February 19th, 2024
Tek po lexojmë gazetat moderne apo ballinat e profileve që i kemi në rrjetet sociale, shpesh hasim në përmbajtje të dhunshme. Para ca ditësh u raportua rasti i rrahjes së një vajze nga dy bashkëmoshataret e saj në qendër të Shkupit. Nga videoja që inçizohej nga bashkëmoshatarë të tjerë, duket se si ata e nxisnin rrahjen, ndërsa vetëm një djalë nga e gjithë turma vrapoi që ti ndajë. Poashtu kohëve të fundit ndjekim luftën në Izrael dhe Palestinë ku ushtrohet dhunë masive mbi popullin palestinez. Njejtë para ca ditësh shënuam përvjetorin e pavarësisë së shtetit më të ri shqiptar, e përmes fotografive dhe inçizimeve kujtonim heronjtë, refugjatët, viktimat e të pagjeturit e luftës të shkaktuara nga gjenocidi i fundit në Europë.
Dhuna është gjithëprezente në mbretërinë e njeriut. Është e vërtetë se edhe kafshët tjera rregullisht vrasin pjesëtarë të specieve të tyre, si për shembull luanët mbysin të vegjlit e luanëve tjerë sapo i bashkangjiten një tufe, milingonat luftojnë kolonitë e tjera rivale dhe kushurirët tonë - shimpanzetë luftojnë beteja të përgjakshme për territor.
Zakonisht agimi i njeriut në tokë interpretohet si periudhe e dhunshme ku njerëzit vriteshin më shpesh, por e kundërta është e vërtetë. Në parahistori, ngaqë resurset ishin të tepërta dhe njerëzit pak, dhuna shfaqej rrallë mes grupeve të ndryshme dhe shumë më rrallë në mes pjesëtarëve të të njejtit grup. Nga kërkimet arkeologjike konstatohet se skeletët e zbuluar të periudhave më të hershme, më rrallë shfaqin shenja dhune siç janë gjymtyrë të dëmtuara nga armë apo objekte të forta. Dëmtimet e këtilla shpeshtohen me zbulimin e agrikulturës dhe nisjen e organizimt të shoqërisë së palëvizshme. Atëherë, me fillesën e shoqërisë prodhuese, u shpeshtua edhe dhuna mes njerëzve që jetonin bashkë brenda një shoqërie.
Lloje të dhunës
Vlen të cekim se dhuna nuk nënkupton vetëm rrahje apo vrasje. Definicioni i Fjalorit të Gjuhës Shqipe (ASHSH 2006) për dhunën është:
Ushtrimi i forcës a shtrëngimi me mjete e me mënyra të vrazhda ndaj dikujt; detyrim a shtypje me anë të forcës.
Kuptim i figurshëm; shnderim, poshtërim a turp i madh që i bëhet dikujt; / i ligjërimit bisedor; e keqe; dëm;
Dhuna është e shumëllojshme e karakterizohet varësisht prej saj se kush e ushtron, mbi kë dhe motivi pas saj. Ajo mund të jetë dhunë ndaj vetes (ekstremi i së cilës është vetëvrasja), dhunë interpersonale, dhunë mes bashkëmoshatarëve (e njohur si bullying apo bullizim), dhunë familjare ku bën pjesë dhuna ndër-gjinore dhe dhuna e ushtruar ndaj fëmijëve, dhuna seksuale apo përdhunimi dhe lufta si formë më e organizuar dhe masive e ushtrimit të dhunës.
Frojdi dhe psikanalistat e tjerë mendonin se dhuna ishte reagim ndaj frustrimeve. Paaftësia që të realizohet ndonjë dëshirë shkaktonte nervozizëm dhe zemërim, e ky i fundit shprehej në mënyrë të dhunshme. Teoricientetë të tjerë, si Lorenci, mendonin se në organizëm mblidhet një tërësi energjie që ushtron trysni dhe që me paraqitjen e ndonje shenje menjëherë do të shpërthente. Të tjerë e shohin emocionin e zemërimit si fillesë e agresionit apo dhunës. Zemërohemi kur mendojmë se na është bërë ndonjë padrejtësi, dhe zakonisht reagojmë në mënyrë që të mbrohemi nga shkaktari i jashtëm. Burrat janë të prirur ndaj dhunës fizike, ndërsa gratë zakonisht ushtrojnë dhunë të verbalizuar dhe indirekte.
Por mes emocionit dhe reagimit ka periudhë të caktuar ku kemi kohë të zgjedhim se në çfarë mënyre do t’i përgjigjemi situatës që na ka zemëruar. Përderisa emocionet janë faktori biologjik, mënyra e reagimit është diçka që mësohet. Ushtrimi i dhunës pra, mësohet.
Albert Bandura në vitin 1961 zbatoi një eksperiment për të parë në qoftë se sjelljet sociale të tipit të agresionit mësohen duke i vëzhguar te të tjerët.
Në eksperimentin, 72 fëmijë janë ndarë në tre grupe (nga 24 fëmijë në grup).
Në pjesën e parë të eksperimentit, çdo fëmijë nga grupi i parë dhe i dytë i është shfaqur një model (person) i cili loz me një kukull të ashtuquajtur Bobo. Në grupin e parë modeli ka qenë shumë i dhunshëm ndaj Bobos. I ka rënë me grushta dhe e ka përplasur duke bërtitur “bum”.
Në grupin e dytë modeli ka lozur në mënyrë të qetë me lojra të tjera duke mos e prekur Bobon. Grupit të tretë nuk i është shfaqur asnjë model.
Më pastaj, në pjesën e dytë të eksperimentit secili fëmijë ka hyrë në një dhomë ku hulumtuesi i ka dhënë lojra, dhe sapo ka filluar të lozë, ai ia ka marrë, me qëllim që fëmija të frustrohet.
Në pjesën e tretë të eksperimentit secili fëmijë ka hyrë në një dhomë ku ka pasur plot lojëra të ndryshme, e mes tyre dhe Boboja. Pjesa dërrmuese e fëmijëve të grupit të parë, ku modeli ka goditur me grushta Bobon, kanë bërë të njejtën, duke vërtetuar kështu se dhuna mund të konsiderohet si një sjellje e mësuar. Vlen të ceket se fëmijët e grupit të dytë kanë injoruar Bobon dhe kanë lozur me lojra tjera duke e menaxhuar në mënyrë më të qetë frustrimin.
Dhuna është tejet komplekse për ta përfshirë të tërën me një grusht fjalësh. E cekëm se jemi të prirur për dhunë, por mund të ngushëllohemi me atë se në pjesë të madhe ajo mësohet. Rrjedhimisht, duhet të bisedojmë shpesh me më të vegjlit për menaxhimin e zemërimit dhe frustrimeve në mënyrë më të qetë dhe ta nxisim dialogun bashkë me mënyrat tjera paqësore për zgjidhje të konflikteve.
Me më të rriturit duhet të bisedojmë për kulturat që nxisin dhe shpërblejnë sjelljet e dhunshme. Krimi i organizuar përdor dhunën si garancion për të siguruar kontratat dhe në fakt dhuna është thelbi i tij.
Bisedat rreth saj duhet të jenë të shpeshta në çdo shtëpi, në shkollë e sidomos nëpër media, ku përveç ekspozimit të gjithpranishëm për të peshkuar klikime, nevojitet hapësirë për parandalimin e dhunës, ku rrezik-faktorët do të trajtohen me seriozitet.
Shkrimi është shkruar për Mollëkuqja.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Mollëkuqja dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. Qëndrimet janë të autorit, "Mollëkuqja" jo domosdo pajtohet me përmbajtjen e kësaj kolumne.
Muhamed Veliu ka kryer studimet e psikologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit "Shën Kirili dhe Metodi". Ka punuar në Kryqin e Kuq të RMV si kordinator i programeve për mbështetje psikosociale dhe ndihmës së parë psikologjike në kriza. Aktualisht është instruktor në programin "Kryqi i Kuq në Aksion - Promovimi i Vlerave Humane" (KKA - PVH) dhe punon si Geshtalt psikoterapist nën supervizim. Njëkohësisht është edhe moderator në podkastin "Llafe t'lira".
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia