November 8th, 2021
Propozim/ndryshimet ligjore në Kodin penal të cilat do të ishin garanci plotësuese për sigurinë e grave dhe vajzave presin disponimin politik për miratim në Kuvend që nga muaji shtator. Për deri sa partitë deklarativisht shprehen kundër dhunës ndaj grave, miratimin e këtyre ndryshimeve, deri tani, nuk e kanë vënë prioritet. Ministria e Drejtësisë, në propozim ndryshimet në Kodin Penal, ka përfshirë edhe veprën e re penale “Përndjekje”, e cila synon të rregullojë me ligj sanksionet për personat të cilët rrezikojnë sigurinë dhe privatësinë e tjetrit, fizikisht ose në internet.
Nga kjo ministri sqarojnë për “Mollëkuqja” se dënimet për këtë vepër, parashikohet të jenë deri në 5 vite burg. Këtu përfshihen ndjekja, shqetësimi, frikësimi, abuzimi psikik i personit tjetër, përfshirë këtu edhe hapësirën virtuale, gjëra të cilat deri tani nuk kanë paraqitur vepër penale.
“Në nenin 144-a të Kodit Penal thuhet se “Ai që me këmbëngulje, pa autorizim të ndjekë, përndjekë apo në ndonjë mënyrë tjetër ndërhyn në jetën personale të një tjetri, vendos apo këmbëngul të vendosë kontakt të padëshiruar me lëvizje në hapësirën ku ndodhet ai person, me keqpërdorim të shfrytëzimin të të dhënave personale, me përdorim të mjeteve për informim publik apo mjeteve të tjera të komunikimit, apo në mënyrë tjetër abuzon psiqikisht, shqetëson apo frikëson dhe me atë do të shkaktojë ndjenjë të pasigurisë, shqetësimit apo frikësim për sigurinë e tij apo sigurinë e ndonjë personi të afërt të tij, do të dënohet me dënim me të holla, apo me burg deri në tre vite”
Ministria e Drejtësisë
Nisma e tillë erdhi pas rastit famëkeq “javna soba” në të cilin vajza, kryesisht të mitura, ishin përndjekur, shantazhuar dhe u ishin publikuar të dhëna personale dhe fotografi intime, në rrjetin e komunikimit “Telegram”. Muaj të tërë pas bërjes publike të shqetësimit të parë mbi rastin, ai mbetet i pazgjidhur sepse autoritetet besonin se nuk kanë bazë për të gjykuar personat që shkëmbenin këto materiale në grup. Kjo edhe për shkak se “Telegram” kishte refuzuar të bashkëpunojë me autoritetet vendase për identitetin e personave që ishin pjesë e grupit dhe që kishin shpërndarë përmbajtjet e këtilla. Prokuroria ka ngritur akuzë ndaj kreatorit dhe administratorit të grupit dhe për këtë rast ka një proces gjyqësor.
Ajo që opinioni mësoi është se pjesa më e madhe e këtyre fotografive dhe të dhënave të viktimave shpërndaheshin nga persona me të cilët më herët viktimat kishin pasur lidhje intime. Propozim/ndryshimet në Kodin penal parashikojnë ndëshkim edhe në rastet e këtilla.
“Nëse vepra nga paragrafi 1 i këtij neni është kryer ndaj një personi me të cilën autori është apo ka qenë në lidhje intime apo ndaj një fëmije, do të dënohet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vite”, shtojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Arena ku vajzat dhe gratë mund të jenë pre e ngacmimeve seksuale, shqetësimeve dhe përndjekjes është zgjeruar. Nëse dikur hapësirë rreziku për sigurinë e tyre kanë paraqitur vende të caktuara publike, sot këtu hyn edhe interneti, i cili çdo ditë e më shumë përdoret për ngacmim, shqetësim apo keqpërdorim të vajzave dhe grave.
Elena Dimushevksa nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare, ka thënë se, absolutisht, propozim/ndryshimi i Kodit penal është në pajtueshmëri me nenin 34 nga Konventa e Stambollit, por sipas saj, për këtë vepër dënimet duhet të jetë më të larta. Dimushevska po ashtu, propozon thotë se që të jetë efikas në këtë drejtim, ligji duhet të potencojë dhe të definojë “ngacmimin seksual”.
“Në lidhje me mbrojtje reale të grave dhe vajzave, gjithsesi konsiderojmë se hapi i parë që të munden të veprojnë institucionet është që e njëjta të jetë e inkriminuar dhe e parashikuar në ligjin. Kjo posaçërisht ka të bëjë me vendosjen edhe të një vepre të re penale, shqetësimin seksual. Propozimi momental ka të bëjë me vepër të re penale shqetësim gjinor. Duhet të ketë ndryshime të caktuara të cilat do të ishin pajtueshmëri edhe me dokumentet ndërkombëtare dhe në raport me mbrojtjen e duhur dhe sistematike të grave që janë viktima të shqetësimeve seksuale, posaçërisht përmes internetit”
Elena Dimushevska
Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave ka propozim konkret.
“Propozojmë definimi i shqetësimit seksual të jetë siç është në Konventën e Stambollit edhe atë: “Ngacmimi seksual – çdo formë e sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale apo fizike mbi baza seksuale, me qëllim apo pasojë lëndim i dinjitetit të personit, posaçërisht kur krijon ambient frikësimi, të pakëndshëm, degradues, përçmues apo lënduese, është lëndë për sanksion penal”, tha ajo.
Bojana Jovanovska nga Komiteti i Helsinkit tha se vepra e re penale, “Përndjekje” është gjithëpërfshirëse, megjithatë nëse kjo do të jetë ndihmë reale për viktimat, varet prej organeve kompetente se sa do ta zbatojnë atë.
“Formulimi i veprës penale “përndjekje” e cila duhet të inkuadrohet në Kodin tonë Penal vlerësojmë se është gjithëpërfshirëse dhe në pajtueshmëri me Konventën e Stambollit. Në çfarë mënyre do të zbatohet, përkatësisht nëse viktimat të kësaj lloj dhune do të jenë të mbrojtura do të varet nga institucionet primare të cilat do ta kenë për detyrë të veprojnë pas raportimeve të tilla, siç janë Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria Themelore Publike, qendrat për punë sociale etj.”
Bojana Jovanovska
Miratimi i propozim/ndryshimeve, sipas ekspertëve për të drejtat e njeriut, në vetë nuk garanton zbatim efikas.
“Duke pasur parasysh se pikërisht implementimi i dispozitave ligjore në praktikë ende paraqet një ndër mangësitë më serioze në sigurimin e mbrojtjes adekuate të viktimave në dhunë me bazë gjinore, mbetet ta vëzhgojmë zbatimin e tyre pas miratimit dhe të vlerësojmë se sa në të vërtetë janë në ndihmë të viktimave”, shtoi Jovanovska.
Përndjekja nëse sanksionohet si vepër penale mund të parandalojë vepra më të rënda, vlerëson Dimushevksa nga Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare.
“Në SHBA, sipas një hulumtimi, 54 për qind nga gratë që kanë qenë të përndjekura dhe më vonë janë vrarë, paraprakisht e kanë paraqitur përndjekjen në polici. Kjo do të thotë se përndjekja është një nga veprat penale e cila nëse rregullohet mund të pengojë formë më të rëndë të veprave penale siç janë lëndime të rënda trupore apo vrasje”, thekson Dimushevska.
Hulumtimet, shton ajo, flasin se 70% e viktimave të dhunës ose vrasjeve pas përndjekjeve janë vrarë ose dhunuar nga partneri aktual ose i mëhershëm me të cilin kishin pasur një lidhje intime.
Viktima më të shpeshta të kësaj forme të dhunës, kryesisht virtuale, janë gratë, vajzat e mitura dhe fëmijët. Ministria e Punëve të Brendshme nuk dha të dhëna për llojin e dhunës, frikësimit dhe shantazhimit në rrjetet sociale, me materiale eksplicite dhe të dhëna personale, megjithatë njoftoi për forma të tjera të veprave penale ku viktima janë gratë dhe fëmijët.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në vitin 2020 ka pasur 112 vepra penale ndaj moralit dhe lirisë gjinore. Përkatësisht, 38 vepra penale për përdhunim, 3 për tradhti bashkëshortore ndaj personit të pafuqishëm, 39 për sulm me bazë ndaj fëmijëve që nuk kanë mbushur 14 vjeç, 1 për tradhti me keqpërdorim të pozitës, 17 për kënaqje të epsheve gjinore para një personi tjetër, 3 për ndërmjetësim në kryerje të prostitucionit, 4 për lëshim të materialit pornografik fëmijëve, 2 për prodhim dhe distribuim të pornografisë për fëmijë, 2 për joshje të fëmijës që nuk ka mbushur 14 vjeç dhe 3 për perversitet.
Teuta Buçi është gazetare e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Aktualisht punon si gazetare në televizionin Klan Macedonia. Teuta ka punuar paraprakisht edhe në disa media të tjera. Ajo ka marrë pjesë në trajnime dhe projekte të ndryshme gazetarie. Temat në të cilat Teuta raporton janë kryesisht të karakterit politik.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia