May 16th, 2024
Në Maqedoninë e Veriut u hap Qendra e parë për këshillim dhe mbështetje të djemve dhe burrave (MM). Kjo qendër e cila u hap nga HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim, do të ofrojë këshillim falas nga psikoterapistë dhe psikologë, në gjuhën maqedone dhe shqipe.
Këshillimi ofrohet me prezencë fizike ose përmes kanaleve virtuale në gjuhën maqedonase dhe shqipe.
Qendra do të jetë e hapur për këshillim të martën, të mërkurën dhe të enjten nga ora 10:00. deri në orën 17:00.
Terminet duhet të caktohen në numrin e telefonit 070-299-026, ose në emailin - viktor.buckovski@hera.org.mk, apo edhe në profilin e Instagramit man.mind.skopje.
Të gjitha shërbimet e kësaj qendre janë pa pagesë, mund t'i shfrytëzojnë të gjithë djemtë dhe burrat të cilët kalojnë fazë të vështirë në jetë, për shembull:
Djemtë dhe burrat, me fokus të rinjtë e moshës 18-25 vjeçe
Djemtë dhe burrat të cilët janë përballur në formë indirekte me dhunë psiqike, fizike ose seksuale në familje
Djemtë dhe burrat të cilët janë përballur në formë indirekte me dhunë psiqike, fizike ose seksuale jashtë familjes
Djemtë dhe burrat të cilët janë viktima të dhunës
Djemtë dhe burrat të cilët janë në fazë të divorcit ose ndarjes me partnerin/en e tyre
Me rastin e hapjes së Qendrës, menaxherja e programit nga HERA, Vesna Matevska, theksoi se kjo qendër është e nevojshme dhe e dobishme për shëndetin mendor të burrave.
"Barazia gjinore u referohet vajzave dhe djemve dhe grave dhe burrave. Barazia gjinore do të thotë gjithashtu mbështetje dhe kujdes për shëndetin mendor dhe fizik për djemtë dhe burrat. Heshtja nuk është zgjidhja kur djemve u mungon forca për të përballuar sfidat", thonë nga HERA.
Kiril Trojaçanec, psikolog dhe ekspert i stresit theksoi se pritshmëritë sociale i shtyjnë djemtë që në moshë të re të mos shfaqin emocionet e tyre, gjë që është shkaku i stresit të vazhdueshëm dhe shëndetit mendor të cenueshëm.
Trojaçanec porositi djemtë se heshtja nuk është zgjidhja kur përballemi me dhunën e bashkëmoshatarëve.
Psikologija Lençe Aleksovska Veliçkovska theksoi se pritshmëritë që trajnerët, shokët e skuadrës dhe tifozët i bëjnë sportistëve mund të shërbejnë si forcë motivuese, duke i inkurajuar ata të arrijnë më të mirën e tyre, por kur pritshmëritë janë shumë të larta, ato çojnë në rritje të stresit, ankthit dhe sjelljes së dhunshme.
Matevska nga HERA theksoi se vendi ka nevojë për një qendër të tillë mbështetëse.
"Ata tani do të kenë vendin e tyre ku mund të kërkojnë hapur zgjidhje për sfidat dhe një vend ku djemtë dhe burrat mund të marrin mbështetje për rritjen dhe zhvillimin emocional", thonë nga HERA.
Kjo qendër pritet të jetë një mjedis i sigurt dhe mikpritës ku djemtë dhe burrat mund të flasin hapur për nevojat e tyre dhe të kërkojnë mbështetje pa u etiketuar.
'Mollëkuqja' disa herë ka trajtuar tema që kanë të bëjnë me shëndetin mendor të burrave, për t'i lexuar, klikoni në nëntitujt më poshtë.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Shumë gra në Maqedoninë e Veriut krijojnë familje monoprindërore përmes sperm...
Ardit Ramadani
30/06/2023
Paradoks: Autoritetet apelojnë për kontrolle të gjirit por termine të lira s'...
Ardit Ramadani
17/10/2023
Ushqyerja gjatë shtatzënisë, nutricionistja Festa Murati: Ka ushqime që mund ...
Fisnik Xhelili
27/03/2024
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia