December 5th, 2022
Në shumë raste lufta bëhet dhe me penë e dituri... kështu e fillon rrëfimin e saj mësuesja Arzie Dika e cila mbi supe mban një bagazh të madh kujtimesh e përjetimesh si një ndër pak gratë e shkolluara në kohën e saj. Ishte koha kur gratë, e me theks të veçantë ata shqiptare, nuk guxonin as ta ëndërronin shkollimin, e lëre më ta përjetojnë.
Arzie Dika sot është 75 vjeçare dhe veterane e arsimit shqip. Në moshën 20 vjeçare, pra më shumë se gjysmë shekulli më parë, ajo me krenari filloi punën e saj të ëndrrave: mësuese e gjuhës shqipe në shkollën ku ajo vetë kishte qenë nxënëse dikur. Si një ndër gratë e rralla të shkolluara në atë kohë, pa e ditur për sfidat dhe problemet që do vinin pas, ajo e filloi me shumë dashuri dhe pasion mësimdhënien në shkollën fillore “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë.
Duke e kujtuar periudhën e vitit 2001 ajo thotë se mbase ky vit ishte një pjesë e hidhur e historisë që na u desh ta përjetojmë, megjithatë rrënjët e ngjarjeve në 2001 janë shumë më të thella. Në rajonin e Strugës nuk pati luftime, por konflikti ndillte atmosferën e rëndë dhe kujtimet e një periudhe më të hershme ku shumë shqiptarë humbën vendin e punës për shkaqe politike dhe kur tensionet ndëretnike ishin të mëdha. Një nga ata që humbën vendin e punës gjatë asaj periudhe ishte edhe mësuesja Arzie por tani si nënë, mësuese dhe grua periudha e konfliktit i ngjallte prapë frikë dhe pasiguri. Lufta e vitit 2001 e prishi atë pak qetësi dhe rend që kishte filluar në shkollën ku ajo punonte pas vitit 1995.
“Të ishe mësuese në këtë periudhë ishte sfidë në vete. Luftën e kishim në oborr të shtëpisë, ushtarë me armatime të rënda në çdo cep, tensione. Një fjalë e vogël nxiste urrejtje tek nxënësit të cilët më pas ishin gati të përleshen. Ne armë e kishim lapsin, luftonim me mish e me shpirt që t’i edukojmë sa më mirë fëmijët sipas vlerave njerëzore. Gjithmonë ishim vigjilent që të mos eskalojë situata”.
Arzie Dika
Situata e krijuar në vitin 2001, ndikonte jashtëzakonisht shumë tek fëmijët, të cilët bëheshin gjithmonë e më të dhunshëm. Ka pasur edhe raste të tilla kur fëmijët janë përdorur për të krijuar tensione. Barrën për t'u kujdesur që fëmijët të mos përfshihen në zënka e të mos bien pre e provokimeve në shkollë e kishin mësimdhënësit. Mësueset kishin një rol të veçantë rreth sjelljes së nxënësve brenda dhe jashtë shkollës. Sipas mësuese Arzies natyra femërore dhe metodat që përdorinin mësueset ndikonin shumë tek qetësimi i nxënësve.
“Në shkollën tonë mësonin bashkë shqiptarë dhe maqedonas, lufta vetëm se na përçau dhe largoi më shumë. Për t’i shmangur incidentet ndërmjet nxënësve, nxënësit shqiptar nga ata maqedonas ishin ndarë në ndërrime të ndryshme ashtu që të mos kenë kontakt. Mbaj mend që kishte shumë zënka mes fëmijëve, kishte shumë urrejtje. Ne si mësimdhënës mundoheshim sa më shumë ta zbusnim urrejtjen e cila dita ditës bëhej edhe më e vështirë për tu kontrolluar".
Arzie Dika
Jeta e shumë njerëzve u diktua fuqishëm nga zhvillimet e vitit 2001 megjithatë kjo luftë ishte vetëm maja e ajsbergut. Mësuese Arzia e vazhdon më tej rrëfimin duke na treguar se periudha e konfliktit të armatosur nuk ishte e lehtë të jetohet si mësimdhënëse, si nënë e si grua. Megjithatë, ajo thotë se i bëri ballë lehtë asaj periudhe ngaqë përvojat e pakëndshme dhe sistemi i padrejtë atë e kishte goditur dhe më herët.
Mbetur jetime në moshën 10 vjeçare ajo rritet nga nëna e saj e cila ekzistencën e familjes e siguroi duke punuar tokën. Mësuse Arzia e përshkruan nënën e saj si një grua të fortë dhe punëtore e cila ndonëse vet nuk pati fatin të shkollohet dëshira dhe ëndrra e saj më e madhe në jetë ishte shkollimi i fëmijëve.
“Unë rrjedh nga një familje fisnike, mësim-dashëse dhe atdhedashëse, edhe përkundër vështirësive të mëdha ekonomike por edhe mentalitetit patriarkal të asaj kohe me shtysën e nënës unë vazhdova shkollimin e lartë", thekson Arzie Dika.
Në vitet e 60-ta shkollimi ishte një luks i madh për shqiptarët, e sidomos edukimi dhe emancipimi i gruas shqiptare. Varfëria dhe analfabetizimi kolektiv kishin ngjizur idenë se vajzat nuk duhen të shkollohen. Të shumta ishin familjet, sidomos nëpër fshatra, që vajzat i ndalin nga shkolla në klasë të katërt. Mësuese Arzia teksa na tregon me nostalgji vitet e shkollës së mesme në Strugë, ndër tjera thotë se ishin vetëm katër vajza shqiptare. Në vitin 1965 me ndihmën e nënës dhe të familjes së të fejuarit ajo vazhdon Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup.
“U fejova pasi e përfundova gjimnazin, pata fat që të bëhem pjesë e një familje intelektuale të cilët ishin një shtysë edhe më e madhe që unë ta vazhdoj shkollën e lartë. Ishin dy vite shumë të rënda, megjithatë vullneti bëhej gjithmonë e më i madh. Dëshira për t'ia realizuar ëndrrën nënës time që unë të bëhem mësuese më jepte shumë fuqi”.
Arzie Dika
Me përkushtim dhe dashuri të madhe fillon punën si mësuese e gjuhës shqipe menjëherë pas diplomimit. Në mungesë të kuadrit profesional e angazhojnë të mbajë lëndë shtesë si: gjuhë maqedonase, moral socialist dhe gjeografi. Pas 12 vitesh punë të palodhshme, në vitin 1981, mësuese Arzien e largojnë nga puna për shkaqe politike.
“Edhe pse isha mësuese e gjuhës shqipe unë kisha metodat e mia se si e mbaja mësimin, nxënësve ju flisja edhe për shkrimtarët e nacionaliteteve tjera. Mënyra ime më e dashur për të ngulitur në mendjen e nxënësve autorët por edhe për t'i motivuar ata ishte duke varur në mur portretin e çdo shkrimtari dhe poshtë tij një varg të krijimtarisë të atij shkrimtari. Në kabinetin tim kishte portrete të: Naimit e Samiut, Nolit e Konicës, Çajupit e Migjenit por edhe të vëllezërve Miladinovci, Petar Petroviq Negosh, Ivo Andriç, Koço Racin, etj. Gjithsesi, portretet e autorëve shqiptar, ishin shkak që mua të më largojnë nga puna”.
Arzie Dika
Punës që ajo aq shumë e donte mësuese Arzia mundi t’i rikthehet pas 14 vitesh.
"Në vitin 1995 u punësova në të njëjtin vend punë. Për arsye shëndetësore personi që më zëvendësoi mua në vitin 1981 u largua nga puna dhe shkolla hapi konkurs. Unë e fitova konkursin dhe e fillova punën aty ku e kisha lënë".
Arzie Dika
Gjithë këto vite ajo detyrohet të punojë punë të ndryshme, kryesisht si shitëse. Madje, një periudhë punonte edhe si shitëse e pjesëve për automjete, një biznes të cilin e kishin hapur bashkë me të shoqin. Edhe përkundër paragjykimeve se kjo nuk na ishte punë për gra ajo thotë se asnjëherë nuk e ka pasur problem të punojë çfardo pune të ndershme.
“Mirësinë dhe aftësinë e një njeriu, pa marr parasysh femër apo mashkull, e definojnë karakteri dhe dëshira për punë. Unë kam punuar çdo gjë që ka qenë e nevojshme. Gjatë kohës që kam qenë e angazhuar me punë, qoftë si mësuese apo shitëse, ndërkohë më është dashur të merrem edhe me pastrim e gatim, të rris fëmijët po edhe të punoj në fushë”.
Arzie Dika
Mësuese Arzia nuk ishte e vetmja që u largua nga puna për shkaqe politike gjatë viteve të 80-ta, në Strugë gjatë asaj periudhe nga puna u dëbuan 80 persona. Ndërkohë, u burgosën 100 persona vetëm për shkak se kishin marrë pjesë në demonstrata ku shqiptarët kërkonin të drejtat e tyre, ndërsa 26 struganë u burgosën për shkaqe politike dhe u dënuan prej 1 deri 15 vjet.
Por ato muaj konflikti në fillim të vitit 2001 për mësuese Arzien, si grua, ngjallnin frikë se nëse luftimet vazhdonin, vajzat e gratë do të mbesnin kryesisht në shtëpi. Pati frikë se sërish pak vajza e gra do ishin prezente në jetën publike. Pati frikë se sërish do kishte pushime nga puna, burgosje, dënime, frenim të zhvillimit.
Lufta e vitit 2001 e cila përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit ishte katalizator që të ndryshohet realiteti i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. E drejta e siguruar për edukim dhe shkollim bëri që vajzat gjithnjë e më shumë të ndjekin rrugën e shkollimit. Nëse para 50 vitesh mësuese Arzia ishte ndër gratë e vetme në kolektivin shkollor ku ajo punonte, sot ndodh e kundërta. Në tre vitet e fundit në ciklin e parë të studimeve në programet e Fakultetit Pedagogjik në Universitetin e Tetovës janë regjistruar 464 studente femra dhe 26 studentë meshkuj. Por sot gratë dhe vajzat shqiptare nuk janë vetëm mësuese, ata i gjen mjeke, avokate, gjykatëse, profesoresha universitare, deputete...madje dhe oficere në ushtri.
За верзијата на македонски јазик кликнете тука.
“Ky publikim u mundësua me përkrahje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja" dhe nuk i reflekton pamjet e Bashkimit Evropian.”
Shefkije Alasani Dika ka kryer studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin "Komunikim Ndërkombëtar". Tre vite ka punuar si gazetare në sektorin e informimit online në Televizionin Alsat, kurse nga viti 2019 punon si gazetare e pavarur në projekte të ndryshme mediatike. Shefkija është edhe verifikuese e fakteve dhe recensente.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia