pink-minimalist-gynecologist-logo-(2)-1688053216.png

Nevoja për njohjen juridike të gjinisë së transgjinorëve nxiti dezinformata, çfarë përmban nisma ligjore?

N'THELB

June 29th, 2023

Në janar 2019 Gjykata për të drejtat e njeriut në Strasburg gjykoi se personit X nga Maqedonia i shkelet e drejta duke ju mohuar njohja e gjinisë nga shteti, pasi ai/ajo kishte kaluar procedurat mjekësore për të ndryshuar gjininë. Që atëherë, institucionet e vendit akoma nuk kanë gjetur zgjidhje se si të rregullojnë të drejtën e personave transgjinorë për njohjen e gjinisë së tyre në dokumentet e identifikimit. Ligji për evidencën amë, ashtu siç është për momentin, as nuk e ndalon ndryshimin e gjinisë në evidencën amë të personit transgjinor por as nuk parashikon procedurë se si gjinia mund të ndryshohet edhe juridikisht në dokumente.

Por, sa herë aktualizohet tema e ligjit me të cilin duhet të rregullohen këto dilema, ai shkakton më shumë përplasje dhe reagime në opinion se sa zgjidhje.

Kronologji
  • Propozim-ndryshimi i ligjit për evidencën amë u dorëzua në Kuvend në mars të vitit 2022. Me të parshihej përditësimi i të dhënave në librat amë të personave që ndryshojnë gjininë dhe si rrjedhojë edhe ndryshim i dokumenteve të tyre personale në përputhje me gjininë e re.

  • Pas shumë reagimeve në opinion, ligji u tërhoq me premtimin që do të rikthehet në procedurë pas rishikimit.

  • Më 13 qershor 2023, një grup deputetesh rikthejnë në procedurë të njëjtën nismë të vitit të kaluar, pa konsultime dhe pa miratimin e Qeverisë ose Ministrisë së Drejtësisë.

  • Nisma e re e dorëzuar dy javë më parë shkakton përsëri reagime, manipulime dhe lajme të rreme.

Çfarë parashikon nisma ligjore?

Personat trangjinorë kanë identitet të ri gjinor që nuk përputhet me gjininë që u shkruan në evidencën amë gjatë lindjes. Nga këtu vjen nevoja për harmonizimin e dispozitave ligjore me të cilat qartë do të përfshihet procedura përmes të cilës personat transgjinorë do të mund ta realizojnë të drejtën e njohjes juridike të gjinisë. Kështu e sqarojnë nevojën për ndryshimin e ligjit deputetet të cilat janë nismëtare të ndryshimit që është dorëzuar tani në Kuvend, Maja Moraçanin, Snezhana Kaleska Vançeva, Sanella Shkrijel, Daniella Nikollova, Monika Zajkova, Maria Kostadinova dhe Latife Shikova.

E drejta e personave transgjinorë për të marrë dokumente të cilat do ta reflektojnë identitetin e tyre gjinor është kyçe që ata të mund të funksionojë normalisht në shoqëri dhe të jenë të mbrojtur nga një sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut, duke përfshirë diskriminimin gjatë punësimit, në arsimim, shëndetësi, mbrojtje shëndetësore, gjatë qasjes tek të mirat dhe shërbimet në sektorin privat ose publik, si dhe mbrojtje nga sulmet fizike dhe verbale

thuhet nga deputetet në nismën ligjore të dorëzuar në Kuvend rreth dy javë më parë.

Por, edhe pse deputetet që e kanë dorëzuar nismën janë nga radhët e shumicës parlamentare, kjo nismë e tyre është bërë pa konsultime me Ministrinë e Drejtësisë e cila një vit më herët e kishte tërhequr propozimin për shkak të reagimeve.

Pyetëm në Ministrinë e Drejtësisë nëse ata paralelisht janë duke punuar për një zgjidhje tjetër ligjore pas tërheqjes në mars të vitit 2022. Nga atje vetëm thonë se nuk qëndrojnë pas propozimit të ri që është dorëzuar në Kuvend.

“Ministria e Drejtësisë nuk është propozuese e ligjit. Ky ligj është dorëzuar më 13 qershor nga një grup deputetësh: Maja Moroçanin, Snezhana Kaleska Vançeva, Sanela Shkrijel, Daniella Nikollova, Monika Zajkova, Maria Kostadinova dhe Ljatife Shikovska. Ata propozojnë që ligji të miratohet pas një procedure të shkurtuar dhe të rregullojë procedurën për njohjen ligjore të gjinisë. Më parë, ky ligj ishte tërhequr nga Ministria e Drejtësisë, në mars 2022, pas një sërë reagimesh publike”, thonë nga Ministria e Drejtësisë, duke konfirmuar se për momentin nuk janë duke punuar në ndonjë version tjetër.

Manipulime dhe lajme të rreme

Nëpërmjet një fushatë me lajme të rreme dhe manipulime opinioni është keqinformuar për gjoja lidhje të ligjit për evidencën amë dhe ligjit për baraza gjinore. Në këto publikime të rreme lidhet barazia gjinore me mundësinë e ndryshimit të gjinisë, mundësinë e martesa të gjinisë së njëjtë, etj. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale sqaron se opinioni është keqinformuar. Ligji për barazi gjinore që është në fazë përgatitore, sipas saj, ka të bëjë vetëm me avancimin e të drejtave të grave në raport me burrat në shoqëri, nuk lidhet me ndryshimin e gjinisë dhe as me martesat e gjinisë së njëjtë. Trençevska, duke folur edhe për Ligjin për evidencën amë por edhe për atë për barazi gjinore, thotë se askush nuk duhet të frikësohet nga avancimi i të drejtave të një komuniteti në vend.

trancevska-1-780x470-1.png

Pranimi i të drejtës së një komuniteti të caktuar nuk d.m.th. që të tjerët humbin ndonjë të drejtë. Përkundrazi kjo tregon se shteti ka kapacitet demokratik dhe që kujdeset për të gjithë qytetarët dhe për të gjithë komunitetet në shoqëri, për pranimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve në shoqëri. Nëse e pranojmë të drejtën e personave trangjinorë nuk humbin qytetarët tjerë të vendit por kontribuojmë që personat trangjinorë të fitojnë mbrojtje dhe mundësi për t’i realizuar të drejtat e tij

deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

Pavarësisht që deputetët e shumicës e kanë propozuar dhe një pjesë e eksponentëve politik të pushtetit janë të mendimit që duhet të rregullohen të drejtat e kategorive të caktuara, për momentin ka vendim për suspendimin e procedurës për këto dy ligje.

Transgjinorët presin për të drejtat e tyre

Standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e njohin të drejtën e personit për identitet gjinor (gender identity). Respektimi i identitetit gjinor përfshirë edhe njohja juridike nga ana e shtetit është pjesë e të drejtës për jetë private, të cilën e garanton edhe Kushtetuta, edhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. “Mollëkuqja” kishte zhvilluar një vit më parë një bisedë me Organizatën për të drejtat e transgjinorëve “TransFormA” ku mësuam për vështirësitë me të cilat përballen personat që kanë ndryshuar gjininë duke qenë se dokumentet e tyre personale identifikojnë gjininë me të cilën janë evidentuar gjatë momentit të lindjes. Kjo shpesh i vendos në pozitë të palakmueshme, sidomos para instancave të sigurisë.

“Personat që nuk kanë dokumente të paharmonizuara nuk kanë asnjë pengesë për të arritur të drejtat themelore të tyre. Komuniteti transgjinor nuk e gëzon këtë, sepse ne jemi përballur me situatat ku jemi akuzuar se kemi përdorur dokumente të rrejshme dhe të falsifikuara, jemi përballur me situata ku burrave transgjinorë nuk u është lejuar t'i merrnin rezultatet e PAP testit, jemi përballur me situata ku ishim të detyruar t’i tregojmë organet gjenitale vetëm për të kaluar kufirin, etj.”, kishin thënë nga TransFormA.

Deri tani në vend janë 14 persona të cilët kanë përfunduar procedurën e ndryshimit të gjinisë.

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia