sheshi-filip-ii-(1440--550-px).png

Qytetarët marshuan më 8 mars: "A do të mbijetojnë gratë këtu?"

FEMINISTING

March 8th, 2023

Aktivistët e të drejtave të grave marshuan më 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Luftës Ekonomike, Politike dhe Sociale për barazinë e grave. Këtë vit marshi filloi nga ora 18:00 në Sheshin Filipi II, nën sloganin: “A do të mbijetojnë gratë këtu?”. Marshi u organizua nga Platforma për Barazi Gjinore.

"Të jesh grua apo vajzë në këtë vend do të thotë të përballesh çdo ditë me një pyetje të re mbijetese: A do ta mbijetoj këtë udhëtim me taksi? A do të mbijetoj këtë muaj? A do ta mbijetoj këtë martesë? A do t'i mbijetoj lindjes? A do t'i mbijetoj këtij operacioni? A do t'i mbijetoj dhunës? Të jesh grua në Maqedoni do të thotë të zgjohesh çdo mëngjes me frikë dhe të pyesësh veten se si dhe nëse do të mbijetosh atë ditë", thuhej në njoftimin për marsh të organizatorëve.

Vetëm pak ditë më parë, më 17 shkurt, para Ministrisë së Punëve të Brendshme u protestua për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet kompetente për mos dënimin e dhunuesit të studenteve të cilat u sulmuan seksualisht nga një taksist mbrëmjen e 27 janarit. Ndonëse janë publikuar fotografi të veturës dhe ekziston evidencë për gjetjen e të njëjtit, dhunuesi është larguar nga shteti pa u dënuar për sulmin seksual dhe dhunën e ushtruar. 

Nga ana tjetër, në janar të këtij viti, një person M.K i moshës njëzet vjeçe duke përdorur dhunë fizike dhe psikike duke e kërcënuar, ka detyruar një të mitur në Kavadar të kryejë akte seksuale dhe të ofrojë shërbime seksuale për pesë persona të denoncuar, në këmbim të mjeteve financiare prej 1,000 deri në 2,000 denarë.

Këto janë vetëm disa nga rastet që kanë ndodhur gjatë vetëm dy muajve të këtij viti, ndërkohë dhuna ndaj grave, dallimi në pagë, varfëria menstruale, pavarësia ekonomike dhe shumë probleme të tjera vazhdojnë të jenë prezente në jetën e grave në Maqedoninë e Veriut.

"Ky marsh është një reflektim protestues i ngjarjeve në vendin tonë dhe neglizhencës kolektive ndaj grave dhe vajzave në çdo aspekt: ​​nga ritmet në rritje të dhunës, femicideve, padrejtësive të përditshme sociale dhe shëndetësore dhe pasigurisë ekonomike, deri te varfëria e lartë që prek veçanërisht gratë", thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Ndryshe, në marshin e vitit të kaluar të zhvilluar më 8 mars qytetarët marshuan duke vënë në pah varfërinë e grave dhe problemet e tyre ekonomike që dolën edhe më shumë në pah në kohën e pandemisë. Slogani i vitit të kaluar ishte: "Varfëria ka fytyrë gruaje".

Rita Behadini

Rita Behadini

Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia