January 20th, 2023
Është rritur numri i pedofilëve të regjistruar në Regjistrin e Pedofilëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët me vendim të plotfuqishëm janë dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me abuzimin seksual të fëmijëve. Në maj 2022 ky numër ishte 294 ndërsa sot në janar 2023 ky numër është 303. Disa prej tyre janë në liri, ndërsa të tjerë vuajnë dënimin. Megjithatë, ky regjistër vazhdimisht has në probleme të vazhdueshme, ndërsa numri i veprave penale nga kjo fushë është shqetësues.
Në regjistrin e pedofilëve të krijuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, aktualisht janë të regjistruar 303 persona.
Regjistri përmban të dhëna për personat e dënuar me vendim të formës së prerë për krime kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual ndaj fëmijëve, aty janë të shënuara emri, mbiemri, pseudonimi, datëlindja, adresa e vendbanimit-qëndrimit, krimi për të cilin janë dënuar, masa e dënimit, fillimi, pushimi apo ndryshimi i vuajtjes së dënimit me burg.
Të dhënat e të gjithë të regjistruarve në këtë regjistër publik, pavarësisht nëse ndodhen në burg apo dalin nga burgu pasi ta vuajnë dënimin, mbeten në regjistër, me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes së popullatës dhe fëmijëve. Pra nëse një person vendoset në këtë regjistër, ai do të jetë aty derisa të jetë gjallë.
Ky regjistër edhe pse shumë i nevojshëm për popullatën, herë pas here nuk është i qasshëm. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale arsyetohet se faqja me raste bie pasi bëhet përditësimi i së njëjtës.
Megjithatë së fundmi, kur një qytetar klikon këtë ueb faqe, jo menjëherë paraqitet regjistri, del një dritare e cila lë hapësirë dyshimi se kjo ueb-faqe nuk është e sigurt për përdorim. Pasi aty thuhet se mund të ju vidhen të dhëna personale.
Kjo paraqitet nëse klikoni në registarnapedofili.mk.
Për këtë, pyetëm në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), se përse nuk po sofistikohet ky regjistër. Nga atje u përgjigjën shkurt pa dhënë detaje.
Ju informojmë se Regjistri i Pedofilëve është duke funksionuar, ndoshta në momentin e kërkimit tuaj ka pasur ndonjë arsye teknike që nuk keni mundur të hyni në të. Nëse keni problem me hyrjen në faqe dhe ju del opsioni opsionin advanced, klikojeni atë dhe më pas continue to www.registarnapedofili.mk.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale
Në formë vizuale kështu duket kjo përgjigje e Ministrisë.
Ndërkaq, pas klikimit të kësaj, faqja është e qasshme dhe aty mund të shihen se kush janë pedofilët dhe të dhënat e tyre.
Ky regjistër shpesh edhe bie dhe nuk është i qasshëm për përdoruesit.
Problem tjetër është se ky regjistër është vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nuk e pa të arsyeshme të përgjigjet në pyetjen se përse kjo faqe nuk është në gjuhën shqipe dhe nëse është në plan të përkthehet.
Referuar defekteve të lartpërmendura për sa i përket sigurisë së përdorimit të këtij regjistri, biseduam me një ekspert të informatikës. Sipas tij, problemi qëndron se nuk është rinovuar SSL Certifikata, andaj edhe paraqitet si faqe e pasigurt, por që kjo sipas tij nuk përmban rrezik për vizitorët.
Profesoresha universitare e së Drejtës Penale, Vedije Ratkoceri thotë se vetë qëllimi i ekzistimit të këtij regjistri për abuzuesit seksual të fëmijëve dhe pedofilëve është parandalimi i këtyre veprave penale. Duke qenë se këto vepra penale shpesh herë janë krime oportune, përmes regjistrit i jepet mundësia edhe publikut të gjerë që të kontribuojë në parandalimin e tyre. Dhe kësisoj, parandalimi përmes regjistrit bëhet duke pasur qasje vazhdimisht në të, pra të jetë funksional, si dhe këto të dhëna të jenë vazhdimisht të azhuruara.
"Kur dikush ka dyshime apo dëshiron të kontrollojë mos vallë personi (komshiu, mësuesi, trajneri, etj) me të cilin ka kontakt fëmija i tij në të kaluarën ka qenë i dënuar për ndonjërën nga veprat penale që lidhen me abuzimin seksual të fëmijëve dhe trafikimin e tyre të mund të ketë qasje në regjistër dhe të marr informatën e tillë në çdo kohë sepse kjo do të kontribuonte pa dyshim në parandalimin e abuzimit potencial të fëmijës", thekson Ratkoceri.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), pedofilia është e përfshirë në krimet kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual dhe për këtë ekzistojnë disa nene në bazë të të cilës ajo dënohet.
Numri i sulmeve seksuale ndaj fëmijëve të cilët ende nuk kanë mbushur 14 vjet në vitet e kaluara ishte i lartë, edhe atë: në vitin 2019- 30 raste, në vitin 2020- 35 raste, në vitin 2021- 28 raste, ndërsa në periudhën janar-nëntor të vitit 2022-22 raste.
Të dhënat tjera tregojnë se numri i viktimave të prezantimit të materialit pornografik të fëmijëve për periudhën 2019-2021 në total është 16. Numri i viktimave të prodhimit dhe shpërndarjes së pornografisë fëmijërorë për këtë periudhë është 9. Ndërsa numri i incestit për këtë periudhë është 4.
Për vitin 2022, konkretisht periudhën janar-nëntor 2022, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme numri i veprave penale kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual ka qenë 85 ndërsa numri i kryerësve 77. Të njëjtat në formë të detajuar mund të shihen në ilustrimin e mëposhtëm.
Për sa i përket veprave penale të pedofilisë në nivel nacional për vitin 2022, nga Prokuroria Themelore Publike thonë se janë duke u grumbulluar të dhënat për procedurat në prokuroritë publike për veprat penale për vitin 2022 për të përgatitur Raportin Vjetor për punën e prokurorive publike.
Sa i përket procedurës për veprën penale Sulmi seksual ndaj të miturit nën 14 vjeç nga neni 188 i Kodit Penal për vitet e kaluara, numri i tyre është pjesë përbërëse e raporteve vjetore për punën e prokurorive publike për çdo vit individualisht.
Prokuroria Themelore Publike
Profesoresha Ratkoceri vlerëson se Maqedonia e Veriut ka qenë e para dhe e vetmja në rajon që ka hartuar një politikë preventive dhe represive ndaj këtyre krimeve që nga viti 2012 duke miratuar Ligjin e posaçëm për regjistrin publik të këtyre kryerësve, pastaj duke inkorporuar në legjislacionin penal tretmanin mjekësor-farmakologjik (kastrimi kimik) si masë të sigurisë për këta kryerës si dhe duke ashpërsuar dënimet në Kodin Penal.
“Mirëpo, duke mos e vënë asnjëherë në jetë tretmanin mjekësor-farmakologjik (asnjëherë nuk u shqiptua nga Gjykatat ndaj asnjë kryerësi) dhe së fundmi edhe duke e hequr atë nga legjislacioni penal, pastaj duke mos e azhurnuar dhe mbajtur në funksion vazhdimisht regjistrin e pedofilëve, mendoj se Maqedonia e Veriut ka shënuar regres të theksuar në drejtim të parandalimit dhe luftimit të abuzimit seksual të fëmijëve dhe pedofilisë në vend.
Vedije Ratkoceri
Ajo shton se institucionet duhet të kenë qasje serioze ndaj këtij fenomeni sepse është një ndër format më të rënda të kriminalitetit.
Përveç dënimeve të ashpra me burgim, duhet të mendohet edhe për tretmanët mjekësore dhe psikologjike që sot shtetet bashkëkohore i aplikojnë ndaj abuzuesve seksual të fëmijëve si dhe të kujdesen për funksionalizimin permanent të regjistrit. Vigjilentë ndaj kësaj dukurie duhet të jenë edhe prindërit dhe të tjerët që kanë në kujdes fëmijë.
Vedije Ratkoceri
Përndryshe, se sa i rëndësishëm është ky fenomen dhe cilat janë pasojat, kjo më së miri u kuptua pas bërjes publike të skandalit të “Dhomës Publike” ku shpërndaheshin materiale pornografike të vajzave, ku në mesin e tyre kishte edhe të mitura. Krijuesit e këtij kanali në “Telegram” u dënuan me katër vite burg.
Burimi: Portalb
LEXO EDHE KËTË: Në RMV zyrtarisht ka 294 pedofilë, shumica janë në liri „me raste” mund të informohemi se kush janë ato
LEXO EDHE KËTË: "Përndjekja" si vepër penale, ngacmimet ndaj vajzave duhet të presin disponimin politik për t'u sanksionuar
LEXO EDHE KËTË: Shpërndarje e pornografisë së fëmijëve: Dy krijuesit e "Dhomës Publike" u dënuan me nga katër vite burg
LEXO EDHE KËTË: "Përndjekja", aktorëve politik nuk u “ngutet” të miratojnë propozim-ndryshimet në Kodin Penal
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Kohë për të jetuar, kohë për t'u arsimuar: Kur gruas shqiptare në RMV i mohoh...
Shefkije Alasani
05/12/2022
Skandal, pacientja nga Tetova: "Më dhanë diagnozë të rreme për kancer, m'i ho...
Ardit Ramadani
15/03/2023
Maqedonia dhe Shqipëria luftojnë pedofilinë me armë të dobëta, fëmijët pa mbr...
Rita Behadini
27/07/2024
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia