Untitled-(1440-x-550-px)-8.png

Po flirtoj apo po ngacmoj? Kjo është çështja

SEEN

November 30th, 2021

Imagjinojeni këtë situatë: 

Jeni duke ecur rrugës dhe rastësisht jua pret udhën një shitës ambulant orësh. 

“Shikoje këtë, është orë origjinale! Blije se e ke me gjysmë çmimi.”

Ti me fytyrë indiferente e refuzon me mirësjellje

“Jo, faleminderit, s’ia kam nevojën orëve.” 

“Shikoje, shikoje!” të thotë. Ti nuk i kthen përgjigje. Ai vazhdon të të ndjekë pas për të ta marrë vëmendjen. 

“Po këtë?”

“Jo faleminderit, të lutem më lër të qetë tani.” – i përgjigjesh. 

Ai insiston. Teksa ti kthehesh për në shtëpi fillon të ta bllokojë rrugën. Ti i kalon anash. Të tërheq nga krahët, a ti largohesh me forcë. Arrin në shtëpi, por ai ende nuk është larguar. Kjo rrugë gjer në shtëpi, që ti e kaloje përditë në qetësi dhe që në përgjithësi e shijoje, sot u bë e bezdisshme. E vërtetë, ti mund të përballeshe me të, por sa je i/e sigurt që mund ta mundje? Edhe fundja, a ia vlen ta bësh atë gjë me gjithë ato njerëz përreth? Ti i imagjinon gjithë ato fjalë që do të thuhen, e gjithë atë turp që do të ndjesh.

Imagjinojeni të njëjtën situatë, por tani me dhjetra shitës të tillë, të gjithë duke luftuar që të ta tërheqin vëmendjen, kush me sjellje më të hijshme, e kush me sjellje më barbare, duke insistuar që ti ta blesh një orë pavarësisht se sa herë u ke thënë që s’ke interes. 

Kjo është Situata A, tani ndiqeni Situatën B:

Je duke ecur dhe ta pret udhën një shitës ambulant orësh. Ai sadopak ta tërheq vëmendjen. 

“Shikoje këtë orë, është origjinale! Blije se e ke me gjysmë çmimi.” 

Ti mendohesh. “Pa ti shoh njëherë.”

Shitësi ti tregon orët, ti blen një a dy, dhe sa herë që të nevojitet orë e re vazhdimisht e kontakton atë. 

Ekziston një dallim thelbësor mes Situatës A dhe B, tek e para, interesi yt nuk përputhej me interesin e shitësit, e megjithatë, ai insistonte që ta impononte interesin e vet në ty, duke krijuar kështu një situatë të pakëndshme dhe të padëshiruar për ty. Në situatën e dytë, interesat e të dyve u përputhen dhe arritët të komunikoni në mënyrë të shëndetshme dhe duke përfituar që të dy. 

Ky është dallimi thelbësor, çuditërisht shpeshherë i paqartë, mes ngacmimit të një njeriu, dhe flirtimit me të. Pavarësisht se ka shtresime tjera, dallimi gjendet mes interesave të dy personave dhe imponimit (ose jo) të njërit nga individëve. 

Ekziston një ide e çuditshme, kryesisht në botën mashkullore, që thotë që nëse do të jesh së bashku me një person tjetër duhet të insistosh pavarësisht refuzimit. Duhet të tregosh që je i gatshëm të bësh gjithçka për ta bërë për vete, të bëhesh qesharak, të bëhesh i frikshëm, të bëhesh i bezdisshëm, vetëm e vetëm që ai ose ajo të të japë një mundësi. Edhe më e çuditshmja është që shumë herë në biseda njerëzit krenohen me këtë sjellje. E quajnë madje flirtim dhe tregojnë se sa të aftë janë për ta bërë për vete një person përmes këtyre strategjive, që i kanë rafinuar sigurisht ndër vite, përmes eksperiencave të panumërta. E vërteta ama është që njëlloj siç nuk mund të themi për shitësin e Situatës A që është shitës i mirë, ashtu edhe në këto raste “kazanovizmi” i këtyre personave është tepërsisht i diskutueshëm. 

“E si mund të bisedojmë atëherë me një person nëse çdo tentativë komunikimi ndaj tyre qenka ngacmim?” – është një pyetje e dëgjuar shpesh. Përgjigjja është e thjeshtë: askush nuk ia mohon askujt të drejtën të tentojë të krijojë kontakte dhe të flasë me një person tjetër, qoftë sy më sy, qoftë onlajn (dhe sigurisht këto raste duhen bërë në momente të përshtatshme; një shembull qesharak por mjaft i kuptueshëm do të ishte: sigurisht që nuk do të flirtoje me një person në varrim; ose kur është me të dashurin/ën e vet; ose kur është me familjen e vet; ose kur sapo e ka thyer këmbën etj. pra çdo kërkon situatë një common sense), por njëlloj, askush nuk ia mohon dot të drejtën personit tjetër që të refuzojë të kontaktojë me ty, ose të jetë indiferent ndaj mesazheve të tua. Ashtu siç nuk mund ta detyrosh një person që të hajë me zor, njëlloj nuk e detyron dot të të flasë me zor. Kjo është ide shumë e thjeshtë që nuk kërkon të bësh ndonjë gjimnastikë të stërholluar mendore për ta kuptuar. 

Ekziston pra një dallim mes ngacmimit dhe flirtimit: në momentin që tentimi yt për të hyrë në kontakt me një person i kapërcen kufijtë personalë të atij personi, e bën të ndihet jo rehat, situata është e papërshtatshme, e vë në pozita të frikshme, çuditshme dhe të cenueshme, nëse i qasesh duke i thënë ose shkruar fjalë ofenduese (nuk e di përse do të funksiononte kjo mënyrë ndonjëherë), insiston që ta pranojë përparimin tënd përmes mesazheve të panumërta, i thua komplimente të vazhdueshme pavarësisht se asnjë prej tyre nuk pranohet, atëherë është momenti kur duhet t’i thuash “mjaft” vetes, pasi kjo ka shkuar përtej flirtimit dhe është bërë tashmë ngacmim. Në momentin kur “jo”-ja ose indiferenca e një personi nuk merret parasysh dhe tentimi nga ana tjetër nuk ndalet, sjellja është ngacmim e jo më flirtim. Nëse i shkruan dikujt mesazh dhe ai person e sheh, përveç në rastet e rralla kur harron të të kthejë përgjigje, është shenjë që nuk do të bisedojë me ty. Nëse ti e ndalon ndonjë person në udhë dhe ia kërkon numrin e telefonit dhe personi refuzon, më beso që është shenjë që nuk do të bisedojë me ty. Dhe më beso që në rast se je duke ecur dhe kërkon t’ia tërheqësh vëmendjen ndonjë femre duke fishkëllyer, mjaullirë ose duke bërë zhurma qensh, të vetmet gjëra që do të tërheqësh janë zogjtë, macet ose qentë e lagjes. Le të mos hyjmë më thellë te mënyrat e arritjes së kontaktit me njerëz të tjerë, por le ta vëmë pak veten në pozita të tilla. Pyete veten: a do të doje të ishe në vendin e njeriut që bezdiset vazhdimisht nga dhjetëra shitës sa herë që del në rrugë? A do të doje ti që në ato çaste kur ke dalë në park për të pushuar, të të afroheshin dhjetëra njerëz e të kërkonin diçka prej teje? A do të doje të prishej qetësia jote vazhdimisht për shkak të interesit të dikujt tjetër, pavarësisht se ti nuk ke interes të përbashkët? 

Ky është dallimi mes flirtimit dhe ngacmimit. Tek e para ndjenjat dhe interesi janë të përbashkët dhe nuk ka nevojë të kapërcehen kufij të thjeshtë të mirësjelljes njerëzore për ta marrë vëmendjen e tjetrit. Tek e dyta ndjenjat dhe interesat nuk përputhen, a kufijtë kapërcehen dhe imponimi i njërës palë është shqetësues dhe bezdisës për palën tjetër. 

Kur të jesh në dyshim se nëse je duke qenë shqetësues ose bezdisës, vetes mund t’i japësh përgjigje me një pyetje të thjeshtë: “Po të isha unë personi tjetër, a do të më bezdiste kjo sjellje?” dhe në pjesën më të madhe të rasteve përgjigjja do të jetë e qartë dhe e lehtë për t’u kuptuar. 

Synimi i këtij shkrimi nuk është të na bëjë që mos të tentojmë të komunikojmë apo të flirtojmë më, por është që të na shtyjë ta vëmë në mbikqyrje sjelljen tonë. Të na shtyjë të krijojmë një mendësi të re dhe më të plotë mbi kuptimin e fjalëve “dinjitet njerëzor” dhe “të sillesh si njeri.” Për disa shoqëri në botë siç duket kuptimi dhe praktikimi i këtyre fjalëve është më e thjeshtë a për disa më e vështirë dhe ndoshta do të duhet mjaft kohë gjersa edhe në shoqërinë tonë ky botëkuptim të futet thellë në vetëdijen tonë. Mirëpo, e rëndësishme është të fillohet. E rëndësishme është të kuptohet që me njerëz duhet të sillemi “si njerëz” që nënkupton të kesh respekt dhe vlerësim për njeriun para teje, e njëkohësisht të kesh mirëkuptim ndaj kërkesave dhe dëshirave të tyre. Imponimi është luftë, flirtimi nuk kërkon luftë. Të gjithë e kemi të drejtën për ta jetuar jetën të pashqetësuar nga të tjerët, dhe askush nuk e ka të drejtën që ta trazojë jetën e dikujt.

SHKRIMI ËSHTË SHKRUAR EKSKLUZIVISHT PËR MOLLEKUQJA.MK. TË DREJTAT E PUBLIKIMIT I KANË VETËM MOLLEKUQJA.MK DHE AUTORI, SIPAS MARRËVESHJES MES TYRE.
Ilir Saliu

Ilir Saliu

Ilir Saliu është demonstrator në katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë pranë Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" e njëkohësisht është edhe profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në nivelin e mesëm arsimor. Në të njëjtin universitet ndjek edhe studimet post-diplomike në drejtimin: Letërsi shqiptare dhe studime kulturologjike. Ka punuar si moderator dhe gazetar në emisionin e mëngjesit "Ditë e Re" në Televizionin "Alsat" dhe merr pjesë aktivisht në organizime të karakterit kulturor dhe shoqëror.


donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia