February 26th, 2023
“Ky libër është shkruar për njerëzit që të kuptojnë se të gjithë gjendemi në vorbullën e njëjtë, andaj veç sinqeriteti me të cilin i qasemi vetes e të tjerëve, mund të na bëjë pjesë të njëri-tjetrit” | Nurie Emrullai
Nurie Emrullai poezinë e ka zonë të sajën të komfortit, por “kufinjtë” e krijimtarisë nuk ka frikë t’i shtrijë përtej territorit ku ajo ndjehet e sigurtë. Në garë me 27 dorëshkrime në prozë nga 27 autorë garues, shkrimtarja kërçovare ka fituar çmimin “Kadare” për vitin 2023. Nuria, e njohur për poezitë e saj të botuara nga Onufri, këtë çmim e ka fituar duke e sfiduar veten për herë të parë në prozë me romanin “Duhet të jetë dashuria”.
“Dorëshkrimi i romanit “Duhet të jetë dashuria” i shkrimtares Nurie Emrullai nga Maqedonia e Veriut dalloi për gjetjet stilistikore dhe talentin, për t’i dhënë mikrokozmosit të saj, një frymë letërsie universale”, ka vendosur juria unanimisht.
Çmimet letrare, thotë Nuria, gjithmonë duhet të jenë orientime reale për lexuesin. Andaj, sipas saj, nuk kanë të bëjnë vetëm me arritje personale të shkrimtarit, por po aq kanë të bëjnë me arritjen e lexuesit drejt veprës. Nga ana tjetër, për kryetaren e jurisë, shkrimtaren Natasha Lako, emri i Nuries si fituese është emër surprizë, por plotësisht i merituar.
“Është një emër surprizë, por plotësisht i merituar për këtë zonjë nga bashkëkombësit tanë në Maqedoninë e Veriut, edhe për të provuar se letërsia e mirë shqipe shkruhet kudo dhe jo vetëm në Tiranë“
Natasha Lako
Shumë shpesh të lënë anash si pa dashje, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut këtë herë kanë arritur që nëpërmjet Nuries, të kthejnë vëmendjen e shqiptarëve drejt tyre, për të thënë që arti nuk njeh kufi gjeografik. Çmimi “Kadare” këtë herë ka arritur në Kërçovë, për të qëndruar në një shtëpi shqiptare ku Nuria është rritur duke lexuar autorin, emrin e të cilit e mba ky çmim.
“Tani, çmimi "Kadare", ka rëndësi të jashtëzakonshme, nga vetë emri që bart. Por, këtë herë medalja e këtij çmimi i ka të dyja anët e arta, sepse arriti që t'i zhbëjë kufijtë gjeografik aty ku me pa të drejtë ekzistojnë midis shqiptarëve”
Nurie Emrullai
Sipas Nuries, të shkruarit e prozës, ndryshon kaq shumë nga poezia, ndonëse ajo thotë se nuk i ik dot ndjeshmërisë poetike, andaj sipas saj, më shumë romanit të saj mund t'i themi prozë poetike. Kjo vepër për Nurien, gjatë gjithë këtyre viteve që e ka shkruar ka qenë për të provë nëse arrin të përmbledhë e t'i shtjellojë më gjatë temat e caktuara për të cilat vendosi të shkruajë.
“"Duhet të jetë dashuri", trajton jetën njerëzore, që shpesh kalon pa u vërejtur, shpesh ndjesitë kalojnë pa mundur apo pa ditur fjalët e duhura për t'i thënë. Vetmia, frika nga e ardhmja, dashuria e të gjitha këto elemente të cilat shoqërohen nga mendimet e forta për ta jetuar jetën deri në pafundësinë e saj. Një vajzë e gjendur midis sfidave të shumta njerëzore, dyshimi i saj se dhe nëse flet a do të arrijë të kuptohet...” Nurie Emrullai.
Gazetari Nazim Rashidi, i cili ishte edhe pjesë e jurisë, e konsideron ndarjen e këtij çmimi si një dritë shprese për autorët që jo pa qëllim, dyshojnë se ndoshta çmimi nuk do të ndahet me meritë.
“E para gëzohem shumë që krijimtaria letrare e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut vihet në hartën mbarë shqiptare tashmë nga një brez i ri dhe jashtë klisheve. Fitorja e Nuries nuk do të thotë se veprat e tjera nuk kanë peshën e tyre, përkundrazi, disa prej tyre jo vetëm që do shohin dritën e botimit, por do lënë po aq gjurmë. Vendimi unanim i jurisë ndërkohë i jep udhë idesë së garës të drejtë, që tregon se secili mund të vlerësohet me meritë dhe pa axhnda të fshehura, që shpesh kur janë marrë vesh na kanë shpifur”
Nazim Rashidi
Çmimi Kadare është themeluar në vitin 2014 me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës dhe ka si mision inkurajimin e të shkruarit të letërsisë shqipe, përmes botimit dhe promovimit të veprës fituese si dhe nxitjen e debatit për letërsinë shqipe. Ky çmim mori bekimin e shkrimtarit Ismail Kadare dhe gjatë tetë edicioneve ka ruajtur traditën e konkurrimit të veprave në prozë letrare, për t’i qëndruar besnik edhe emërtimit.
Vepra e Nuries do të botohet nga UET PRESS, dhe si fituese e këtij çmimi asaj do t’i ndahen 10 mijë euro. Nuria ka të publikuara dy libra me poezi me titujt: "Vargmale nën dhe" dhe "Në orën moderne të perëndive".
Tags:
sukses
Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.
TË NDRYSHME
Eli Krasniqi për Mollëkuqja: Burrnia është konstrukt patriarkal, feminizmi te...
Xhemazije Rizvani
05/07/2024
'Ca studiojnë, ca nguten të martohen' tha Mejlan Selmani, vajza që nget trakt...
Xhemazije Rizvani
13/05/2024
"S'është për vajza", futbollistet s'i lodhë as patriarkati, as fusha e sporti...
Fisnik Xhelili
12/05/2023
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia