Safety-(11).png

Kanceri i prostatës mori 243 jetë njerëzish për 1 vit në RMV, urologët bëjnë thirrje për ndërgjegjësim

N'THELB

June 11th, 2022

Kanceri i prostatës është arsyeja e dytë më e madhe në botë për vdekjen e meshkujve. Ky kancer më i shpeshtë është tek moshat më të mëdha, gjegjësisht pas moshës 50 vjeçare shanset për tu prekur nga ky kancer janë shumë të mëdha, ndërsa moshat mbi 80 vjeçe janë më të prekurit nga ky kancer.

Simptomat kryesore të kancerit të prostatës janë : Gjaku në urinë, vështirësi gjatë urinimit , rrjedhje e dobët dhe me ndërprerje, urinim i shpeshtë gjatë natës, dhimbje e nevojë e pakontrolluar për të urinuar.  Ndërsa faktorët e rrezikut për kancerin e prostatës janë të shumtë në numër.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, faktorët më të shpeshtë janë:
  • Mosha (kjo gjendje është e rrallë tek meshkujt nën 40 vjeç, kështu që me rritjen e moshës rritet edhe rreziku)

  • Përkatësia etnike (më e shpeshtë tek meshkujt me origjinë afrikane)

  • Historia familjare (rastet e të prekurve nga kjo sëmundje në mesin e të afërmve)

  • Mutacionet gjenetike (mutacionet në gjenet BRCA1 dhe BRCA2, të cilët ndikojnë edhe në zhvillimin e kancerit të gjirit dhe vezoreve, gjithashtu mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të prostatës)

  • Pirja e duhanit dhe mënyra e të ushqyerit

  • Sëmundjet inflamatore të prostatës

  • Sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të statistikave tregojnë se në vitin 2020, në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga kanceri i prostatës kanë vdekur 243 persona. Nga ata, 142 kanë qenë mbi 75 vjeç, 75 në moshë nga 65-74 vjeç, 24 në moshë nga 55-64 vjeç dhe 2 në moshë nga 45-54 vjeç.

Urologët thonë se në Maqedoninë e Veriut viteve të fundit është shtuar dukshëm numri i ekzamineve që janë bërë për shërimin e këtij kanceri. Sipas tyre, në vend mungon vetëdija tek qytetarët mbi diagnostikimi e hershëm të kësaj sëmundje.

103974603_1406586766396076_2798102364409129206_n-1654964006.jpeg

Urologu Asim Musa, pjesë e shoqatës së Urologëve të Maqedonisë konsideron se ministria e Shëndetësisë duhet të organizojë fushata ndërgjegjësimi mbi kancerin e prostatës, pasi sipas tij popullata meshkuj nuk është mjaftueshëm e njoftuar mbi pasojat që bart me vete diagnostikimi i vonshëm i kancerit të prostatës.

Mungojnë fushatat ndërgjegjësimi mbi kancerin e prostatës. Duhet përkrahje edhe nga ana e institucioneve shëndetësore edhe nga vetë mjekët përmes shoqatave të tyre si dhe mjekët familjarë duhet të alarmojnë në mënyra të ndryshme sepse nga aty fillon gjithçka. Dhe besoj se në atë mënyrë ngritët vetëdija edhe për kontrolle sistematike për diagnostikim të hershëm me qëllim që t’i zbulojmë në kohë. Mendoj se ashtu sic u bënë kampanja ndërgjegjësimi mbi kancerin e gjirit, kancerin e qafës së mitrës për femrat e të cilat patën sukses të madh, e njëjta gjë duhet nga ana e ministrisë të bëhet edhe për kancerin e prostatës, sepse thuajse të dy llojet e kancerit kanë përmasa të njëjta por ja që diçka e tillë nuk është tek ne dhe jemi mbrapa me diagnostikimin e hershëm. Kjo mënyrë mendoj se do ishte më e suksesshmja për ta zbuluar dhe parandaluar në kohë

Asim Musa, Urolog

Urologët konsiderojnë se hap i rëndësishëm nga ana e ministrisë së Shëndetësisë është bërë me vendosjen e kufizimeve për dhënien e ilaçeve që trajtojnë kancerin e prostatës nga ana e mjekëve amë, e që tani një gjë e tillë mund të jepet vetëm nga specialistët urologë dhe jo nga mjeku amë.

Sipas tyre, me këtë hap është parandaluar ndjeshëm keqpërdorimi i ilaçeve dhe keqtrajtimi i këtij kanceri, megjithëse kërkojnë nga ana e ministrisë së Shëndetësisë që në listën pozitive të ilaçeve të fusin dhe njërin nga ilaçet moderne I cili nuk është I disponueshëm për pacientët që të merret me recetë.

Ministria e Shëndetësisë thotë se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të rrisin numrin e ilaçeve në listën pozitive, dhe se në të ardhmen planifikojnë buxhet për organizimin e fushatave ndërgjegjësimi për kontrolle të rregullta dhe diagnostikim të hershëm.

Ndryshe, që të kemi një diagnozë definitive për praninë e kancerit të prostatës, duhet konfirmim duke bërë një biopsi. Disa teste jo invazive mund të tregojnë praninë e anomalive të prostatës. Të tilla janë analiza e PSA – antigjenit specifik të prostatës dhe ekzaminimi dixhital rektal i prostatës.

Analiza e PSA kryhet duke marrë një mostër gjaku dhe duke i analizuar vlerat e tij. Nëse vlerat e PSA janë më të larta se sa duhet atëherë rekomandohet konsultimi me urologun dhe ekzaminimi i mëtejshëm dhe të paktën eko e prostatës.

Ekzaminimi dixhital rektal mundëson një ekzaminim manual, gjatë të cilit vërehen parregullsi në formën dhe sipërfaqen e prostatës, të cilat mund të jenë tregues të një sëmundjeje ekzistuese të prostatës. Procedura e ndjekjes së mëtejshme është e njëjtë si për PSA, me ç‘rast pacientëve që nuk kanë bërë një analizë të PSA u këshillohet ta bëjnë sa më parë.

Vjollca Aliti

Vjollca Aliti

Vjollca Aliti është gazetare e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Tanimë shtatë vite e ushtron profesionin si gazetare. Aktualisht është e angazhuar në televizionin Alsat, ndërsa paraprakisht ka punuar në disa shtëpi të tjera mediatike, përfshirë dhe shtypin e shkruar. Kryesisht Vjollca mbulon tema që kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë, ku dy vitet e fundit kanë qenë tema që kanë të bëjnë me pandeminë.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia