Navy-Yellow-Illustrative-Thank-You-Teachers-Card-(1440-x-550-px)-2.png

“Arsimi është punë për gra”, burrat drejtohen te punët më të paguara

PASOJA

November 3rd, 2021

Sektori i arsimit fillor mbushet gjithmonë e më shumë me nëpunëse gra. Konkretisht mësimdhënia, si rregull i pashkruar, është shndërruar në një profesion për gra, me më shumë kohë të lirë dhe një vend pune i qëndrueshëm. Të dhënat zyrtare shtetërore tregojnë se në vitin 2018 në sektorin e arsimit në vendin tonë janë të punësuar 28.106 gra dhe 16.591 burra (62.9% gra dhe 37.1% burra). Shifrat janë të ngjashme edhe në vitin 2019, ku 28.800 të punësuar në arsim janë gra dhe 17.387 janë burra (62.4% gra dhe 37.6% burra). Në tre vitet e fundit në ciklin e parë të studimeve në programet e Fakultetit Pedagogjik në Universitetin e Tetovës janë regjistruar 464 studente femra dhe 26 studentë meshkuj. 

  • Nga 246 studentë në vitin akademik 2019/20 femra janë 234 dhe 12 meshkuj. 

  • Gjatë vitit akademik 2020/21 studente femra janë 129 dhe 6 janë meshkuj. 

  • Gjatë vitit aktual akademik 2021/22 janë regjistruar 109 studentë, prej të cilëve 101 janë femra dhe 8 janë meshkuj.

Intervistuam disa gra që janë pjesë e këtij sektori për mënyrën se si e përjetojnë ata paragjykimin shoqëror mbi këtë profesion.

Besmira Ibraimi, profesoreshë e diplomuar e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, mendon se, në një farë forme, shoqëria të dikton se cilat profesione janë ose nuk janë të përshtatshme për një grua, duke u bazuar në aftësitë fizike, dallimet gjinore, kulturore, etnike e kështu me radhë. 

"Para se të zgjedhësh drejtimin e profesionit dëgjon fraza si: "mjekësia nuk është për vajza, zgjat me vite e kështu të kalon koha për t'u martuar", "vajzë je, nuk ka të ardhme në botën e sportit për ty", "me gjithë ato udhëtime jashtë shtetit dhe orë të vona pune, nuk është punë për grua" etj. Imponime të bazuara në paragjykime gjinore dhe aspak të bazuara në dëshirat dhe aftësitë e personit. E diplomuar si profesoreshë e Gjuhes dhe Letërsisë Shqipe, në biseda të ndryshme kam marrë komente të tilla se kam bërë përzgjedhjen e duhur meqë ky është profesioni ideal për vajza. Me aq sa shoh në realitetin tonë shoqëror, mendoj se një përqindje shumë e vogël parapëlqejnë të punojnë në arsim, kurse pjesa tjetër është vetëm produkt i një shoqërie patriarkale", thekson Ibraimi.

“Arsimi është punë për gra”, burrat drejtohen te punët më të paguara

Aktualisht Ibraimi nuk e ushtron profesionin e mësimdhënies, edhe pse bën një punë në kuadër të asaj që ka studiuar. Ajo madje është në pritje të publikimit të librit të saj të parë me titullin “Analizë semantike dhe pragmatike e sloganeve politike në Maqedoninë e Veriut”, megjithatë vazhdimisht e ndjen imponimin e shoqërisë që sa më shpejt duhet kthehet në arsim.

"Shoqëria e përcakton vendin e gruas, e në arsim ajo do ketë një vend të sigurt, do jetë në zonën e komfortit dhe larg ndonjë karriere me obligime më që nuk janë për gra. Nga ana tjetër, një burri nuk i diktohet arsimi si "puna ideale" meqë meshkujt supozohet të kenë paga me të larta për ta mbajtur familjen dhe poashtu të rriten në detyrë. Ky paragjykim gjinor shkakton imponime të cilat rezultojnë në vendime të gabuara dhe me pasoja”, thekson Ibraimi.

Për ata të cilët mësimdhënien e ushtrojnë me përkushtim dhe profesionalizëm është absurd dhe i palogjikshëm përkufizimi që i bëhet këtij profesioni. Mësimdhënia nuk është aspak profesion i lehtë dhe nuk është aspak e vërtetë se mësimdhënësit kanë shumë kohë të lirë, thonë ata. 

Lizana Ziba ka 17 vjet në mësimdhënie. Gjatë gjithë kësaj periudhe ajo thotë se vazhdimisht e dëgjon thënien se "arsimi është për gra". Megjithatë Ziba vlerëson se ky profesion është shumë i rëndësishëm pa marrë parasysh se nga cila gjini ushtrohet.

“Arsimi është punë për gra”, burrat drejtohen te punët më të paguara

“Në momentin që i regjistrova studimet e mija në fakultetin e shkencave kompjuterike, fare nuk e kisha menduar dhe as që ishte në preferencat e mia personale të punoja si mësimdhënëse. Kjo ndodhi krejt rastësish meqë menjëherë pas përfundimit të studimeve mu ofrua punë si mësimdhënëse e lëndës së informatikës dhe si çdo të riu që do t’i ofrohej një vend pune menjëherë pas studimeve, normalisht se pranova. Në fakt, profesioni i mësuesit konsiderohet si profesion i shenjtë dhe është për të gjithë ata që mendojnë ta kryejnë me përkushtim, pa dallim gjinie. Por, një numër i madh i femrave janë të vetëdijshme për fleksibilitetin e orarit të punës, si dhe normat dhe kulturën shoqërore dhe zgjedhin të jenë mësimdhënëse që pjesën tjetër të kohës t’i përkushtohen familjes dhe fëmijëve", thotë Lizana Ziba.

Për Rrita Sylën shoqëria jonë është e prirur ta nënçmojë çdo profesion ku dominojnë gratë. 

“Pabarazia gjinore mes mësuesve është e lidhur ngushtë me stereotipet gjinore dhe vlerën e profesionit. Duku e imponuar idenë që “arsimi është pune ideale për femrat” ne kemi tendencë për t’ia ulur vlerën profesionit të mësuesisë, duke mos llogaritur përgjegjësinë me të cilën duhet përzgjedhur arsimin si profesion. Kjo problematikë rrjedh nga njerëzit të cilët e mbështesin idenë e të qenët mësuese vetëm për të pasur një ekuilibër punë –shtëpi , gjë e cila e përforcon patriarkatin. Gjinia nuk duhet të jetë faktor jo vetëm në arsim mirëpo në asnjë profesion (përderisa ekziston vullneti dhe pasioni) e aq më tepër në arsim ku përgjegjësia gjithnjë do të mbetet kryefjala”, deklaroi Rrita Syla.

“Arsimi është punë për gra”, burrat drejtohen te punët më të paguara

Ajo shton se puna në arsim është një traditë familjare, ajo e ushtron me shumë dashuri dhe përkushtim këtë profesion dhe vlerëson se mësimdhënia në shoqërinë tonë po keq-interpretohet.

“Unë jam rritur në një familje arsimdashëse në të cilën me breza është kontribuar për arsimimin e shumë gjeneratave. Më është folur me shumë pasion për rëndësinë dhe vlerën që mbart më vete ky profesion dhe me të njëjtin kujdes dhe pasion edhe vetë e kam trajtuar. Arsimi perceptohet gabimisht shpeshherë si një profesion me orar fleksibël , mirëpo duhet ta kemi të qartë se puna e një mësimdhënësit nuk mbaron në klasë. Një mësimdhënës ka obligime dhe duhet të kryej edhe punë të cilat shpesh nga natyra janë administrative. Unë si një mësuese në shkollë private mund të them se, edhe pse në esencë përgjegjësia dhe vullneti i një mësimdhënësit nuk duhet të pësojnë ndryshime nga rrethanat e punësimit, orari në shkollë private dallon dukshëm”, shprehet Rrita Syla, Magjistre e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze.

Jona Ziba është një mësimdhënëse e re, ajo mban titullin profesoreshë e Fizikës dhe thotë se nuk është fakt se arsimi është punë ideale për femrën.

“Arsimi është punë për gra”, burrat drejtohen te punët më të paguara

“Nuk ka qenë mendimi im i parë drejtimi që kam sot. Fizika është vetë jeta! Të ndryshon mënyrën e të menduarit, perceptimit. Nuk kam gabuar drejtim. Për të ushtruar fizikë profesionale tek ne është e vështirë. Arsimi nuk është i keq, ka shumë punë nëse punon me përkushtim dhe dëshirë. Dikush e bën se e ka pasion të merret me edukimin e fëmijëve ndërsa dikush sepse e mendon orarin më fleksibël për t'iu përkushtuar familjes. Mua ndoshta thjesht ashtu më qëlloi fati. Varet nga mënyra e të menduarit dhe intelektit të një vajze ose gruaje. Të lësh pas dore “drejtime burrash” që mund t'i kesh pasion ose talent atëherë nuk di të mendosh ose të zgjedhësh për veten”,  vlerëson Jona Ziba profesoreshë e fizikës.

Ndarjen e profesioneve në baza gjinore e konfirmojnë edhe ekspertët

Psikologja Vala Adili, thotë për Mollëkuqja.mk se profesioni i mësimdhënësit në shkollat fillore dhe të mesme nuk vlerësohet ashtu siç e meriton.
Djemtë dhe burrat i ikin këtij profesioni sepse ata janë të “prirur” të bëjnë punë me peshë më të madhe, me më shumë autoritet dhe me titull më superior.

“E vërtetë që sa vjen dhe pakësohen meshkujt në profesionin e mësuesisë, them se kjo vjen nga perceptimi që po ndërron dhe se puna në arsim është në përgjithësi më pak e vlerësuar, nisur nga kjo, duke pasur parasysh që djemtë shoqëria jonë i vlerëson shumë, një djalë nuk do përfundojë mësues, apo jo? Diçka jo aq me vlerë! Flas për shkollat fillore dhe të mesme, se për universitet është situatë tjetër, burrat atje e kanë vendin”

Vala Adili

Adili thekson se kohëve të fundit vajzat janë më të guximshme në zgjedhjen e studimeve megjithatë punësimi është një çështje në vete .

“Shumë vajza së fundmi zgjedhin të studiojnë inxhinieri për shembull, diçka që nuk ka pasur edhe aq përkrahje përpara. Punësimi pastaj është temë tjetër, fakt është që shkollat janë ata që gjithmonë ofrojnë hapësirë për punë dhe janë disi strehë edhe e atyre që fillimisht nuk kanë studiuar me idenë për t'u bërë mësimdhënës”, thotë Vala Adili.

“Arsimi është punë për gra”, burrat drejtohen te punët më të paguara

Nga këndvështrimi i psikologes, Adili vlerëson se për zhvillm të mirfilltë psikologjik të një fëmije, kontributi i të dy gjinive në edukim duhet të jetë i balancuar.

“Unë i inkurajojë meshkujt të zgjedhin të punojnë në arsim, nxënësit tonë kanë shumë nevojë për rol model të reja, kjo gjë do e bënte më të lehtë procesin e tyre të rritjes dhe zhvillimit psikologjik. Nxënësit duhet të kenë dikë ku mundet të shohin vetën në të ardhmen, një arsimtar bashkëkohor do ta ndihmonte shumë këtë proces për djemtë në shkollë”, shtoi Vala Adili.

Burrat janë të prirur të punojnë punë të cilat kompensohen me paga më të larta. Dallimi mes gjinive në këtë pikë është i lartë. Sipas Entit Shtetor të Statistikave në vitin 2019, me rrogë 30001-40000 denarë në vendin tonë paguhen 32.7% gra dhe 67.3% burra. Pagë mujore mbi 40 001 denarë marrin vetëm 22.4 % gra në vendin tonë, ndërsa pjesa tjetër janë burra, pra 77.6 %.

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani Dika ka kryer studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin "Komunikim Ndërkombëtar". Tre vite ka punuar si gazetare në sektorin e informimit online në Televizionin Alsat, kurse nga viti 2019 punon si gazetare e pavarur në projekte të ndryshme mediatike. Shefkija është edhe verifikuese e fakteve dhe recensente.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia