October 11th, 2024
Krimet seksuale janë dënuar gjithmonë nga shoqëria dhe shteti, por me njohjen e të drejtave të njeriut si të drejta të lindura, absolute dhe kapitale, ka ndryshuar edhe qasja ndaj krimeve seksuale. Kodi i Hamurabit, i cili paraqet përmbledhjen më të hershme të ligjeve të shkruara, e konsideronte përdhunimin e një të virgjëre si dëm pronësor ndaj babait të saj. Për një kohë të gjatë, përdhunimi i një gruaje konsiderohej një krim pronësor ndaj burrit ose babait të viktimës. Për grekët antik, si dhe për romakët, ligjet mbi sjelljen seksuale duke përfshirë përdhunimin, tradhtinë bashkëshortore dhe joshjen, përqëndroheshin te gruaja, jo për mbrojtjen fizike të gruas në të drejtën e saj, por sepse ajo ishte mjeti i nevojshëm për vazhdimin e familjes dhe për këtë arsye ishte me interes shtetëror.
Por sot definimi i krimeve seksuale fokusohet plotësisht te viktima dhe vullneti i saj. UN Women, parasheh se krimi seksual është çdo lloj sjelljeje seksuale e dëmshme ose e padëshiruar që i imponohet dikujt. Ajo përfshin aktet e kontaktit seksual abuziv, përfshirje të detyruar në akte seksuale, tentativën ose kryerjen e akteve seksuale me një grua pa pëlqimin e saj, ngacmimin seksual, abuzimin verbal, kërcënimet, ekspozimin, prekjen e padëshiruar, incestin dhe të tjera. Krimet seksuale në Maqedoninë e Veriut inkriminohen në Kodin Penal në Kapitullin XIX të emëruar si Veprat Penale kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor. Raporti në mes atyre që e kanë përjetuar këtë krime seksuale dhe atyre që nuk e kanë përjetuar sipas anketës së realizuar është 135:43.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, krimet seksuale përfshijnë këto vepra penale:
Sulm seksual dhe dhunim (Neni 186)
Keqpërdorim gjinor i personit të paaftë (Neni 187)
Dhunimi i fëmijës që nuk ka mbushur 15 vjet (Neni 188)
Kryerja e aktit seksual me keqpërdorim të pozitës (Neni 189)
Kënaqja e epsheve seksuale para dikujt tjetër (190)
Ngacmimi seksual (Neni 190-a)
Ndërmjetësimi në kryerje të prostitucionit (Neni 191)
Ekspozimi i materialit pornografik fëmijës (Neni 193)
Prodhimi dhe distribuimi i pornografisë fëmijërore (Neni 193-a)
Joshja në akt seksual apo veprim tjetër seksual i fëmijës i cili nuk ka mbushur 14 vjet (Neni 193-b)
Incesti (Neni194)
Përmes inkriminimit të këtyre veprimeve mundësohet mbrojtja e integritetiti fizik dhe moral të çdo individi. Fatkeqësisht këto krime, për dallim nga krimet tjera si: vjedhja, veprat penale kundër detyrës zyrtare apo veprat penale kundër shtetit, kryerja e këtyre krimeve pos që cenon lirinë seksuale të një personi, pasojat të cilat i lë janë të shumëfishta. Në një anketim elektronik të realizuar nga "Mollëkuqja", 76% kanë pranuar që ata vetë, ose dikush që ata njohin, ka përjetuar dhunim. 55% e numrit total të të anketuarëve pranojnë që shoqëria fajëson viktimën kur një krim seksual ndodh.
Gjithsej 178 të anketuar kanë marrë pjesë në këtë anketë, nga të cilët 146 janë vajza dhe gra, 31 djem dhe burra dhe një i anketuar non-binary. Sa i përket moshës, pjesa më e madhe e të anketuarve janë të moshës 19 deri 25 vjet (35%). Më së paku të anketuar bëjnë pjesë në grupmoshën 36 deri 45 vjet (8% nga të anketuarit) dhe në grupmoshën 46 dhe 55 vjet (4% nga të anketuarit).
Kodi Penal i RMV-së vitin e kaluar, vitin 2023, pësoi ndryshime të mëdha në më shumë sfera, duke përfshirë edhe krimet seksuale. Këto ndryshime erdhën si nevojë për përshtatjen e Kodit Penal me kërkesat dhe obligimet të cilat Konventa e Stambollit ia mvesh çdo shteti i cili ratifikon këtë Konventë. Si rrjedhojë Kapitulli XIX u përditësua me nevojat që shoqëria bashkëkohore ka. Kështu pos ndryshimeve në emërim, u inkriminua dhuna seksuale në kuadër të dhunës në familje, u konkretizua se çka nënkuptojmë me marrëdhënie të dhunshme seksuale, mosvullneti për marrëdhënie seksuale tashmë është i mjaftueshëm për të ngritur procedurë penale, kurse mosha deri kur fëmijët nuk kanë vullnet për marrëdhënie seksuale u ndryshua nga 14 vjet në 15 vjet. Sipas anketimin, 48% e të anketuarve nuk kanë njohuri për këto ndryshime të Kodit Penal, 9% nuk e dinë se për çka bëhet fjalë.
Rreth 60% e të anketuarëve apo dikush që ata njohin kanë përjetuar veprën penale “Përndjekje” e cila inkriminohet në nenin 144-a të Kodit Penal të RMV-së. Sipas legjislacionit tonë përndjeka përkufizohet si: "Ai i cili në mënyrë të pautorizuar ndjek, persekuton ose ndërhyn në jetën personale të tjetrit, ose krijon apo kërkon të krijojë kontakte të padëshiruara me lëvizjen në/ hapsirën ku ai person gjendet, abuzon duke përdorur të dhëna personale, duke përdorur mjetet për informim publik ose mjetet tjera të komunikimit, ose në mënyrë tjetër psiqikisht e abuzon, ngacmon ose frikëson me qëllim që të shkaktojë ndjenjë të pasigurisë, ankth ose frikë për sigurinë e tij apo sigurinë e një personi të afërt të tij".
Sa i përket veprës penale “Ngacmim seksual” i cili parashihet në nenin 190-a të Kodit Penal të RMV-së, nga anketimi rezulton se 61% e të anketuarve kanë përjetuar ata vetë ose dikush që ata njohin këtë lloj vepre penale.
Shqetësuese janë përgjigjet e të anketuarve sa i përket përjetimit të veprës penale "Sulm seksual dhe dhunim" e cila inkriminohet me nenin 186 të Kodit Penal. 76% e të anketuarve përgjigjen se ata vet apo dikush që ata njohin ka përjetuar sulm seksual apo dhe dhunim, kurse vetëm 24% e të anketuarve ende janë të paprekur nga ky krim. Raporti në mes atyre që e kanë përjetuar këtë krime dhe atyre që nuk e kanë përjetuar është 135:43.
Në pyetjen se kujt i drejtohet gishti në rastet kur është kryer një krim i natyrës seksuale, të anketuarit kanë dhënë mendime të ndryshme sa i përket asaj se kë e fajësojnë ata dhe kë do ta fajësonte shoqëria. Kështu 91.6 % e të anketuarve do të fajësonin kryerësin, kurse 3.4% do ta fajësonin viktimën sepse "ajo është dashur të jetë e kujdesshme". Megjithatë, gjërat në realitet nuk janë aq bardhë e zi. Sipas anketimit 55.3% e të anketuarëve mendojnë se shoqëria e fajëson viktimën në raste të tilla, kurse 30.2% mendojnë që gishti do të drejtohej nga kryerësi. Në shoqëritë si e jona, gishti shpesh drejtohet edhe nga familja, andaj 12.3% e të anketuarëve mendojnë se shoqëria do të fajësonte familjen e viktimës.
Për shkak të natyrës së krimeve seksuale, ato në një formë apo në një tjetër lidhen me aspektin seksual të viktimës, dhe faji jo gjithmonë i mveshet kryerësit të krimit. Pavarësisht se shoqëria është e gatshme që kryerësin ta dënoj me dënime drakonike, viktima sipas tyre asnjëherë nuk është e çveshur plotësisht nga faji, por ajo gjithmonë ka kontribut në veprën që i ka ndodhur. Kjo bëhet duke atakuar në veshjen, shoqërinë e viktimës, vendet të cilat ajo i frekuenton, lidhjet romantike, angazhimin e saj. Familja e viktimës gjithashtu vihet para bankës së të akuzuarit në këto raste, duke gjykuar prindërimin e tyre sepse “po ta kishin edukuar si duhet nuk do t’i kishte ndodhur”.
Varësisht se për çfarë vepre penale bëhet fjalë dhe me çfarë motive është kryer ai krim, ligjvënësi ka caktuar sanksione të ndryshme. Por përgjithësisht, krimet seksuale dënohen me dënim me burg edhe atë varësisht nga vepra penale, kryerësi mund të dënohet nga më pak se 1 vjet burg deri në burgim të përjetshëm. Për shembull për veprën penale “Gjymtim” kryerësi mund të dënohet nga 6 muaj deri në 5 vjet, por në rast se për shkak të kryerjes së veprës penale “Dhunimi i fëmijës që nuk ka mbushur 15 vjet” vjen deri te lëndim i rëndë trupor, vdekje, pasoja tjera të rënda, apo vepra penale është kryer nga më shumë persona, ose është kryer në në mënyrë veçanërisht të vrazhdë, nënçmuese apo është kryer nga urrejtja, kryerësi do të dënohet me së paku 10 vjet burg ose me burgim të përjetshëm.
Të anketuarit në pyetjen se çfarë dënimi duhet të u shqiptohet kryerësve të krimeve seksuale, kanë dhënë përgjigje të ndryshme, por dominon burgimi i përjetshëm (36%) si sanksioni më adekuat për këto krime. Më tutje, 20% e të anketuarve mendojnë që këta kryerës duhet të dënohem me 1 – 5 vjet burg, 19% nga të anketuarit mendojnë që në këto raste duhet të aplikohet dënimi me vdekje, 18% e tyre janë të mendimit se duhet të shqiptohet dënim mbi 10 vjet burg, kurse 7% e tyre vlerësojnë se duhet aplikuar dënim me burg nga 5 deri 10 vjet burg.
Kur bëhet fjalë për krimet seksuale gjithmonë flasim për krime, numri i errët i të cilave është shumë i lartë. Deri te mosraportimi vjen për një mori arsyesh. Duke qenë vajzat si viktimat më të shpeshta të këtyre krimeve, ato nuk raportojnë për shkak të gjykimit të cilin do ta përjetojnë. Jo rrallë herë i dëgjojmë shprehjet të cilat fajin ia lënë viktimës për shkak të veshjes apo ambientit në të cilin është gjendur, apo duke gjykuar moralin dhe nderin e saj. Një tjetër arsye përse raportimi i krimeve seksuale është i ulët, është edhe për shkak të mosbesimit në organet ligjzbatuese dhe mosbesimit se drejtësia do ta ketë fjalën e fundit dhe kryrësi do të sanksionohet. Pikërisht sa i përket raportimit, se a do të raportonin të anketuarit po të kishin njohuri se ka ndodhur një krim i natyrës sekusale, referohet pyetja e fundit e kësaj ankete dhe të anketuarit janë shprehur si në vijim:
162 të anketuar do t’i raportonin këto krime
6 të anketuar do të bisedonin me viktimën dhe nëse ajo do të pranonte do ta paraqisnin në polici
3 nga të anketuarit nuk do ta raportonin fare rastin në polici
2 nga të anketuarit janë shprehur se do ta kishin vrarë kryerësin
1 i anketuar është shprehur “Do i hiqja kokën me sakic”
1 i anketuar do të merte vet masa
1 i anketuar vlerëson se policia nuk bën asgjë
1 i anketuar do të lajmëronte të tjerë dhe
1 i anketuar nuk di se çfarë do të bënte
Me ndryshimet e fundit ligjore në Kodin Penal, Maqedonia e Veriut ka bërë një hap para drejt përshtatjes së normave ligjore me nevojat dhe kërkesat e shoqërisë së shekullit XXI. Por shqetësues mbetet mos raportimi i këtyre krimeve, respektivisht numrit të errët të krimeve seksuale, i cili mbetet i lartë. Kodi ekzistues Penal mundëson ndjekjen penale të të gjitha formave të krimeve dhe kjo duhet parë si motivim për të raportuar këto krime, por mos besimi në institucionet kompetente për ndjekjen dhe zbardhjen e krimit e vështirësojnë rrugën deri te dënimi i kryerësve të krimeve seksuale.
“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”
Era Gjakova është PhD kandidate në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si prezantuese e edicionit informativ si dhe moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në TV Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën etë drejtave të njeriut, barazisë gjinore, dhunës në familje, krimeve seksuale dhe medias.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia