Dita-Nderkombetare-e-Vajzave-(1440-x-550-px).png

Revolucion digjital? Jo pa vajzat

SEKSIZËM

October 11th, 2021

Dita Ndërkombëtare e Vajzave u shpall nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 për të ju dhënë zë vajzave të reja në mbarë botën dhe për të ngritur vetëdijen për problemet me të cilat të njëjtat përballen. Kjo ditë, 11 tetor, synon të ndajë nevojat specifike të vajzave të reja nga ombrella e nevojave të grave në përgjithësi. Qëllimi kryesor i kësaj dite është që t’i bëjë vajzat pjesë aktive të progresit në botë, duke u fokusuar në të drejtat, sigurinë dhe edukimin e vajzave.

Çdo vit caktohen tema të ndryshme për t’u diskutuar në këtë ditë. Deri më tani është folur për qasjen në arsim, shërbimet shëndetësore, mundësitë e barabarta, çështja e sigurisë kundër dhunës gjinore dhe diskriminimit, kurse tema e këtij viti është “Gjeneratë digjitale. Gjenerata jonë”. Sipas OKB-së, edhe pas pandemisë së Kovid 19, 2.2 miliardë njerëz nën moshën 25 vjeç nuk kanë qasje në internet në shtëpitë e tyre.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 2.2 miliardë njerëz nën moshën 25 vjeç nuk kanë qasje në internet nëpër shtëpitë e tyre. Vajzat më shumë se djemtë janë të lëna jashtë qasjes në rrjet. Dallimi gjinor i përdoruesve global të internetit është rritur nga 13% në vitin 2013 në 17% në vitin 2019. Në vend më pak të zhvilluara, kjo përqindje arrin deri 43%. Që domethënë, shumë më shumë djem kanë qasje në rrjet, në krahasim me vajzat. Sipas OKB-së, në disa vende të botës, rreth 70% e grave dhe vajzave nuk kanë as celularë apo internet.

Qasja në internet ju ndihmon vajzave në edukimin e tyre, sidomos gjatë pandemisë së Kovid 19 ku vajzat janë përballur me barriera sociale dhe ekonomike. 

Sipas Living, duke u bazuar në fakte botërore të mbledhura enkas për këtë ditë, përreth globit, vajzat janë tri herë më shumë të kequshqyera se djemtë. Çdo vit rreth dy milionë vajza të moshës 5 deri në 15 vjeç janë të trafikuara, të shitura, ose të detyruara të punojnë në tregtinë e seksit; gjithashtu vajzat vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta si në arsim dhe në shërbime të tjera bazë.

Në aspektin shëndetësor, të dhënat botërore tregojnë se një foshnjë vajzë ushqehet me gji nga nëna deri në tetë javë më pak se një foshnjë djalë. Nga ushqyerja me gji mund të parandalohen rreth një milion vdekje të fëmijëve në vit.

Në aspektin social vihet re se në botë 1 në çdo 3 vajza është e martuar para moshës 18 vjeç. Rreth gjysma e të gjitha vajzave në vendet në zhvillim bëhen nëna para se ato të jenë 18 vjeç. Ndërkohë, rreth 50.000 vajza të moshës 15-19 vjeçare vdesin çdo vit gjatë lindjes së fëmijës së tyre.

Të dhënat mbi arsimin tregojnë se në mbarë botën rreth 36 milionë vajza në moshë për të nisur shkollën fillore nuk janë të regjistruara në shkollë. Ndërkohë, mendohet se arsimimi më i mirë i vajzave dhe grave mund të reduktojë me 16 për qind urinë e njerëzve në botë. Në këtë ditë të veçantë pranohet botërisht se dhënia e mundësive të barabarta për vajzat është një e mirë për të gjithë shoqërinë. Përmirësimi i jetës së tyre ka një efekt të dukshëm, ndaj çfarë është e mirë për to është dhe për të gjithë njerëzimin.

Rita Behadini

Rita Behadini

Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia