cover-(6)-1723029404.png

“Po i vrisni gratë”: Institucioneve të Kosovës u kërkohet t’i mbrojnë ato

PASOJA

August 7th, 2024

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka zhvilluar një aksion simbolik pranë stacionit policor në Prishtinë dhe më pas pranë Prokurorisë së Shtetit, në ndërtesat e të cilëve ka shkruar “Po i vrisni gratë”.

Organizatoret e këtij aksioni thanë se në brenda pak ditë, një grua në Graçanicë dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, ndërkaq një ditë më parë në Ferizaj një burrë plagosi me armë zjarri gruan e tij.

Nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist akuzuan për neglizhencë organet e drejtësisë, pasi i arrestuari për plagosjen në Fushë Kosovë disa ditë më parë ishte ndaluar, e më pas liruar, për dhunë në familje.

“Duke i bërë bashkëfajtore institucionet e Kosovës për vrasjen e grave, ne rikujtojmë që për vajzat dhe gratë në Kosovë çdo ditë është luftë, luftë për ta mbrojtur vetën nga dhuna e gjinizuar e abuzimi seksual, luftë për t’iu ikur plumbave dhe sëpatave. E në këtë luftë, shteti vazhdon t’ua mbajë anën dhunuesve e vrasësve, duke i amnistuar e duke e mirëmbajtur patriarkalizmin”, tha një nga organizatorët e këtij aksioni simbolik.

Kjo organizatë tha se fajëson Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe gjykatat, pasi “po tregojnë që ky zinxhir është patriarkal, i dhunshëm dhe armik i grave”.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kërkoi që institucionet dhe shoqëria të veprojnë dhe të ndihmojnë gratë “në luftën për çlirim” dhe të mbështesin kauzën “feministe për çlirim nga çdo lloj dhune kurdo dhe kudo”.

Sa i përket të arrestuarit për plagosjen e gruas në Fushë Kosovë, Prokuroria Themelore në Prishtinë sqaroi se ai ishte ndaluar më 2 gusht nën dyshimet se kishte kryer veprën penale “dhunë në familje”.

Por, Prokuroria tha se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar kërkesën për arrest shtëpiak dhe ndaj të dyshuarit, I.A, ishte caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar bashkëshortes së tij.

Për këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, akuzoi për neglizhencë institucionet e drejtësisë.

Nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Artikulli fillimisht është publikuar në : Radio Evropa e Lirë

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia