Untitled-(1440-x-550-px)-3.png

Gazetaret tani sulmohen dhe ofendohen edhe në rrjete sociale, pak raste paraqiten

SEEN

November 16th, 2021

Rrjetet sociale u kanë mundësuar qytetarëve që të shprehin edhe më shumë mendimin e lirë, megjithatë “falë” të njëjtave vija që ndan shprehjen e lirë të mendimit dhe cenimin e integritetit të tjetrit, është holluar së tepërmi. Në të shumtën e rasteve pre e kërcënimeve apo ofendimeve në rrjetet sociale janë edhe gazetarët, kryesisht gazetaret. Fatkeqësisht pak raste paraqiten në polici, ndërsa edhe më pak marrin një epilog ligjor.  Nga janari i vitit 2020 e deri në shtator të vitit 2021, në 8 Sektorë të Punëve të Brendshme janë paraqitur vetëm 9 raste. Mjafton të bëhet një hulumtim i thjeshtë për të kuptuar se numri i këtyre rasteve është shumë herë më i lartë.

“Janë regjistruar nëntë ngjarje në të cilat gazetarët, në formë elektronike me gojë ose me shkrim, janë ofenduar dhe ngacmuar duke u përdorur ndaj tyre fjalë me përmbajtje fyese ose kërcënuese, duke përfshirë një ngjarje ku u konstatua kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike duke qortuar, bërtitur ose sjellje të pahijshme dhe të turpshme. MPB-ja, përveç pas raportimit në stacionin policor kompetent merr masa nëpërmjet Departamentit të Krimeve Kompjuterike. Në lidhje me kërcënimet apo ngacmimet psikologjike Departamenti i Krimeve Kompjuterike dhe forenzikës digjitale ndërmarrin veprime dhe aktivitete në përputhje me nenin 144 paragrafi 4 "Rrezikimi i sigurisë" dhe neni 394-d "Përhapja" materiale raciste dhe ksenofobike nëpërmjet kompjuterit ”

Ministria e Punëve të Brendshme

Nga Prokuroria Themelore Publike nuk japin shifra për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve për të cilat është hapur hetim apo për ato që kanë pasur një epilog, duke thënë se për të marrë përgjigje duhet të parashtrojmë pyetje vetëm për raste konkrete. Sipas një deklarate të dhënë për media në fillim të këtij viti nga kryetari i SHGM-së, gjatë vitit 2020 nga gjithsej 16 raste të sulmeve verbale apo fizike ndaj gazetarëve, vetëm 1 i tillë ka marrë epilog. Pandëshkueshmëria stimulon edhe më shumë sulmet ndaj gazetarëve. Një nga gazetaret që ka qenë pre e sulmeve të tilla verbale në rrjetet sociale është edhe Salije Sadiku, korrespodente e TV21 për qytetin e Kërçovës dhe rajonin përreth. Sipas saj, përpos faktit që gazetaria është profesion që shpesh të shpie në situata të paparashikuara dhe të rrezikshme, të qenit grua në këtë profesion shton edhe më shumë hovin e një pjesë të opinionit për të të sulmuar, në të shumtën e rasteve në baza gjinore.

“Sulmi i fundit ishte 17 tetor ditën e rrethit të parë të zgjedhjeve lokale kur duke u munduar të jem korrekt si çdo herë me të gjitha palët dhe partitë politike, në shtabin e kandidatit të pavarur u sulmova verbalisht duke më akuzuar vetë kandidati se unë dhe TV21 jemi fajtor për gjendje në të cilën ndodhet vendi dhe humbjen e tij, duke na etiketuar me fjalët : E keqja e këtij populli, gjakpirës etj. Ndërsa të pranishmit po duartrokisnin dhe brohorisnin. Pasi ngjarja u publikua dhe morri hov në media dhe rrjetet sociale vazhdoja të sulmohesha si gënjeshtare nga disa persona aty, sidomos një grua që ishte kandidate për këshilltare dhe komentin e saj të njëjtë e bënte Copy Past me fjalë të pa baza duke ditur të vërtetën”

Salije Sadiku

Këtë rast ajo e paraqiti në institucionet përkatëse, megjithatë pranon se nuk pret që i njëjti do të marrë ndonjëherë epilog. Ajo thotë se fakti që është grua e angazhuar në këtë profesion, bën që personat e tillë të mendojnë se mund ta sulmojnë më lehtë, duke ofenduar edhe pjesëtarët më të ngushtë të familjes. Megjithatë, shton se situata të tilla nuk e zbrapsin në kryerjen e punës së saj. 

“Për të qenë e sinqertë kur shkoj të raportoj nga terrene që si njoh dhe jam vetëm unë normal që kam frikë pak, sepse nuk e di se çfarë të pret atje dhe për çfarë qëllimi je ftuar, ndodh që ngacmohesh me fjalë, provokohesh, akuzohesh për mbajtjen e ndonjë ane, duhet të kesh karakter dhe qëndrim të paluhatshëm për t’u bërë ballë disa gjërave. Ndërsa sulme verbale dhe komente negative kemi pasur kemi dhe do të kemi sepse kjo është hierarki e shtetit ku jetojmë. Andaj edhe qytetarët disa herë mosbesimin e qeverive e nxjerrin tek ne duke menduar se ne jemi ata që ju bëjmë keq, dhe asnjëherë se marrin si pjesë të së mirës se jemi çdo herë me popullin dhe jo me politikën!"

Salije Sadiku

Në raportin e publikuar nga Freedon House  thuhet se peizazhi mediatik i Maqedonisë së Veriut është thellësisht i polarizuar përgjatë vijave politike dhe mediat private shpesh janë të lidhura me interesa politike ose biznesi që ndikojnë në përmbajtjen e tyre. Megjithatë, funksionon një koleksion i gjerë i pikave kritike dhe të pavarura dhe gjenden kryesisht në internet. Gazetarët e Maqedonisë së Veriut mbeten subjekt i presionit dhe ngacmimit politik, dhe sulmet fizike vazhdojnë të raportohen.

Evi Shkopi

Evi Shkopi

Evi Shkopi është juriste e diplomuar në Universitetin e Tetovës. Ajo ushtron profesionin e gazetarisë tashmë 11 vite, kurse aktualisht punon si gazetare dhe prezantuese në edicionin informativ në Klan Maqedoni. Evi raporton kryesisht mbi problematikat në arsim, shëndetësi, ekologji, tema sociale dhe ngjarje tjera aktuale.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia