untitled-design-(60).png

Në RMV numri i të miturave që ngelin shtatzënë është ndër më të lartat në Evropë

PASOJA

April 16th, 2023

Shkalla e shtatzënisë së paplanifikuar tek adoleshentët në Maqedoninë e Veriut është 11% dhe është një nga më të lartat në Evropë. Për më tepër, shkalla e lindjeve te të miturat është 15.7 në 1000, që është pothuajse tre herë më e lartë se mesatarja prej 6 në 1000 lindje për vendet e Bashkimit Evropian. Numri më i madh i nënave të mitura janë rome, por qasja e tyre në informacion dhe shërbime për shëndetin seksual dhe riprodhues është e kufizuar. Kjo është një nga përfundimet e debatit të kësaj jave “Sa nënat e reja dhe veçanërisht gratë rome njihen dhe shërbehen nga sistemi i kujdesit shëndetësor dhe social” organizuar Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim "Hera".

Sipas hulumtimit për ndikimin e Kovid-19 në qasjen e të rinjve në informacionin për shëndetin seksual dhe riprodhues, deri në 38% e të rinjve romë u përballën me vështirësi për të marrë informacionin e nevojshëm mbi shëndetin seksual dhe riprodhues. Të rinjtë nga komunitetet e cenueshme treguan dy herë më shumë nevojë për informacion mbi shumë tema të shëndetit seksual dhe riprodhues në krahasim me popullatën e përgjithshme.

Për nënat e reja dhe gratë shtatzëna, pyetjet rreth shtatzënisë, lindjes dhe kujdesit pas lindjes ishin me interes më të madh, ndërsa të rinjtë romë ishin më të interesuar për mbrojtjen nga infeksionet gjinekologjike, menstruacionet apo trajtimin e problemeve hormonale.

Stigma ekzistuese sociale dhe diskriminimi, si dhe mungesa e dokumentacionit shëndetësor dhe sigurimit, kanë kontribuar në vështirësimin e qasjes të romëve në shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues. Ndjenja e frikës dhe ankthit te nënat e reja për shkak të ndërgjegjësimit të dobët për Kovid-19 ka ndikuar në sigurinë e tyre shëndetësore.

Aziza Sali nga Shoqata “Nisma për të Drejtat e Grave nga Shuto Orizari” ilustron seriozitetin e problemit përmes dy rasteve të nënave të ndjera, të cilat për shkak të mungesës së mjekut gjinekolog në komunë gjatë periudhës së pandemisë, nuk patën mundësi të bëni kontrolle të rregullta gjinekologjike.

Pa qasje tek gjinekologu familjar në vetë komunën, vajzat dhe gratë nuk mund të merrnin as certifikatë të kontrollit për shtatzëni, gjë që krijonte një pengesë shtesë në realizimin e të drejtave sociale

Sara Sejfulla nga Qendra për Punë Sociale.

Nga ana tjetër, përvoja e mjekut Lambe Krsteskit, i cili prej 6 muajsh punon si gjinekolog familjar në Shuto Orizari, tregon se qasja te gjinekologu është jashtëzakonisht e rëndësishme në kujdesin ndaj shëndetit riprodhues, por edhe në përgjithësi për mirëqenien e një gruaje.

Për momentin më kontaktojnë 1000 gra rome. Deri më tani kanë lindur rreth 15 gra rome, të gjitha kanë mbijetuar

Dr. Lambe Krsteski

Nada Tofoska, punonjësja sociale nga Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë e Institutit të Shëndetit Publik, iu referua pasojave sociale të shtatzënisë të të miturave dhe amësisë.

Për shkak të shtatzënisë, vajzat dhe gratë e mitura largohen nga procesi arsimor, kjo është arsyeja pse ato më vonë renditen ulët në tregun e punës. Kjo ka pasoja afatgjata jo vetëm për pavarësinë e tyre ekonomike, por edhe për shëndetin e tyre mendor. Shumë shpesh ata përballen me depresion, si dhe dhunë fizike dhe seksuale, e cila më pas ndikon në mënyrë dramatike qëndrimin e tyre ndaj fëmijëve

Nada Tofoska

Ndryshe, sektori i shëndetit publik ashtu edhe i shoqërisë civile duhet të punojnë shumë më me përkushtim për të informuar gratë rome në periudhën riprodhuese për shërbimet në dispozicion dhe për përfitimet e vizitave të rregullta te gjinekologu, përfshirë masat e parashikuara për grupet e cenueshme të grave në programet parandaluese të Ministrisë së Shëndetësisë. Pjesë e zgjidhjes mund të jetë edukimi seksual gjithëpërfshirës përmes të cilit të rinjtë romë do të edukohen për rëndësinë e moshës në planifikimin e martesës dhe shtatzënisë në ndryshim nga praktikat ekzistuese të dëmshme që dalin nga tradita.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia