Untitled-design-6.png

Aborti selektiv në RMV: Vajzat abortohen vetëm sepse janë vajza, por shteti nuk ka të dhëna

SEKSIZËM

November 13th, 2021

A diskriminohen vajzat që në embrion? Një pyetje e tillë merr përgjigjen më të mirë nga gjinekologët amë të cilët kanë kontakt të vazhdueshëm me gratë shtatzëna, e të cilët thonë se gati çdo ditë përballen me raste kur një grua kërkon të abortojë në momentin kur e kupton se foshnja do të jetë vajzë.

“Ballafaqohemi gati se çdo ditë, fatkeqësisht me kërkesa apo raste të tilla. Kemi raste dhe nuk janë të pakta kur gruaja thotë hapur “kam dy vajza, dhe e treta do jetë shumë, e kam të nevojshëm një djalë në familje për hatër të burrit, por dhe për qejf të tjerëve sepse ndryshe është kur ke djalë, je më e sigurtë”. Nuk e thonë hapur se kanë presion por në këtë mënyrë e kamuflojnë arsyen deri diku. Kjo është një dhunë ndaj njërës gjini që në gjenezë. Nuk kam pasur asnjë rast kur pacientja të ketë pasur dy ose tre djem dhe të ketë abortuar kur ka mësuar se edhe fëmija i radhës do të jetë djalë”, deklaron gjinekologia Luljeta Zhuta.

GRATË KËRCËNOHEN ME DIVORC NËSE NUK LINDIN DJEM

Gjinekologët, arsyen e vërtetë të abortit shpesh e zbulojnë gjatë bisedës me pacienten sepse zakonisht ata përpiqen ta fshehin arsyen e vërtetë të abortit. Ata ndihen në presion meqë shpesh kërcënohen me divorc nëse nuk lindin djem. 

“Kam pasur raste konkrete kur gruaja ka filluar të qajë në momentin që i kam treguar se fëmijën e ka vajzë! Unë jam ndjerë shumë keq. Ky diskriminim i hershëm tejkalon çdo linjë kulturore, etnike dhe kombëtare”, dëshmon Zhuta.

FAKT SHKENCOR: GJINIA PËRCAKTOHET NGA KROMOZOMET E PRINDIT MASHKULL

Gjinekologia Zhuta vë në pah një fakt të pakontestueshëm shkencor e i cili nuk njihet dhe nuk pranohet nga burrat; gjininë e fëmijës e përcaktojnë qelizat e prindit mashkull gjatë ngjizjes dhe jo të prindit femër. 

“Shkenca e thotë që përcaktimin e gjinisë nuk e bën qeliza vezë por bëhet nga spermatozoidi d.m.th. burri, dhe jo gruaja. Burrit edhe nëse i konstatohet një diagnozë mjekësore, ai nuk pranon të trajtohet”, thotë ajo. 

GRATË PARAGJYKOHEN EDHE NGA VETË GRATË

Gjinia e fëmijës përcakton nëse gruaja do të jetë e vlerësuar ose paragjykuar në shoqëri, vlerëson sociologia Edlira Destani Durmishaj. Këtë padyshim që e sheh si diskriminim, por edhe diskriminim brenda vetë gjinisë.

“Ndonjëherë gratë lindjen e vajzave e shohin edhe si arsye për të cilën nuk do të jenë të vlerësuara në rrethin e tyre familjar apo në rrethin e tyre shoqëror dhe ky nuk është thjeshtë vetëm një diskriminim që shoqëria mund të ua bëj grave por dhe një diskriminim që ne gratë vetë ja bëjmë vetes. Është një gjë e trashëguar, brez pas brezi që duhet të trashëgohet emri i familjes dhe një gjë të tillë mund ta bëjnë vetëm djemtë. Gjithsesi unë mendoj se është një padrejtësi dhe një dhunim i të drejtës”, thotë Destani Durmishaj.

Gratë, në njëfarë mënyre, janë “të obliguara” për të dëshiruar një fëmijë djalë me patjetër. Lindjen e një djali ata e shohin si garanci se nuk do të mbesin në rrugë, pa pronë dhe pa familje.  

“Ne e dimë se shumë shpesh, në rast se kreu i familjes, bashkëshorti ndërron jetë dhe gruaja ka vetëm fëmijë vajza, ajo largohet nga ajo shtëpi dhe nuk gëzon asnjë të drejtë ndërsa në të kundërtën kur fëmija është mashkull shikohet sikur patjetër nëna duhet të vazhdojë të jetë në atë shtëpi ta rrisë djalin dhe sikur i shqiptohen të drejtat se mund të qëndrojë në atë familje dhe mund të gëzojë sigurinë ekonomike etj.”, mendon sociologia Edlira Destani Durmishaj.

ABORTE, EDHE NË KUNDËRSHTIM ME NORMAT LIGJORE 

Përvojat e gjinekologëve flasin se nëse çështja e abortimit të fëmijës vajzë do të mbetej vetëm në duart e nënës, ndoshta aborti selektiv do të ishte shumë më pak i përhapur. Ata konsiderojnë se shtatzënat më shpesh detyrohen të abortojnë nga presioni shoqëror si dhe i familjes së ngushtë i cili ndonjëherë bën që aborti të bëhet edhe pas periudhës së lejuar mjekësore. Ligjërisht, në Maqedoninë e Veriut aborti në përgjithësi mund të kryhet deri në javën e 11 të shtatzënisë. Pas javës së 10 mund të abortojë vetëm gruaja e cila ka rrezik për jetën nëse e vazhdon shtatzëninë edhe më tej, si dhe në rastet kur shëndeti i saj përkeqësohet tej mase si pasojë e shtatzënisë.

“Ndërprerja e shtatzënisë është intervenim i posaçëm mjekësor për të cilin në mënyrë të lirë vendos gruaja shtatzënë. E drejta për ndërprerje të shtatzënisë mund të kufizohet vetëm për shkak të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së gruas shtatzënë”, theksohet në nenin 2, Ligji për ndërprerjen e shtatzanisë.

“Për shkak të ruajtjes së shëndetit të gruas shtatzënë ndërprerja e shtatzënisë mund të kryhet deri në kalimin e dhjetë muajve nga dita e ngjizjes, me pajtim me shkrim nga ana e gruas. Nëse shtatzëna është e mitur apo e privuar nga aftësia për të vepruar, ndërprerja e shtatzënisë mund të kryhet me pajtim me shkrim nga ana e prindit apo kujdestarit të saj”, parashikon më tej neni 3 i të njëjtit ligj.

Ligji parashikon edhe rastet kur shtatzënia është e ndaluar.

“Ndërprerja e shtatzënisë nuk mund të kryhet para kalimit të javës së dhjetë nga dita e ngjizjes, nëse aborti është i dëmshme për shëndetin e gruas shtatzënë. Ndërprerja e shtatzënisë po ashtu nuk mund të kryhet nëse nuk kanë kaluar një vit nga aborti i mëparshëm”, thuhet në ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë.

Ligji nuk parashikon eksplicit ndalimin e shtatzënisë selektive. 

SHTETI NUK KA STATISTIKA PËR ABORTET SELEKTIVE 

Pas javës së 10 të shtatzënisë, nëse gruaja dëshiron të abortojë për ndonjë arsye atëherë formohet Komision prej tre mjekëve të cilët duhet të aprovojnë me tre nënshkrimet e tyre abortin. Është një procedurë  më e gjatë dhe më e mundimshme për çiftin. Megjithatë, mekanizmat kontrollues shtetëror nuk e bëjnë të pamundur këtë proces, edhe kur ai është jashtë normave. Shpesh herë ndodhë kur gratë për arsye të ndryshme, kryesisht për shkak të gjinisë duan të abortojnë pas muajit të tretë, për të ju ikur përgjegjësive ligjore dhe procedurave shtetërore, iu drejtohen Klinikave private tek të cilat institucionet shtetërore nuk kanë qasje kontrolli. Madje nuk mund t’i kenë as si numra rastet e tilla me qëllim për të grumbulluar të dhënat se sa aborte jashtë periudhës 3 mujore të shtatzënisë kryhen. Kjo sipas institucioneve, pamundëson që të kemi një pasqyrë reale mbi numrin e aborteve në përgjithësi si dhe të aborteve selektive në veçanti.  

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, nga viti 2008 deri në vitin 2019 janë kryer rreth 40.000 aborte (më saktë 39,980) tek gratë e moshës nga 13 deri në 55 vjeçare. Kjo mesatarisht nënkupton 3000 aborte brenda një viti. Megjithatë këtu nuk janë të përfshira edhe abortet e kryera nëpër spitale private, nuk janë të ndara se sa prej tyre janë kryer pas javës së 10 të shtatzanisë në kundështim me ligjin dhe nuk tregohet sa prej tyre llogariten si aborte selektive. Në Maqedoninë e Veriut mungojnë regjistrat e tillë evidentues, të cilët do të jepnin pasqyrë të qartë të situatës. 

Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikës të cilat i përkasin vitit 2016 tregojnë se numri i foshnjave vajza të lindura brenda një viti është 11,134 ndërsa i foshnjave djem është 11,868. Në vitin 2015 kanë lindur 11,959 djem ndërsa 11,116 vajza.  Që d.m.th numri i vajzave të lindura është për 700 – 800 më i ulët se numri i djemve të lindur për secilin vit. 

REKOMANDOHET PËRDORIMI I KONTRACEPTIVËVE

Autoritetet shëndetësore rekomandojnë përdorimin e mjeteve kontraceptive, përpara se të vijë situata deri në abort. Të dhënat zyrtare të ISHP flasin se përdorimi i mjeteve kontraceptive moderne parandalon rreth 308 milionë shtatzëni të padëshiruara çdo vit. Rreth 15 milionë adoleshentë përdorin kontracepsion modern, ndërsa 23 milionë nuk kanë qasje në kontraceptivët modernë dhe për këtë arsye janë më të rrezikuar nga shtatzënitë e padëshiruara të cilat përfundojnë në abort. Sipas ISHP, numri i vizitave te gjinekologu për shkak të planifikimit të familjes në vitin 2020 është zvogëluar në mënyrë drastike për shkak të pandemisë me KOVID-19. Në periudhën 2007-2020, ka një reduktim të konsiderueshëm të vizitave gjinekologjike.

“JO LIGJ PËR NDALIMIN E ABORTIT, POR FUSHATA NDËRGJEGJËSIMI DHE NDIHMË FINANCIARE SHTETËRORE”

Megjithatë, arsyetimi për të pasur një fëmijë djalë sipas ekspertëve është i pa bazë. Sociologët konsiderojnë se lindja e një fëmije djalë nga ana e familjeve të caktuara shihet si një përforcim ekonomik i asaj familjeje. Këto janë edhe shkaqet përse në shoqëritë patriarkale më shumë favorizohet lindja e një djali, pasi ai llogaritet se mund të sjellë të ardhura më të mëdha financiare, mund të bëjë punë më të mëdha fizike dhe automatikisht të jetë ndihmë më e madhe dhe mbështetje për familjen. 

“Sa më shumë raste të aborteve selektive që kam dëgjuar apo që kam parë dhe ato që I dëgjon në përgjithësi aq më shumë të duket se arsyetimi është i pa bazë. Kemi një filozofi të jetës, të shoqërisë e cila kthehet në një formë apo një tjetër thjeshtë në materializim. D.m.th. të ardhura më shumë mund të sjellë vetëm djali. Ndërsa vajza shihet sikur nuk mund të sigurojë shumë të mira materiale sepse nuk i gëzon të gjitha të drejtat”, thotë sociologia Edlira Destani Durmishaj.

Gjinekologët konsiderojnë se shteti mund të bëjë shumë më tepër për të parandaluar fenomenin e abortit selektiv. 

“Shteti mund të intensifikojë fushatat për ngritjen e vetëdijes e cila mund të bëhet vetëm përmes programeve të cilat familjeve iu ofrojnë ndihmë familjare financiare nëse lindja e dytë apo e tretë me radhë e gruas është vajzë. Po ashtu një stimulim tjetër do të ishin shtesat sociale, sidomos dhënia e bursave për shkollim që prindërit ta kenë një lehtësim gjatë shkollimit nëse fëmija është vajzë”, konsideron gjinekologia Luljeta Zhuta.

Përcaktimi i fatit dhe të ardhmes së një personi vetëm duke u bazuar nga karakteristikat gjinore është forma më e lartë e cënimit dhe lirisë së të drejtave themelore të njeriut. Këto forma të diskriminimit janë në kundërshtim me standardet demokratike dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, të drejtat e grave dhe të drejtat e njeriut. 

Vjollca Aliti

Vjollca Aliti

Vjollca Aliti është gazetare e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Tanimë shtatë vite e ushtron profesionin si gazetare. Aktualisht është e angazhuar në televizionin Alsat, ndërsa paraprakisht ka punuar në disa shtëpi të tjera mediatike, përfshirë dhe shtypin e shkruar. Kryesisht Vjollca mbulon tema që kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë, ku dy vitet e fundit kanë qenë tema që kanë të bëjnë me pandeminë.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia