nje-faqe-nga-ditari-im-(2).png

Liri Kuçi në "Tregime Pjeshkash": Ndërro syzet, be positive!

FEMINISTING

April 12th, 2024

Të sfidoj!          

Merr frymë,

lejohet vetëm të menduarit pozitiv përgjatë dhe pasi të më lexosh...

Ti mundesh!

Mendo pozitivisht. Çdo muaj. Bota të mblidhet në një shkulm të dhimbshëm në mitër. Sot ishte dita e parë.

Kalon, akoma s’u mësove? Jepi, çohu tani, shko xhiro një klip duke kalëruar me pantallona të bardha. Ngjit një mal. Endometriozën nuk e njohin as gjinokologët.

Sot vranë një grua (tjetër).

Shkruaj diçka, mos u qurravit, ky pra është patriarkati.

Çdo vit pankarta të njëjta, edhe thirrjet. Sa pak kreative që jeni. I keni parë ata (?) vdekjet nuk i ngjajnë tjetrës, skenare hollivudiane.

*Mos i lexo lajmet, ruaje veten. Mendo pozitivisht. Tërhiq, merri universit më të mirën. Mbaje frymën.

6 muaj nga gjenocidi në Gaza, fëmijët po vdesin urie. Numri i viktimave ka kaluar luftrat botërore.

Ishe në fitnes sot? Përpiqu! Nuk mjafton vetëm ushqimi, meditoje çka ke në pjatë, shkarkoje nga toksinat. Atë që i çon trupit, i jep edhe mendjes. Pozitive!

Palestinezët e mbajtën iftarin me një tas barishtesh të ziera.

Shko në terapi.

*Kujdes çfarë energjie përçon sepse zemërimi yt të tregon histerike, kështu largon njerëz.

Shkëputem. Vendos syzet me të cilat tejshkoj leximet mbi botën, shoqërinë, të drejtat e njeriut. Dioptria: Pesimizëm progresiv. Shikim i mërzitshëm për urinë lajkatosëse për pozitivitet dhe shkëlqim privat. Boooring. Blur duket më interesante. Më shumë, të lutem.

Vintage.

*Ji, ndiq, bëhu zëri optimist, për të cilin ke dhe ka nevojë bota. Larg interferencave. Ti sheh atë që kërkon, merr atë që meriton.

Tymnajën në mendje kam mësuar ta bluaj vetëm me xhindet e brendshme, që zor se ndonjëherë do të vënë rregull përmbi rrokopujën luftarake ndjesoro-racionale (feministe) mbizotëruese. Jo se kam dashur. Jo se dikur ka qenë apo se mund të bëhet më mirë. Mendoj se kështu u ruaj “energjinë” nga spruco të panevojshme që u ndotin pozat ditore.

*Ftesë në baby shower dhe zbulim gjinie surprizë, në 3 ditë. Çfarë skuadre je?

-Grua bëhesh, nuk lind.

Vishu me ngjyrat e duhura. Jeta është e bukur. Hiqi ato syze të mallkuara! Do ngelesh vetëm.

Lëshoje.

KY TEKST ËSHTË SHKRUAR NË KUADËR TË EDICIONIT TË NJËMBËDHJETË TË "TREGIME PJESHKASH" ME TEMË "NJË FAQE NGA DITARI IM".
Liri Kuçi

Liri Kuçi

Liri Kuçi është hulumtuese politike. Ka kryer studimet Master në Londër, për Politika Feministe Transnacionale, në Universitetin SOAS. Ajo është bashkëthemeluese dhe kryeredaktore e revistës "Shota". Përgjatë studimeve dhe përvojës në punë hulumtuese ështe thelluar në ligjërimin dhe metodologjinë feministe interseksionale.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia