as më shumë të ndjeshëm këtë rast, institucionet t’i vlerësojnë të gjitha faktet sa më shpejtë që është e mundur në mënyrë që të mos rrezikohet edhe zbulimi i identitetit të viktimës.
‘Mollëkuqja’ vazhdimisht ka bë thirrje për përfshirje të edukimit seksual në kurrikulat shkollore, kjo pasi që ka studime që vërtetojnë se programet e tilla kanë pasur rezultat në reduktimin e kulturës së përdhumimit në shtetet ku ligjërohet kjo lëndë.
Përpos që ende nuk ligjërohet edukimi gjithëpërfshirës seksual në shkolla, ‘Mollëkuqja’ ka pasur një hulumtim sipas të cilit rezultoi që mësimdhënësit në disa shkolla e kapërcenin kapitullin për riprodhimin seksual në lëndën e biologjisë, duke mos e ligjëruar me arsyetimin se nuk është i nevojshëm për nxënësit e klasave të 9-ta ajo ligjëratë.
Ky artikull është shkruar me ndihmë të librit “Dhuna në familje në prizmin e së drejtës“ nga autoret Vedije Ratkoceri dhe Albana Metaj.
Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.
TË NDRYSHME
Vjollcë Berisha në "Llafe Grash": Nuk kam pasur pengesa që të mos jem në një ...
Rita Behadini
11/01/2024
Paradoks: Autoritetet apelojnë për kontrolle të gjirit por termine të lira s'...
Ardit Ramadani
17/10/2023
Rritje simbolike e pjesëmarrjes së grave në Qeverinë e RMV-së, përfaqësimi mb...
Fisnik Xhelili
08/03/2023
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia