semejno-696x489-(1).webp

“Sheshi Skënderbeu u mbulua me gjak si në film horror”: Tre denoncime të dhunës në familje në ditë në RMV

N'THELB

June 28th, 2024

E mërkurë, 16 mars i vitit 2022, ora tetë e mbrëmjes. Partneri, pas një zënke paraprake e godet gruan me grusht në syrin e majtë, ndërsa pasdite rreth orës katër e merr me forcë dhe e çon në mal. Në qafë i lidh një litar që ta varë, e zhvesh lakuriq, pastaj ndryshon mendje, e kthen në shtëpi dhe i urinon në gojë.

Dhuna nuk mbaron me kaq. Rreth orës tetë të mbrëmjes fillon ta godasë me grusht në fytyrë dhe ta keqtrajtojë. Gruaja ia del mbanë të largohet nga shtëpia dhe rrugës takon një person të panjohur, ia merr telefonin dhe e kërkon babain e saj. Pasi kthehet sërish në shtëpi, i shoqi fillon ta rrahë sërish, ndërsa në një moment merr një kaçavidë me të cilën dëshiron ta qëllojë në qafë. Tmerri merr fund kur një shoku i tij hyn në shtëpi dhe i thotë “ik, policia është para shtëpisë”.

Dhunuesi largohet, ndërsa gruaja del jashtë shtëpisë dhe sheh policinë, e cila e çon te babai i saj dhe më pas ai e dërgon në spital ku i ofrohet ndihmë mjekësore.

E.M tani po qëndron te babai i saj. Ajo është nënë e katër fëmijëve, ndërsa partneri i saj është i pakapshëm për policinë. Ai po gjykohet në mungesë. Dhunuesi I.N është dënuar me dy vite burg, të cilat nuk i vuan pasi nuk është i kapshëm për organet e rendit.

Ky është vetëm një nga aktgjykimet për vepra që kanë të bëjnë me dhunën në familje të cilat i analizoi Meta.mk. Janë me qindra e qindra të tilla, ndërsa pas çdo numri të lëndës ndodhet fati i dikujt, jeta e dikujt, në rrezik serioz. Këtë e dëshmon edhe buletini i policisë ku për çdo ditë mund të gjenden dy-tre raste të dhunës në familje. Numri i denoncimeve është në rritje, por mbetet pyetja nëse e njëjta gjë vlen edhe për parandalimin dhe sanksionimin e duhur të dhunuesve në familje?

Rasti i dënimit me burg të I.N. nuk është rregull. Dënimet me kusht janë dënimet më të zakonshme për autorët e krimeve që kanë të bëjnë me dhunën në familje. Hulumtimi i Meta.mk nxori në pah se dënimet me burg në të shumtën e rasteve jepen për kryerësit e dhunës që janë në arrati, ndërsa më shumë se gjysma e aktgjykimeve që i kemi marrë nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, duke e përdorur Ligjin për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik janë dënime me kusht ose dënime me kusht nën mbikëqyrje.

Në rastet e tjera ose refuzohet akuza, ose paditësi heq dorë nga ndjekja penale, ose i dënuari dërgohet për trajtim psikiatrik.

Gjykatësja nga Gjykata Themelore Penale Shkup, Olja Ristova, gjatë përvojës së saj shumëvjeçare ka gjykuar për një numër të madh të lëndëve që kanë të bëjnë me dhunën në familje, ndërsa në një bisedë për Meta.mk sqaron pse në të shumtën e rasteve jepen dënime me kusht.

“Është e vërtetë që mbizotërojnë dënimet me kusht dhe kjo është rezultat i faktit se në shumicën e rasteve këta të akuzuar ndeshen me ligjin për herë të parë, në shumë raste ata e pranojnë fajin, pastaj edhe viktima është e gatshme t’i falë ato dhe nuk kërkon kompensim për dëmet. Të gjitha këto rrethana mjaftojnë që gjykata të shqiptojë dënim me kusht”, thotë Ristova.

Ajo shton se risi në vitet e fundit është shqiptimi i dënimit me kusht me masa të mbikëqyrjes mbrojtëse.

“Unë si gjykatëse që nga viti 2020 bashkë me dënimin me kusht kam shqiptuar edhe masa të mbikëqyrjes mbrojtëse. Masën të cilën detyrimisht e shqiptoj krahas dënimit me kusht është që i dënuari të ndjekë programin për punë me persona të dënuar për krime të kryera gjatë dhunës në familje. Masat e tjera që mund të shqiptohen kanë të bëjnë me personat e varur nga droga apo alkooli dhe me atë rast urdhëroj që personi i dënuar t’i nënshtrohet trajtimit apo rehabilitimit social në një institucion adekuat të specializuar”, sqaron Ristova.

Gjashtë muaj burg për një burrë i cili në mes të rrugës godiste në të gjithë trupin ish-gruan e tij

Para më shumë se një viti, më 13 prill të vitit 2023, një burrë nga Koçani ka sulmuar ish-bashkëshorten e tij A.L. dhe për këtë nga Gjykata Themelore në Koçan është dënuar me gjashtë muaj burg, edhe pse edhe më parë ka qenë i dënuar për dhunë.

Vitin e kaluar, derisa gruaja ka qenë duke shkuar në shtëpi në Koçan, rrugën ia ka prerë një makinë taksi, nga ana e djathtë e saj ka dalë ish-bashkëshorti i saj B.L. dhe menjëherë ka filluar ta godasë me grushta në kokë, si pasojë e të cilave ajo është rrëzuar në asfalt, ndërsa ai ka vazhduar ta godasë me shkelma në të gjithë trupin.

Nga goditjet, siç thuhet në aktgjykim, ajo ka pësuar lëndime trupore në formë të kontuzionit në pjesën e majtë të gjoksit, lëndim sipërfaqësor në nyjen e shpatullës së majtë, ënjtje dhe mavijosje në nyjen e shpatullës së majtë, të nxira në kapakët e sipërm dhe të poshtëm në të dy sytë dhe kontuzion në fytyrë dhe kokë.”

Ish-bashkëshorti i A.L. para gjykatës e ka pranuar veprën, ndërsa si rrethana lehtësuese janë marrë parasysh “gjendja e tij familjare, keqardhja dhe pendimi i shprehur për veprën e kryer, fakti se i ka kërkuar falje publike viktimës, sjellja e tij korrekte gjatë procedurës dhe premtimi se në të ardhmen nuk do të bënte vepra të tilla dhe të ngjashme”.

Rrethanë rënduese ka qenë fakti se ai ka qenë një recidivist i veçantë për shkak se edhe më parë kishte kryer një vepër penale ndaj gruas, por edhe një vepër tjetër penale që lidhej me sjellje të dhunshme, fakti që i pandehuri këtë vepër penale e kishte kryer në një vend publik dhe i kishte shkaktuar një numër të madh lëndimesh në kokë dhe në trup.

Ristova: Një gjykatës me përvojë mund ta kuptojë lehtë nëse autori e pranon sinqerisht fajin apo dëshiron të marrë një dënim më të lehtë

Nga përvoja e saj shumëvjeçare gjykatësja Olja Ristova tregon se cilat janë rrethanat lehtësuese dhe cilat janë rrethanat rënduese gjatë marrjes së aktgjykimeve për këto lëndë.

“Për mua ka rëndësi të veçantë sjellja e autorit pas kryerjes së veprës, si dhe sjellja e tij gjatë procesit gjyqësor. Nëse autori e pranon krimin në gjykatë, shpreh keqardhje të sinqertë dhe i kërkon falje viktimës, kjo sigurisht që është një rrethanë lehtësuese. Një gjykatës me 15 vjet përvojë mund ta kuptojë shumë lehtë nëse i akuzuari pranon fajin vetëm për të marrë një dënim më të lehtë ose vërtet është penduar dhe nuk ka gjasa ta përsërisë veprën e njëjtë në të ardhmen. Një rrethanë tjetër lehtësuese është nëse i akuzuari nuk ka qenë i dënuar, përkatësisht nuk ka pasur sjellje paraprake kriminale. Në favor të rrethanave lehtësuese që gjykata i merr parasysh janë mosha, shkollimi dhe nëse i akuzuari është i punësuar”, thotë Ristova.

Sipas saj, si rrethanë rënduese në këto krime mbi të gjitha është mënyra e kryerjes së krimit.

“Vepra penale e lëndimit trupor mund të kryhet me dy ose tre shuplaka, por kjo vepër mund të kryhet edhe me ngulfatje, goditje me grushta dhe shkelma, shtyrje nëpër shkallë, shtrëngim. Mënyra më e vështirë e ekzekutimit dhe lëndimet që i ka pësuar viktima, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht, ndikojnë në masën e dënimit. Rrethanë rënduese është edhe sjellja e të pandehurit në sallën e gjyqit, shpesh ndodh që ai ta trajtojë viktimën në mënyrë përçmuese, ta provokojë dhe ta fajësojë atë. Këta të pandehur zakonisht nuk e pranojnë atë që e kanë bërë, mendojnë se kanë të drejtë, nuk shprehin pendim”, thotë Ristova dhe shton se ka situata kur eskalon edhe gjendja në sallën e gjyqit dhe duhet të ndërhyjë policia gjyqësore.

Viktimat më të shpeshta janë bashkëshortet ose nënat

Të dhënat që i siguroi Meta.mk nga Ministria e Punëve të Brendshme tregojnë disa trende shqetësuese – numri i krimeve që kanë të bëjnë me dhunën në familje është në rritje. Nga janari i vitit 2020 deri në mars të këtij viti janë regjistruar gjithsej 4.484 denoncime për dhunë në familje, ndërsa autorët në 91 përqind të rasteve kanë qenë meshkuj. Viktimat e dhunës në familje kanë qenë 79 përqind gra dhe 21 përqind burra.

Në katër vitet e fundit si pasojë e dhunës në familje kanë ndodhur gjithsej 22 vrasje, 12 tentativa për vrasje, ndërsa viktimat më të shpeshta sipas të dhënave që kemi siguruar janë bashkëshortet apo nënat. Numri më i madh i vrasjeve si pasojë e dhunës në familje është regjistruar në vitin 2022 –shtatë, ndërsa vitin e kaluar janë regjistruar pesë.

Në numrin më të madh të rasteve dhuna është kryer me përdorim të forcës fizike dhe kërcënimeve, por edhe me përdorim të armëve të ftohta. Sipas të dhënave të MPB-së autorët e dhunës në familje kanë qenë nën ndikimin e ndonjë çrregullimi mendor, por nuk janë të pakta edhe rastet kur kanë qenë nën ndikimin e alkoolit apo drogës.

Në vetëm 3 muaj, nga janari deri në mars të këtij viti, policia ka bërë 237 denoncime për dhunë në familje, që do të thotë se ka pasur pothuajse tre denoncime në ditë. Sa i përket autorëve, 215 kanë qenë meshkuj dhe 25 kanë qenë femra. Viktima të dhunës në familje në tre muajt e parë të këtij viti kanë qenë 97 bashkëshorte dhe 31 nëna, fëmijët e të cilëve kanë ushtruar dhunë ndaj tyre. Bashkëshortët kanë qenë viktima të dhunës në familje në 7 raste, ndërsa baballarët në 19.

Veprat që kanë të bëjnë me dhunën në familje për të cilat akuzohen autorët janë vrasje, tentativë për vrasje, lëndim trupor, rrezikim i sigurisë, detyrim…

“Duke pasur parasysh se numri i lëndëve të dhunës në familje në vitet e fundit ka shënuar rritje, mendoj se kjo është kryesisht për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit të viktimave për ta raportuar dhunën në familje, por është edhe rezultat i rritjes së aktivitetit të organeve të përndjekjes për t’i ndjekur autorët e këtyre krimeve. Numri i shtuar i lëndëve, numri i madh i aktgjykimeve të formës së prerë deri diku ndikon në parandalimin e përgjithshëm të autorëve të këtyre krimeve. Nga ana tjetër, shpeshtësia e këtij lloji të krimit tregon se duhet punuar më shumë për parandalimin përmes masave dhe aktiviteteve të tjera të institucioneve shtetërore dhe sektorit civil. Kjo arrihet me edukime të shpeshta për këtë temë për një numër më të madh të qytetarëve”, thotë Ristova.

Dita kur sheshi Skënderbeu u mbulua me gjak

Një nga dënimet më të larta për lëndim të rëndë trupor e ka dhënë pikërisht gjykatësja Ristova – katër vite burg, për një burrë që rrahu rëndë një grua në sheshin Skënderbeu.

Rreth katër vjet më parë, në vitin 2020 në Shkup, A.H rrugës për në punë ka kaluar nga sheshi “Skënderbeu” në Shkup, në afërsi të të cilit edhe banon. Shkurt pas nisjes atë e takon A.S. dhe fillon ta godasë me grushte dhe shkelma në kokë, trup, fytyrë. Ai i përplas kokën në beton, ndërsa e godet edhe me këpucë dhe e shkel në fytyrë.

Gruaja, sapo e ka parë, njërit prej punonjësve në kafenenë aty pranë i ka thënë të lajmërojë policinë, por, siç thuhet në aktgjykim, ajo nuk e ka thënë me zë të lartë, por vetëm i ka thënë “policia”, sepse ajo e ka ditur se çfarë do të ndodhte, ndërsa kërcënimet nga A.S. i ka pasur dokumentuar që një vit para se të ndodhte ngjarja.

Dhuna ka ndodhur në ambient të hapur, para shumë dëshmitarëve. Kur ka arritur polici i cili ka qenë në detyrë dhe që ka qenë edhe fqinj i viktimës, ai nuk ka mundur ta njohë atë për shkak të lëndimeve.

Teksa kanë tentuar ta largojnë, A.S u vazhdimisht u ka thënë “më lini ta vras”. Siç shkruan edhe në aktgjykim, viktima ishte pothuajse e panjohur, ndërsa gjaku i saj ishte kudo në sheshin Skënderbeu.

Në atë kohë, djali i saj dhjetë vjeçar ka dalë të shëtitë qenin, kur e ka parë maskën mbrojtëse të nënës së tij në tokë (pasi në atë kohë ishte pandemia e Covid-it), ka parë gjak dhe policinë dhe i ka kërkuar në telefon koleget e nënës të tij për të parë nëse ajo kishte mbërritur në punë.

Por, nëna e tij në atë kohë ka qenë në spital për shkak të tronditjes, kontuzionit të kokës dhe trupit, frakturës së vertebrës të 3-të dhe 4-të të shtyllës kurrizore lumbare dhe një plagë kontuzioni-çarje në fytyrë. Kjo grua e re për shkak të plagëve të marra ka qëndruar për katër ditë në spital, ndërsa më pas ka pasur nevojë për trajtim të mëtejshëm.

Një nga dëshmitarët e ngjarjes, siç shpjegohet në aktgjykim, e ka cilësuar ngjarjen si “si në një film horror”.

“Në atë moment ka thirrur edhe ambulancën, nga ku i kanë thënë se do të mbërrijnë për pesë deri në dhjetë minuta. Në atë moment ai ka vendosur të ballafaqohet me të akuzuarin dhe së bashku me shokun e tij ka shkuar që ta largojë të akuzuarin nga viktima. I akuzuari është kthyer nga ata, i ka shikuar, e mban mend mirë atë shikim, sytë e tij kanë qenë shumë të përgjakur dhe në atë moment e ka kuptuar se po të ndërmerrte diçka do të lëndohej edhe ai. Pastaj ka filluar të lëvizë kah pas, është tërhequr, është kthyer në kafene dhe është lutur që policia të vinte sa më shpejt”, thuhet në aktgjykimin e gjykatës.

Kjo nuk ka qenë hera e parë që A.S. ka ushtruar dhunë. Pothuajse në të njëjtën periudhë ai u gjykua edhe për tentativë për vrasje të djalit të tij, për çka u dënua me 5 vite burg. Për rrahjen e përgjakshme të A.H. ai u dënua me katër vjet burg, që është një nga dënimet më të larta të dhëna për veprën penale të lëndimit të rëndë gjatë dhunës në familje.

Kështu, A.S. duhet të vuajë dënim me 9 vite burg, por tani avokatët e tij kërkojnë rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit në Gjykatën Supreme.

“Në rastin konkret bëhet fjalë për dhunë me bazë gjinore nga i pandehuri ndaj viktimës për shkak të përkatësisë së saj në gjinore. Shoqëria maqedonase është patriarkale, me matricën gjinore të krijuar tradicionalisht sa i përket roleve të mashkullit dhe femërës. Roli dominant i burrit dhe pozita inferiore e gruas, si dhe perceptimi i shoqërisë se pushteti i burrit është një e drejtë legjitime, e definon edhe pozitën e gruas në shoqëri. Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit, është dokumenti më i rëndësishëm ndërkombëtar për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Dokumenti është ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 22 dhjetor të vitit 2017”, thuhet në shpjegimin e aktgjykimit të Ristovës.

Pyetjes tonë se si arrin të distancohet emocionalisht nga raste të tilla gjatë procesit si gjykatëse, ajo iu përgjigj:

“Si gjykatëse femër dënoj çdo lloj dhune ndaj grave, por standardet profesionale dhe etike më kërkojnë të sillem në mënyrë të paanshme në sallën e gjyqit, të respektoj barazinë e palëve, të lejoj secilën palë të shprehë teorinë e saj të çështjes dhe në fund, bazuar në provat e disponueshme të marr një vendim të paanshëm.”

Çfarë nënkuptohet me dhunë në familje?

Ligji për Familjen ndalon çdo lloj dhune ndërmjet anëtarëve të familjes, pa dallim të gjinisë dhe moshës.

Me dhunë në familje nënkuptojmë ngacmim, fyerje, kërcënim për sigurinë, lëndim fizik, seksual ose dhunë tjetër psikologjike ose fizike që shkakton ndjenjën e pasigurisë, kërcënimit ose frikës ndaj bashkëshortit, prindërve ose fëmijëve ose personave të tjerë që jetojnë në një marrëdhënie martesore ose jashtëmartesore, komunitet ose familje të përbashkët; ish-bashkëshortit ose personave që kanë një fëmijë të përbashkët ose janë në një marrëdhënie të ngushtë personale, duke përfshirë marrëdhëniet që rrjedhin nga birësimi dhe kujdestaria; vëllezërit e motrat, gjysmë vëllezërit dhe gjysmë motrat; anëtarëve më të vjetër në familje ose në familje të përbashkët; personave – anëtarëve të familjes ose të familjes së përbashkët të cilëve iu është hequr pjesërisht ose plotësisht aftësia afariste.

Nga aspekti ligjor, me marrëdhënie të ngushta personale nënkuptohen marrëdhëniet personale ndërmjet personave që janë ose kanë qenë në marrëdhënie partnere, por nuk jetojnë në bashkësi jashtëmartesore.

Në Kodin Penal dhuna në familje përkufizohet si: ngacmim, fyerje e rëndë, kërcënim për sigurinë, lëndim fizik, dhunë seksuale ose dhunë tjetër mendore ose fizike që shkakton ndjenjën e pasigurisë, kërcënimit ose frikës, ndaj bashkëshortit/es, prindërve ose fëmijëve ose personave të tjerë që jetojnë në një bashkësi martesore ose jashtëmartesore ose në një familje të përbashkët, si dhe kundër ish-bashkëshortit/tes ose personave që kanë një fëmijë të përbashkët ose janë në një marrëdhënie të ngushtë personale.

(Vazhdon)

Lajmi fillimisht është botuar në Meta.mk.

Meri Jordanovska & Antonija Janevska

Meri Jordanovska & Antonija Janevska

Meri Jordanovska është zëvendës-kryeredaktore në Meta.mk, gazetare profesioniste me përvojë gati njëzetvjeçare në media, si hulumtuese, reportere dhe analiste, ajo është fituese e çmimeve të shumta për gazetari hulumtuese. Antonija Janevska është gazetare në Meta.mk dhe njëkohësisht studente e gazetarisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia