March 26th, 2024
Përgjatë gjithë historisë së njerëzimit, në shoqëritë më pak të zhvilluara janë ushtruar forma të ndryshme presioni ndaj grave që lindin vajza. Këto gra jo vetëm që shihen me përçmim, por mbi to ushtrohet një dhunë e paimagjinueshme fizike dhe psiqike, sepse ato sollën në jetë një qenie të padëshiruar dhe të kufizuar që është vetëm një grumbull materiali njerëzor i padobishëm, pengesa mes prindërve dhe trashëgimtarit të "fronit".
Kur një grua kupton se është shtatzënë, asaj në mënyre direkte dhe indirekte i mohohet kënaqësia e rrugëtimit të çdo faze të shtatzënisë, ajo ankthshëm pret verdiktin që do t'i hartohet varësisht nga gjinia e foshnjës, ky embrion që pretendohej të ishte një burim lumturie shndërrohet në një makth.
Siç dihet nga të gjithë ne, një numër i madh abortesh janë kryer si rezultat i gjinisë së foshnjës, specialistët gjinekologë që e ushtrojnë profesionin në këto shoqëri të mbyllura për të parandaluar abortet janë detyruar t'a fshehin gjininë e foshnjës nga prindërit deri në fund të shtatzënisë.
Por kjo zgjidhje i shpëton vetëm pjesërisht nënën dhe foshnjën e saj vajzë, sepse kjo nuk i kursen nga torturat postpartum (pas lindjes) as nënën dhe as foshnjën, kur kjo e fundit del vajzë.
Sipas babait të foshnjës, familjes së tij, shpeshherë edhe familjes së nënës dhe gjithë shoqërisë, ky faj kishte një shkaktar të vetëm: gruaja që lindi foshnjën - vajzë.
Çfarë pjesëmarrje të vullnetshme dhe të pavullnetshme merr nëna në përcaktimin e gjinisë së foshnjës? Asnjë.
Pra, bazuar në studimet e Gjenetikës Humane: meshkujt (XY) prodhojnë dy lloje gametesh (qeliza seksuale) X dhe Y, ndërsa femrat (XX) prodhojnë vetëm një lloj gametesh, ato që përmbajnë kromozomin X.
Gjinia e foshnjës përcaktohet nga lloji i gametit mashkullor që ngjizet me gametin femëror.
Nëse sperma fekonduese përmban kromozomin X, atëherë embrioni formon vezore dhe individi i krijuar do të jetë vajzë dhe nëse sperma fekonduese përmban kromozomin Y, atëherë embrioni do te formoje testise dhe individi i krijuar do të jetë djalë.
Kromozomi Y bart një gjen që kodon faktorin testis-përcaktues. Ekziston një mundësi e barabartë që spermatozoidi fekondues të ketë një kromozom X ose Y. Por, është përbërja gjenetike e spermës që përcakton gjininë e foshnjës.
Sipas shkencës dhe fakteve të saj të padiskutueshme, “fajtori” i pavullnetshëm qëllon të jetë babai. Por në të vërtetë fajtori kardinal, i vetmi, i vullnetshmi është cilido qoftë individ që zhvlerëson, ndëshkon, kufizon dhe cënon një njeri bazuar në karakteristikat e tij gjinore.
Blerina Qamili është lindur në Tetovë në vitin 1993 dhe është diplomuar në Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Tetovës. Ajo tani po e vazhdon përsosjen e saj profesionale si specializante e Nefrologjisë në Fakultetin e Mjekësisë - Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi" Shkup.
TË NDRYSHME
Disavantazhet e të qenit person LGBTQ+ në Ballkanin konservator
Blerina Qamili
30/10/2024
Patriarkati s'e kursen as shëndetin mendor: "Histeria" që ju mveshet grave s'...
Rrezearta Elezi
17/04/2024
RMV, burrat kanë „uzurpuar" edhe postin e rektorit, historikisht vetëm dy gra...
Fisnik Xhelili
15/07/2022
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia