Untitled-(1440-x-550-px)-10.png

Nxënëset të painformuara për ciklin menstrual, pecetat higjienike janë barrë financiare shtesë për to

MARRE

January 15th, 2022

Në shoqërinë tonë, e në shumë të tjera, tema e menstruacioneve sot e kësaj dite trajtohet me siklet e turp. Fjalori zyrtar i gjuhës shqipe nuk e përmend fjalën “menstruacione”, ndërkohë në zhargone të përditshme menstruacioneve u referohet me fjalët “ato”, “tezet”, “të gjeturat”, “të larat”, e të tjera.

Profesoresha universitare Ajten Hajdari-Qamili thotë se një fenomen i tillë ndodh për shkak se edhe në kulturën shqiptare, ashtu si në shumë kultura në botë, cikli menstrual vlerësohet si diçka e “turpshme”. Prandaj për t'iu referuar këtij procesi përdoren eufemizma.

“Në traditën shqiptare prej kohësh të folmet shoqërore të grave shquhen për përdorimin e madh të eufemizmave, me qëllim që të zbutet, të paqartësohet, të fshihet fjala e vrazhdë, e egër, e pahijshme ose tabu, që të mos kuptohet biseda nga burrat dhe fëmijët. Eufemizma janë gjithë ato fjalë e shprehje, që zëvendësojnë fjalë të vrazhda e të pahijshme me fjalë e shprehje me të lehta e më të buta ose të tërthorta. Për shkak se cikli menstrual si dukuri në mbarë njerëzimin llogaritet si diçka e pahijshme, “e turpshme”, në shumë gjuhë botërore, po ashtu edhe në shqipe shprehet me eufemizma"

Ajten Hajdari-Qamili, albanologe

Faktin se në kërkimet online në fjalorët e gjuhës shqipe, fjala “menstruacione” nuk ekziston, Ajten Hajdari-Qamili nga Fakulteti i Filologjisë “Bllazhe Koneski” – Shkup, shpjegon se kjo ndodh për shkak se termi në fjalë është term profesional internacional.

“Termi menstruacione është term profesional (profesionalizëm) dhe ndërkombëtar (ndërkombëtarizëm ose internacionalizëm) dhe ka përhapje mbarëbotërore. Shumë fjalë internacionale nuk janë të përfshira në fjalorin shpjegues të shqipes, por janë përfshirë në fjalorët terminologjikë. Meqenëse ky term përdoret nëpër libra ose revista të stilit shkencor-popullor, që zakonisht kanë karakter edukativ për nxënësit ose masën e gjerë të publikut, sikur edhe për të gjitha dukuritë e tjera në fushat përkatëse, shprehen gjithmonë me termat profesionalë. Por kjo nuk do të thotë se në shqipe nuk kemi fjalën tonë”

Ajten Hajdari-Qamili, albanologe

Kërkues gjuhësor online

KËRKUES GJUHËSOR ONLINE

Fjalor shqip online

FJALOR SHQIP ONLINE

Fjalor i gjuhës shqipe online

FJALOR I GJUHËS SHQIPE ONLINE

Në pyetjen tonë se: “Pse në fjalorin e gjuhës shqipe, për një proces natyror që ekziston sa vet gjuha, nuk ka një fjalë shqipe, por përdoret termi i huazuar “menstruacione”?” Profesoresha përgjigjet si më poshtë:

“Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe kemi fjalët shqipe mujoret dhe të përmuajshmet ose togfjalëshi cikli menstrual, që po ashtu është fjalë e huaj sikur edhe fjala menstruacione, të cilat e kanë po këtë kuptim. Dy fjalët shqipe janë fjalë polisemike që nuk përcaktojnë me përpikëri vetëm kuptimin e fjalës menstruacion, por ka kuptimin: diçka që zgjat një muaj, që kryhet a duhet të kryhet gjatë një muaji; i parashikuar për një muaj; që i përket muajit, i muajit; që del ose që bëhet çdo muaj; që ndodh në krye të çdo muaji (p.sh.: Detyra mujore. Plani mujor. Ngarkesa mësimore mujore. Rroga (paga) mujore); dhe fjala i/e përmuajshme, që ka kuptimin: diçka që ndodh çdo muaj, që përsëritet muaj për muaj; që bëhet një herë në muaj; që del një herë në muaj; mujor. (p.sh.: Mbledhje të përmuajshme. Revistë e përmuajshme.). Në analogji me këto shpjegime vetëkuptohet se edhe fjala menstruacione mund të shqipërohet me njërën nga këto dy fjalë mujoret ose të përmuajshmet. Shumë shpesh nëpër portale dhe revista hasim këto fjalë shqipe, që për mendimin tim duhet të kenë shtrirje më të gjerë dhe të përdoren lirshëm. Megjithatë, nuk mendoj se do të mund ta zëvendësojnë plotësisht dhe ta heqin nga përdorimi fjalën menstruacione”

Ajten Hajdari-Qamili, albanologe

Edukimi mbi ciklin menstrual në shkollat tona!

Në orët mësimore në shkollë fillore tejkalohet shpejt kur është në planprogram për t’u mësuar madje ka raste kur aspak nuk trajtohet si temë, ose jetësohet praktika e famshme që djemtë lirohen nga ajo orë dhe kjo diskutohet mes vetëm nxënëseve.

“Më kujtohet se në klasën tonë, si nxënëse e shkollës fillore, për këtë proces për herë të parë kam dëgjuar në orën e biologjisë. Mësuesja vendosi që atë ditë t'i lirojë nga ora mësimore djemtë dhe mësimin e zhvilloi vetëm me vajzat. Shumë sipërfaqësisht kam qenë e informuar edhe nga nëna ime për këtë fenomen. Si e vogël për shëndetin dhe higjienën menstruale jam informuar më shumë nga shoqet, zakonisht nga ndonjëra që kishte motër më të madhe ”, u shpreh E.M nga Struga.

“Mendojë se jo vetëm unë, por shumica e vajzave, në moshë të vogël rreth ciklit menstrual informohen nga nëna, motra, gjyshja, etj. Ndërsa djemtë që duan të dinë më shumë rreth këtij procesi lexojnë në internet. Unë ndihem më rehat të flas rreth kësaj teme me shoqërinë se sa me familjen. Është shumë normale që rreth kësaj teme të flitet me nënën, gjyshen apo motrën por tek ne akoma nuk është normalizuar kjo temë të flitet me meshkujt e familjes”, u shpreh H.B nxënëse në shkollë të mesme.   

Në fakt, edukimi teorik nuk është i vetmi problem në shkollat tona. Në institucionet edukativo-arsimore shtetërore nuk ka kushte për mirëmbajtje të sigurt dhe të denjë të higjienës menstruale. Në shumë shkolla të vendit tualetet janë në gjendje të mjerueshme dhe të kërkosh të ketë sapunë dhe letra higjienike është sureale për realitetin ku jetojmë ne. Në një pyetësor të realizuar në kuadër të studimit “Drejtësia Menstruale” morën pjesë 307 nxënëse nga njëzet shkolla të mesme nga të tetë rajonet në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Rezultatet ishin si më poshtë:

-        79% e nxënësve u përgjigjën se në tualetet në shkollën e tyre nuk ka sapun dhe letër higjienike

-        22% e nxënësve u përgjigjën se nuk lavamanë brenda kabinave në tualetet e shkollave të tyre

-         48% e nxënësve janë edukuar se është turp të kesh një “rrjedhje” dhe njolla menstruale në rroba

-        64% u përgjigjën se në shkollën e tyre nuk janë organizuar kurrë ligjërata ose biseda rreth menstruacioneve dhe kushteve të disponueshme për ruajtjen e higjienës menstruale

Akoma më sureale duket edhe ideja për të pasur peceta higjienike ose produkte të tjera të higjienës menstruale falas në shkolla, fakultete, por edhe institucione tjera publike.

-        Higjiena menstruale është luks për shumë femra në vendin tonë

Duke mos u trajtuar si një proces natyror, tema e menstruacioneve ka bërë që pecetat higjienike menstruale, si produkt bazë, të kenë një çmim të lartë në treg. Ata që nuk mund ta përballojnë çmimin detyrohen t’i blejnë ato më të lira, edhe nëse prej cilësisë janë më të dobëta dhe si pasojë mund të sjellin alergji a irritime. Kostot e trajtimit të menstruacioneve janë të larta nëse marrim parasysh statistikat zyrtare mbi shpërndarjen e profitit dhe ekonomisë në vendin tonë, si dhe statistikat zyrtare mbi nivelin e varfërisë. Një pjesë e konsiderueshme e vajzave dhe grave, të paktën në një pjesë të jetës së tyre, janë prekur nga varfëria menstruale, megjithëse çështja është e margjinalizuar në publik, dhe diskursi dominues është ende një diskurs i “turpit”.

Për produktet higjienike menstruale, në vendin tonë paguhet TVSH e plotë prej 18%, edhe pse me një ligj mund të parashikohet një heqje e plotë e TVSH-së ose taksë më të ulët, prej 5%, e cila do të ulte çmimin e produkteve. Megjithatë, në qarqet politike një reformë e tillë as që është prioritare e as që diskutohet.

Një hulumtim i publikuar nga Shoqata e qytetarëve për promovimin e aktivitetit të grave Tiiiit.Inc tregon se shëndeti menstrual në vendin tonë kushton shumë.

“Sipas të dhënave nga anketa mbi drejtësinë menstruale në internet, 77% e grave dhe vajzave të anketuara shpenzojnë midis 101 dhe 400 denarë në muaj për produkte menstruale. Llogaritjet e bazuara në përgjigjet e kësaj ankete tregojnë se gratë, vajzat dhe personat e tjerë që kanë menstruacion, mesatarisht shpenzojnë 265.54 denarë në muaj për produktet menstruale. Prandaj, për një vit, gratë dhe personat e tjerë me menstruacion, sipas këtyre të dhënave, shpenzojnë mesatarisht 3186.48 denarë për produkte menstruale. Nëse periudha riprodhuese e një gruaje zgjat nga 12 në 52 vjet, mesatarisht 127 459.2 denarë shpenzohen nga gratë dhe personat e tjerë që kanë menstruacion për produktet e menstruacioneve gjatë jetës së tyre” theksohet në studimin gjithëpërfshirës mbi qasjen te higjiena menstruale në Republikën e Maqedonisë së Veriut me titull “DREJTËSIA MENSTRUALE”.

LEXO: Nxënëset e shkollave të mesme të cilat janë nën kompetencë të Qytetit të Shkupit do të përfitojnë produkte menstruale pa pagesë. 

Sidoqoftë, kostot e shëndetit menstrual nuk përfundojnë këtu. Vajzat duhet të sigurojnë dhe një sasi të konsiderueshme parash për të blerë medikamente të ndryshme për t'i përballuar dhimbjet që shkaktohen nga cikli menstrual. 

“Sipas të dhënave nga ky hulumtim, 94.2% e grave dhe vajzave ndjejnë dhimbje menstruale, dhe 71% përdorin ilaçe për dhimbjet menstruale. Prandaj, edhe pse 29% nuk kanë raportuar shpenzime mujore për medikamente kundër dhimbjeve menstruale, pjesa tjetër shpenzojnë mesatarisht 150.23 denarë në muaj për ilaçe për dhimbje menstruale, kurse për një vit shpenzojnë mesatarisht 1 802.76 denarë. Edhe pse nevoja për ilaçe kundër dhimbjeve menstruale mund të ndryshojë për disa, nëse llogaritet për të gjithë periudhën riprodhuese, sipas të dhënave nga ky studim, mesatarisht një grua që përdor ilaçe për dhimbje menstruale shpenzon 72 110.4 denarë për të zvogëluar dhimbjen. Sipas të dhënave, kujdesi për ciklin menstrual lidhur me blerjen e produkteve komerciale për menstruacion dhe ilaçe kundër dhimbjeve menstruale, gjatë periudhës riprodhuese, kushton mesatarisht 199 569.6 denarë për person. Sipas llogaritjeve të kostos, nëse marrim të dhënat e fundit mbi pagën mesatare neto për punonjës, e cila është 27 588 denarë30, një person që merr një pagë mesatare duhet të punojë 7.2 muaj në jetë vetëm për të paguar për produktet menstruale dhe ilaçe për dhimbjet menstruale”, thuhet mes tjerash në studimin “DREJTËSIA MENSTRUALE”.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), nga numri i përgjithshëm i grave nga mosha 15 deri në moshën 65 vjeçe, vetëm 300.549 gra janë të punësuara dhe pranojnë të ardhura. Ndërsa për burrat, për grupmoshën e njëjtë ky numër arrin deri në 458.505. Ndërkohë në anën tjetër, sa i përket numrit të grave të pa punësuara dhe popullatë joaktive, numri i përgjithshëm i tyre arrin në 539.905. Ndërsa ky numër për burrat e papunësuar dhe joaktivë është vetëm 383.743.  

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani Dika ka kryer studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin "Komunikim Ndërkombëtar". Tre vite ka punuar si gazetare në sektorin e informimit online në Televizionin Alsat, kurse nga viti 2019 punon si gazetare e pavarur në projekte të ndryshme mediatike. Shefkija është edhe verifikuese e fakteve dhe recensente.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia