December 8th, 2021
Dhuna në familje është prezente në Maqedoninë e Veriut dhe prek si burrat ashtu edhe gratë. Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga janari deri në shtator të vitit 2021 gjithsej 883 persona kanë paraqitur dhunën në familje, nga ku 678 janë gra dhe 205 burra. Nga ana tjetër, një formë e re e dhunës në kohën moderne është edhe dhuna në internet, ku sipas një hulumtimi të “Mollëkuqja”, 65.8% e vajzave janë viktimë e të njëjtës.
Sipas Organizatës Së Kombeve të Bashkuara dhuna kundër grave përkufizohet si çdo akt i dhunës me bazë gjinore që rezulton ose ka të ngjarë të rezultojë në dëmtim fizik, seksual ose psikik të grave, duke përfshirë edhe kërcënimet për akte të tilla, detyrimin ose privimin arbitrar të lirisë në jetën publike ose private të gruas.
Stojan Misev nga Asociacioni ESE thotë se është shqetësues fakti se në 20 vitet e fundit kemi një tendencë të rritjes së dhunës në familje, ku çdo e dyta grua ka pësuar dhunë psikologjike, ndërsa çdo e pesta ka pësuar dhunë fizike nga partneri. Edhe pse ekzistojnë ligje për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna në familje, sipas tij, shteti nuk bën mjaftueshëm në këtë drejtim.
“Edhe pse dhuna në familje rregullohet ligjërisht që nga viti 2004, fatkeqësisht shteti nuk ka treguar vullnet real dhe as nuk ka ndarë fonde të mjaftueshme buxhetore për mbrojtjen efektive të grave që kanë pësuar dhunë në familje. Si rezultat i këtij qëndrimi pasiv dhe tolerant ndaj dhunës në familje, ne përballemi me mangësi serioze sistematike në përballjen me këtë fenomen të rëndë shoqëror”
Stojan Misev, Asociacioni ESE
Sipas një studimi të realizuar nga ESE gjatë kohës së pandemisë gratë janë përballur me dhunë psikike, fizike dhe ekonomike. Edhe pse 70% e grave që janë përballur me dhunë gjatë kohës së pandemisë e kanë zgjidhur problemin, të njëjtat mendojnë se shteti nuk ofron masat e duhura për mbrojte dhe parandalim. Sipas tyre, viktimave duhet t'u sigurohet kujdes dhe mbrojtje më e madhe, edukim dhe inkurajim për të raportuar dhunën, ndihmë financiare dhe punësim dhe angazhim më i madh me shërbimet sociale.
Gjatë krizës së shkaktuar nga KOVID 19 dhe gjendjes së jashtëzakonshme, situata socio-ekonomike e grave që pësuan dhunë në familje u përkeqësua më tej. Krahas problemeve të zakonshme, gratë u përballën me një rrezik të shtuar dhe përshkallëzim të dhunës, duke përfshirë shfaqjen e formave specifike të dhunës psikologjike dhe ekonomike. Fatkeqësisht, përkundër rritjes së problemeve me të cilat ballafaqohen gratë që kanë pësuar dhunë në familje, ato nuk kanë pasur mundësi t'i zgjidhin ato, sepse pas raportimit të dhunës nuk ka pasur ndihmën dhe përkrahjen adekuate nga institucionet kompetente. Për më tepër, gratë hasnin vështirësi në komunikim me vetë institucionet.
Stojan Misev, Asociacioni ESE
Sipas një hulumtimi të “Mollëkuqja” 65.8% e vajzave përballen me ngacmime në rrjete sociale, gjuhë të urrejtjes, ofendime dhe kërcënime, dhe 42.7% i injorojnë mesazhet e këtilla. 46.6% e vajzave të anketuara i raportojnë duke reaguar ose duke i bërë publik në rrjetet sociale të cilat i përdorin. Kjo lloj dhune është e re për shtetin tonë dhe ende jo e rregulluar me ligj. Që nga muaji shtator propozim/ndryshimet ligjore në Kodin penal të cilat do të ishin garanci plotësuese për sigurinë e grave dhe vajzave presin disponimin politik për miratim në Kuvend. Ministria e Drejtësisë, në propozim ndryshimet në Kodin Penal, ka përfshirë veprën e re penale “Përndjekje”, e cila synon të rregullojë me ligj sanksionet për personat të cilët rrezikojnë sigurinë dhe privatësinë e tjetrit, fizikisht ose në internet.
Nga kjo ministri sqarojnë për “Mollëkuqja” se dënimet për këtë vepër, parashikohet të jenë deri në 5 vite burg. Këtu përfshihen ndjekja, shqetësimi, frikësimi, abuzimi psikik i personit tjetër, përfshirë këtu edhe hapësirën virtuale, gjëra të cilat deri tani nuk kanë paraqitur vepër penale.
Sipas sociologes Drita Memeti kohëve të fundit çdo ditë e më shumë komunikimi online është kthyer në një kërcënim. Përdoruesit e internetit, rrjeteve sociale si dhe komunikimit online sipas saj ballafaqohen me keqpërdorimin e të dhënave personale, fyerje, sharje, kërcënime, keqpërdorime të profileve personale, të cilën situatë ndryshe mund ta quajmë edhe si dhunë kibernetike.
Edukimi në parim është çelës i sjelljes së mirë prandaj mungesa e tij për pasojë sjell deri në manifestimin e sjelljeve jo të mira në përgjithësi si dhe të dhunës në veçanti. Dhuna shfaqet në forma të ndryshme në mesin tonë, sot evidentohet edhe një lloj dhune që quhet si “dhuna online” e cila është në përhapje e sipër sepse është më lehtë e realizueshme dhe më pak e sanksionuar deri më tani. Kjo lloj dhune ndikon në mënyra të ndryshe te individët që bien pre e saja, në të shumtën e rasteve ata janë gratë dhe fëmijët të cilët mund të përfundojnë në gjendje ankthi apo depresioni.
Drita Memeti, sociologe
Mungesa e aktiviteteve parandaluese, përkatësisht informimi i pamjaftueshëm i popullatës për natyrën e dhunës në familje dhe mekanizmat ligjorë për mbrojtje, sipas Stojan Misev kontribuon në trendin e vazhdueshëm të prevalencës së lartë të dhunës në familje në shoqërinë tonë. Nga ana tjetër, sipas tij pabarazia gjinore, pra vlerat tradicionale patriarkale që imponojnë rolin e nënshtruar të gruas ndaj burrit në martesë dhe shoqëri, janë arsyet kryesore të shfaqjes dhe vazhdimit të dhunës në familje.
Edukimi gjithpërfshirës seksual nëpër shkolla parasheh një kapitull që do t’i mësonte nxënësit se si të mbrohen dhe të parandalojnë dhunën. Sipas profesoreshës universitare Besa Arifi, edukimi është shpesh i formalizuar dhe bëhet sa për sy e faqe, problemet esenciale lihen të patrajtuara qoftë për shkak se bëhet fjalë për tema gjinore që shpesh trajtohen si senzitive për të mos thënë tabu.
Në shkencën e kriminologjisë shpesh herë flitet për lidhshmërinë mes mungesës së edukimit dhe kryerjes së krimeve të dhunës. Citohet edhe shkrimtari Viktor Hygo i cili ka thënë që hapja e një shkolle është mbyllja e një burgu. Por në ditët tona nuk është vetëm pyetja a ka shkolla të mjaftueshme por a ka edukim cilësor që vërtet ndërton gjenerata nxënësish të cilët i thonë jo dhunës. Mjafton një shikim i shpejtë në rrjetet sociale për të vërejtur sa të dhunshme janë shkrimet dhe komentet që gjehen aty, sa nënçmuese dhe denigruese dhe jashtë çdo standardi të civilizimit bazik.
Besa Arifi, profesoreshë universitare
Ndonëse lënda e Edukimit Gjithpërfshirës Seksual do të parandalonte dhunën, përfshirja e kësaj lënde në kurrikulat shkollore ka nxitur debate dhe kundërshtime në publik. Sipas sociologes Drita Memeti inkuadrimi i lëndës së edukimit seksual në kuadër të planprogramit mësimor për prindërit dhe për shoqërinë tonë, paraqet një risi dhe jo çdo herë inovacionet priten krah hapur nga shoqëria jonë sepse gjithmonë ekziston edhe frika nga ajo se çfarë rezultati mund të sjelli një ndryshim.
“Përfshirja e lëndës së edukimit seksual në kuadër të kurrikulave shkollore do të ishte një hap i rëndësishëm në zhvillimin psiko-social të nxënësve pasi që me kalimin e viteve ato pësojnë edhe ndryshime të shumta për të cilat duhet të informohen si nga rrethi familjar ashtu edhe në hapësirat shkollore me qëllim që procesi i socializmit të realizohet sa më drejtë. Puberteti sjell ndryshime të mëdha te fëmija të cilat janë risi dhe nga mos dija fëmija mund të pësoj tronditje duke menduar se diçka nuk është në rregull me atë prandaj në kuadër të kësaj lënde nxënësit duhet të informohen për : ndryshimet fizike, sociale dhe emocionale, Informacion për sëmundjet e transmetueshme, informacion për një marrëdhënie seksuale të shëndetshme si dhe shumë tema të tjera të cilat deri më tani kanë qenë tabu dhe të pa diskutuara”
Drita Memeti, sociologe
Në Maqedoninë e Veriut lënda e Edukimit Gjithëpërfshirës Seksual (EGJS) ka filluar këtë vit si një projekt pilot në gjithsej tre shkolla në vend. E njëjta zbatohet me pëlqimin e prindërve të fëmijëve që ndjekin mësimet.
Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia