sds.webp

Teksas, vendimi gjyqësor dërgoi disa hapa prapa çështjen e abortit

N'THELB

September 14th, 2021

Ligji që ndalon abortin pas javës së gjashtë të shtatzënisë hyri në fuqi në shtetin amerikan të Teksasit, pas vendimit të Gjykatës së Lartë Amerikane, me diferencë prej 5 me 4 vota.  Ky ligj ndalon abortin pasi fillojnë të dëgjohen rrahjet e zemrës të fetusit, që sipas autoriteteve mjekësore është mashtruese. Ligji është një nga më kufizuesit në vend i cili  hyri në fuqi pasi Gjykata e Lartë nuk iu përgjigj një apeli urgjent nga ofruesit e abortit. Mjekët dhe grupet e të drejtave të grave kritikuan rëndë këtë ligj pasi i njëjti i jep të drejtë çdo individi të padisë mjekët që kryejnë një abort pas gjashtë javëve.

Çfarë parasheh ky ligj?

Prapa në kohë, që nga vendimi i Gjykatës Supreme të vitit 1973 në Roe v Wade, gratë amerikane kanë pasur të drejtën e abortit derisa fetusi të jetë në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës, zakonisht midis javës së 22 dhe 24 të shtatzënisë.

I ashtuquajturi "Akti i Rrahjeve të Zemrës" në Teksas ndalon abortet pas javës së gjashtë të shtatzënisë, ku në këtë fazë shumë gra nuk e dinë që janë shtatzënë. 

Ligji i Teksasit zbaton ndalimin e tij me një qasje të pazakontë, ai fuqizon çdo qytetar të thjeshtë të padisë këdo që "ndihmon dhe mbështet" abortin e paligjshëm, ku ata që fitojnë paditë e tilla do të marrin nga humbësi deri në 10,000 dollarë.

Legjislacioni përjashton rastet me urgjence mjekësore, ku kërkon prova me shkrim nga një mjek, por jo për shtatzënitë që rezultojnë nga përdhunimi ose incesti.

Cili është qëndrimi i amerikanëve?

Aborti ka qenë prej kohësh një nga çështjet sociale më të diskutueshme të Amerikës. Sidoqoftë, sondazhet nga Qendra Kërkimore Pew tregojnë se gati gjashtë në dhjetë amerikanë besojnë se aborti duhet të jetë i ligjshëm në të gjitha ose shumicën e rasteve. Ky numër ka mbetur relativisht i qëndrueshëm gjatë dy dekadave të fundit, por maskon një ndarje partiake pasi vetëm 35% e republikanëve e mbështesin këtë pozicion.

Ligji i Teksasit është një nga shumë përpjekjet e fundit për të kufizuar abortet në shtetet e kontrolluara nga republikanët. Disa shtete të udhëhequra nga demokratët, si Nju Jorku, kanë miratuar masa për të mbrojtur mundësinë e abortit në rast të këtij skenari.

Presidenti Joe Biden e denoncoi ligjin si "ekstrem", duke paralajmëruar se "do të dëmtonte ndjeshëm" mundësinë në kujdesin e abortit, veçanërisht për teksanët me të ardhura të ulëta dhe pakicat racore.

Biden si një mbështetës i së drejtës së abortit  tha se ligji në shtetin jugor të Teksasit “shkel në mënyrë të hapur të drejtën kushtetuese” sipas vendimit historik të Gjykatës së Lartë të vitit 1973, në atë që njihet si “çështja Roe v. Wade”, ku thuhej se gratë kanë të drejtën kushtetuese për të ndërprerë shtatzëninë në gjashtë muajt e parë, kur fetusi nuk është në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës. Ai shtoi se administrata e tij është “thellësisht e angazhuar” për të mbrojtur të drejtën e abortit të vendosur sipas vendimit të vitit 1973.

Sidoqoftë, Gjykata e Lartë ka ende kohë ta bllokojë ligjin e Teksasit, pasi ka pranuar të dëgjojë argumente në sesionin e ri që fillon në tetor lidhur me një ligj në Misisipi që ndalon pjesën më të madhe të aborteve pas javës së 15-të të shtatzënisë, pra shumë javë para se fetusi të jetë në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës së nënës, siç e specifikonte vendimi i vitit 1973.

Çfarë thotë Ligji për Abortin në RMV?

Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë apo i njohur ndryshe si ligji për abortin u nënshkrua nga presidenti I RMV-së me 23 maj 2019. Ky ligj erdhi si rezultat i pengesave për zbatimin e ndërprerjes së shtatzënisë, dhe procedurave administrative.

Në procedurën për miratimin dhe kryerjen e ndërprerjes së shtatzënisë sigurohet respektimi i dinjitetit të gruas shtatzënë, të drejtës së privatësisë, informacionit, pranimit apo refuzimit të intervenimit medicinal, besueshmëri e të dhënave personale ose mjekësore, konform rregullave të sferës së mbrojtjes dhe të drejtave të pacientëve dhe të mbrojtjes shëndetësore.

Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë ka avancuar liritë riprodhuese të grave për shumë arsye, të cilat ishin të kufizuara më parë. 

·      Tani nuk ka më pritje prej tri ditëve të detyrueshme.

Gruaja e clila ka vendosur për abort, do të mund të ketë shërbime në kohë dhe pa shtyrje.

·      Tani nuk ka më këshillim të detyrueshëm dhe as të anshëm.

Gruaja nëse dëshiron vetë do të ketë këshillim I cili është objektiv, I liruar nga bindjet personale të mjekut dhe e mbështetur në informata mjekësore. Gruaja ka të drejtë edhe të refuzojë çfarëdo informacionesh për abortin dhe të kërkojë menjëherë të kryhet shërbimi.

·      Vendoset abortimi medikamentoz (abortimi me ilaçe).

Abortimi me ilaçe është mënyra më e sigurt e abortimit në nëntë javët e para të shtatzënisë. Ilaçet mund t’I japë mjeku amë, ku me mbështetjen e të cilit pacientja në mënyrë të sigurt do të mund të bëjë abortim edhe në ordinancat gjinekologjike.

·      Gruaja mund të abortojë me kërkesën e sajë deri në javën e 22-të të shtatzënisë.

Abortimi pas javës së 12-të mund të jetë i domosdoshëm për shkaqe mjekësore, për shkak të çrregullimeve serioze të fetusit ose për shkak të rrethanave të papritura sociale, të cilat mund të ndikojnë mbi mirëqenien sociale të gruas, nëse ajo e vazhdon shtatzëninë. Spitali është I obliguar që ta ndërpresë shtatzëninë pa e konsideruar mendimin e gjinekologut, te I cili gruaja është drejtuar ose mendimin e specialistit të dytë.

·      Tani nuk ka më nevojë për dokumentacion shtesë.

Gruaja e cila ka vendosur mos ta vazhdojë shtatzëninë për shkaqe socio-ekonomike, ose për shkak të dhunës seksuale, tani më nuk është e detyruar të grumbullojë dokumente nga institucionet përkatëse. Spitali nuk do të kërkojë më nga pacientja të parashtrojë vërtetim nga Prokuroria Publike, Policia, ose nga Qendra për Punë Sociale. Mjafton vetëm deklaratë e nënshkruar prej saj.

Abortet janë të ligjshme të paktën në kushte të caktuara në pothuajse të gjitha shtetet, por këto kushte ndryshojnë nga vendi në vend. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara me të dhëna të mbledhura deri në vitin 2019, aborti lejohet në 98% të vendeve në mënyrë që të shpëtohet jeta e grave e. Arsye të tjera të pranuara zakonisht janë ruajtja e shëndetit fizik ose mendor, rastet e përdhunimit ose incestit, rastet e dëmtimit të fetusit dhe të tjera. Kryerja e abortit për arsye ekonomike ose sociale është e pranuar në 37% të shteteve. Ndërsa abortit vetëm  nga kërkesa e grave lejohet në 34% të vendeve, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Kinën dhe shumicën e vendeve evropiane. 

Ndryshe, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur padi civile kundër ligjit të diskutueshëm për abortin në shtetin e Teksasit. Prokurori i përgjithshëm amerikan, Merrick Garland tha se ky akt është qartazi antikushtetues dhe se plani për të shfuqizuar Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara është një gjë që të gjithë amerikanët - pavarësisht nga politika apo partia e tyre, duhet t’i frikësohen. Kurse Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, e mbrojti ligjin, duke u zotuar se shteti i tij “do ta mbështesë gjithmonë të drejtën për jetë”.

 

 

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia