March 11th, 2024
Fëmijë që kërkojnë lëmoshë në Maqedoninë e Veriut ka më shumë se 3 mijë, pjesa më e madhe e tyre janë të bazuar në Shkup, Tetovë dhe Gostivar. Përpos detyrimit në lypësi, vajzat e mitura përdoren edhe për ofrimin e shërbimeve seksuale ndërsa fitimet e organizatorëve të tyre përmes abuzimit të fëmijëve shkojnë deri në 170 mijë euro në ditë.
Këto janë të dhënat shqetësuese e një hulumtimi të realizuar nga organizata joqeveritare ‘Gradime Idnina’ në Shkup. Mollëkuqja kontaktoi Ilija Jovanoviq nga kjo organizatë për të biseduar në lidhje me këtë.
“Vajzat përdoren edhe për të ofruar shërbime të përditshme seksuale në apartamente me qera, dhoma, shtëpi apo në mini hotele. Fitimet nga ofrimi i shërbimeve seksuale janë nga 1000, 2000, 4000, 6000, deri në 15,000 euro. Nga ajo që kam hulumtuar vajzat e shesin trupin e tyre për një celular të ri ose të përdorur për të komunikuar me klientët e vjetër ose të rinjë të cilët i joshin në ofrimin e shërbimeve seksuale. Tutorët i përgatisin, i trajnojnë dhe i veshin për të ofruar shërbime të ndryshme seksuale dhe ata janë të përgatitur të ofrojnë dhe trajnohen për të ofruar shërbime të ndryshme seksuale.” tha Ilija Jovanoviq.
Ai thotë se bëhet fjalë për grupe mirë të strukturuara kriminale, pasi nga këta fëmijë përfitojnë financiarisht më shumë persona, fëmijët bijnë në kontakt me këta grupe kriminale përmes prindërve të tyre, të cilët i nxjerrin në ‘treg’ kriminelësh fëmijët e tyre në mënyrë që të përfitojnë përqindje parash.
Që ta shkojë në shtëpi për të flejtur gjumë, fëmija duhet t’i kishte mbledhur më së paku 3.500 denarë, përndryshe detyrohet të qëndrojë në rrugë deri në 14 orë.
“Fëmijët detyrohen të lypin në tre turne. Ata shesin shami, peceta, tullumbace dhe produkte tjera. Një fëmijë nga ndërrim prej 8 deri në 12 ose 15 orë në ditë, përderisa ai nuk e mbledhë fitimin prej 2.000 deri në 3.500 denarë në ditë nuk lirohet. Për një ditë, organizatorët fitojnë nga 2.000, 3.000 deri në 3.500 denarë nga një fëmijë ndërsa rreth 170 mijë euro në ditë nga tre ndërrimet. Kjo do të thotë tre banesa nga 45m2” tha ai për ‘Mollëkuqja’.
Fëmijët të cilët nuk arrijnë të fitojnë mjaftueshëm para rrihen nga ana e abuzuesve, madje sipas Jovanoviq, ka pasur raste kur ‘këta fëmijë janë rrahur deri në vdekje’.
Çdo individ deri në moshën 18 vjeçe konsiderohet fëmijë, thotë për ‘Mollëkuqja’ Arta Mero, ligjëruese e të drejtës familjare. Ajo shtoi se në rastin konkret bëhet fjalë për cënim të të drejtave të fëmijëve ndërsa masa urgjente duhet të ndërmerren kundër prindërve të tyre.
‘Puna e fëmijëve’ i privon ata nga fëmijëria.
“Puna e fëmijëve i referohet punës që: është e rrezikshme dhe e dëmshme për fëmijën në aspektin psiqik, fizikë, social si dhe moral; privon fëmijën nga mundësia për të ndjekur shkollën duke i detyruar ata të lënë shkollën para kohe ose duke u kërkuar atyre që të përpiqen të kombinojnë ndjekjen e shkollës me punë tepër të gjatë dhe të rëndë.” tha Arta Mero.
Maqedonia e Veriut është nënshrkuese e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, që sipas Artës i ‘udhëron shtetet palë që të mbrojnë fëmijën nga shfrytëzimi i mundit të tij, të ndalojë kryerjen e punës që është e dëmshme për shëndetin ose zhvillimin e tij’.
Por përpos kësaj, Arta thotë se ‘me këtë shkelen edhe të drejtat themelore siç janë shëndeti dhe mirëqenia, e drejta për një nivel jetese të mjaftueshëm për zhvillimin e tij fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror, të drejtën për arsim, të drejtën në lojë, argëtim dhe kohë të lirë, mbrojtja nga shfrytëzimi dhe eksploatimi’.
Në mesin e kompetencave të ministrisë për punë dhe politikë sociale është ‘mbrojtja e fëmijëve dhe minorenëve’, por bazuar në shifrat e lartëpërmendura kjo ministri dukshëm ka dështuar në këtë drejtim.
Për ‘Mollëkuqja’ thanë se janë të njoftuar për këtë fenomen, por që s’treguan ndonjë plan konkret për përmirësimin e situatës, përpos ‘identifikimit’ të këtyre fëmijëve në rrezik, në bashkëpunim me policinë.
“Për të frenuar paraqitjen e fëmijëve në rrugë, janë planifikuar veprime të përbashkëta me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me qëllim identifikimin e fëmijëve të rinj në rrezik, si dhe zhvillimin e formave të reja jashtinstitucionale të mbrojtjes, veçanërisht programe parandaluese për fëmijët që përdorin substanca të ndryshme (fryrje të ngjitëseve) të cilat fatkeqësisht deri më tani nuk ekzistojnë në vend, siç është rasti në vendet e zhvilluara evropiane.” thanë nga MPPS.
Ata shtojnë se me këta fëmijë punohet në qendrat ditore për fëmijët në rrugë, por që janë shumë pak në numër dhe nuk janë hapur të reja në 7-të vitet e fundit, përkundër situatës alarmante.
“Në territorin e qytetit të Shkupit, qendra ditore ka në ‘Autokomanda’ dhe ‘Kisella Voda’, ndërsa në Komunën e Shuto Orizarit në mënyrë aktive funksionon qendra ditore e menaxhuar nga një organizatë joqeveritare, por në 7 vitet e fundit ky rrjet nuk është zgjëruar, veçanërisht në zonat e Ohrit dhe Strugës, ku vërehet prania më e madhe e fëmijëve të rrugës të cilët vijnë për të lypur gjatë periudhës së pranverës dhe verës.
Rikujtojmë që në nivel republikan ka deri në 3.500 fëmijë që kërkojnë lëmoshë rrugëve, 200 deri në 350 lypsar janë të bazuar në Shkup, më pas vijon Tetova dhe Gostivari me nga 40-60 lypsar kurse në qytetet tjera nga 10 deri në 20 lypsar minorenë. Numri më i madh i fëmijëve lypsarë janë të përkatësisë rome, por ka edhe shqiptar dhe maqedonas.
Era Gjakova është PhD kandidate në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si prezantuese e edicionit informativ si dhe moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në TV Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën etë drejtave të njeriut, barazisë gjinore, dhunës në familje, krimeve seksuale dhe medias.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia