October 25th, 2023
Me shumë pompozitet në vitin 2014 u vendos që përmes Kodit Penal të mundësohet kastrimi kimik i pedofilëve (tredhja), por gati nëntë vite më pas, as edhe një herë nuk është zbatuar kjo masë. Sot që flasim, ministria e Drejtësisë ka propozuar që të hiqet tërësisht nga Kodi i ri Penal i cili është në procedurë e sipër, është propozuar edhe ulja për 50 për qind e dënimeve për pedofilët.
Në Maqedoninë e Veriut ka zyrtarisht 319 pedofilë, emrat, mbiemrat, pseudonimet dhe të dhëna tjera për këta persona mund t’i gjejmë në www.registarnapedofili.mk. Numri i pedofilëve besohet të jetë shumë më i lartë, pasi jo të gjithë janë të evidentuar në këtë regjistër.
Rikujtojmë që ky regjistër aktualisht funksionon vetëm në gjuhën maqedone, Mollëkuqja disa herë ka kërkuar nga ministria e Punës dhe Politikës Sociale që ta përkthejë atë, por pa sukses.
Në gjuhën shkencore njihet si mjekim farmakologjik, përkatësisht trajtim përmes injektimit apo barnave të cilat do të ulnin dëshirën për aktivitete seksuale, pra do të ulin nivelet e testosteronit te burrat, si hormonin që shkakton shtytjen drejt aktiviteteve seksuale.
Populli mund ta kuptojë më thjeshtë këtë si tredhja. Pra, kryhet me anë të një injeksioni me ilaçe të ndryshme, që në mënyrë efektive nuk mund të kryesh marrëdhënie seksuale. Kjo metodë është përdorur që nga viti 1944.
Për personat që vuajnë nga pedofilia, Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Neni 61 dhe Neni 65 e kanë mundësuar një gjë të tillë, por pasi nuk u zbatua asnjëherë, autoritetet vendosën ta heqin fare si mundësië.
Grupi i punës për hartimin e Kodit të ri Penal, pasi ka analizuar dispozitën e përmendur (mjekimi mjekësor-farmakologjik i kryesve të sulmit seksual mbi një fëmijë deri në moshën 14 vjeçare), në KP të ri propozon fshirjen e kësaj mase për shkak të pazbatueshmërisë së saj në praktikë.
Ministria e Drejtësisë
Përveç kësaj, ministria e Drejtësisë ka ulur dënimet për personat që abuzojnë seksualisht me fëmijë nën moshën 14 vjeçe për 50 për qind, përkatësisht nëse më herët këta persona janë dënuar deri në 12 vite burg, tashmë do të dënohem me të paktën 8 vite burg. E vetmja gjë pozitive në këto ndryshime, është ngritja e kufirit të moshës nga 14 vjeç në 15 vjeç për atë se kush konsiderohet viktime në këtë vepër penale.
Profesoresha e së drejtës penale, Vedije Ratkoceri, për Mollëkuqja potencoi se në shtetet të cilat e aplikojnë këtë metodë, ka ulje të përsëritjes së kësaj vepre nga të njejtit kriminelë.
“Studimet e ndryshme rreth përdorimit të këtij tretmani flasin për uljen e normës së recidivizmit te kjo vepër penale në shtetet në të cilat aplikohet.” tha Vedije Ratkoceri.
Kastrimi kimik, aplikohet në disa shtete të botës përfshirë disa shtete në SHBA, Korenë e Jugut, Republikën Çeke, Ukraina, Nigeria, Kina, dhe shumë shtete të tjera.
Edhe sipas të dhënave të Prokurorisë, në lidhje me sulmet seksuale ndaj fëmijëve të cilët nuk kanë mbushur 14 vjet gjatë vitit 2021 ka pasur 25 persona të regjistruar, ndërsa në vitin 2022 vetëm 29. Për këtë vepër, në vitin 2021 pati 13 të akuzuar, ndërsa në vitin 2022 vetëm 22. Numri i gjykimeve për vitin 2021 ishte 18 ndërsa në vitin 2022 ishte 19.
Megjithatë sa pedofilët e marrin dënimin që u takon dhe sa shteti punon në këtë drejtim?
“Ata trajtohen nga sistemi si edhe çdo kryerës i ndonjë vepre penale tjetër. Studimet dhe praktikat e shteteve bashkëkohore dëshmojnë se abuzuesit seksual të fëmijëve krahas ballafaqimit me drejtësinë dhe vuajtjes së dënimit me burgim duhet të trajtohen edhe nga institucionet dhe profesionistët mjekësor. Përkatësisht nëse vepra penale e abuzimit seksual ka ardhur si pasojë e çrregullimit psiko-seksual (pedofilisë), këta individë duhet të diagnostikohen dhe të u nënshtrohen të paktën tretmanëve psikologjike, nëse jo edhe tretmanëve të tjera mjekësore – farmakologjike (kastrimit kimik). Kjo absolutisht nuk duhet të interpretohen se këta individë nuk duhet të vuajnë edhe dënimin me burgim për veprën penale të kryer”, thekson Ratkoceri.
Ndryshe, propozim ndryshimet në Kodin Penal për këtë nxitën reagime të shumta në opinionin publik. Partitë opozitare kundërshtuan ashpër uljen e dënimeve për pedofilët ndërsa ekspertët kërkuan që kjo kategori e njerëzve, përveç dënimit me burg, të ju nënstrohen edhe tretmaneve psikologjike dhe marmakologjike siç është kastrimi kimik.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia