pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-05-13t133153.487.png

'Ca studiojnë, ca nguten të martohen' tha Mejlan Selmani, vajza që nget traktorin dhe merret me kultivimin e duhanit

DORA VETË

May 13th, 2024

Mejlan Selmani momentalisht studion që të bëhet një psikologe e ardhshme. Në shkollë e thërrisnin "kapo" edhe pse në dukje e ëmbël, e bukur. A e bën më pak femërore fakti që Mejlani nget traktorin, veturën dhe merret me kultivimin e duhanit? Punë burrash do thoni ju, epo nuk themi ne.

Lexojeni bisedën e transkriptuar të gazetares së 'Mollëkuqja', Xhemazije Rizvani me Mejlan Selmanin.

Mejlan, thua është ndryshe fati i vajzave në Veles?

"Fati i vajzave gjithkund dallon, e sidomos në rrethinën e Velesit, sepse është shumë ndryshe nuk i ngjan fshati fshatit, në vendin ku jetoj fati është në dorën e vajzës"

Mendon fati është në dorën tënde? Po sikur t ‘mos ishte?

"Larg qoftë! Nuk mundem as ta paramendoj. Më vjen keq që unë shkoj në studime, e disa shoqe të miat shkojnë nuse.."

Ndoshta atë duan.

"Në shumicën e rasteve është familja që u ndikon, madje ka raste që i pengojnë të vazhdojnë shkollimin, por po, ka dhe prej tyre që u është imponuar një ëndërr që në vegjëli: të martohen dhe të krijojnë familje."

Po ti për çka ke ëndërruar në vegjëli?

"Unë që e vogël  e kam ditur se një ditë do të bëhem dikushi, i kam vënë vetes një qëllimin të jem ajo vajza që çdoherë do t'ia dal, pa marrë parasysh sfidave që do më dalin përpara, pa marrë parasysh rrethanat, nuk do ta humbas qëllimin dhe për këtë shkak kur arrita për studime familja ime gjithmonë ma ka inkurajuar arsimimin dhe ka qenë një burim i rëndësishëm i mbështetjes në këtë drejtim. Çdoherë e kam pasur si shembull motrën time, ka pasur një rol të rëndësishëm në frymëzimin dhe inkurajimin tim për të përparuar në shkollë. Megjithatë, vendimi përfundimtar ishte i imi, bazuar në interesat dhe synimet e mia për të ardhmen."

Je kaq e vogël dhe synimet kaq të mëdha.

"S' jam dhe aq e vogël. Kam qenë edhe më e vogël, vetëm 12 vjeçare kur kam vozit një mjet të madh siç është traktori, më pati mësuar im vëlla. Njerëzit më shikonin çuditshëm kur më shihnin në të, por entuziazmi i shtyn gjërat përpara, ai entuziazëm pastaj më bëri të mësoj dhe t'i jap makinës.  E kam fjalën jam e lindur për të përballuar gjëra të mëdha pavarësisht se mund të duket se nuk mundem t'i përballoj."

Kur jemi te gjërat e mëdha, mendoj edhe një tokë të madhe me duhan të cilës i del fort mirë në krye.

"Në vendin ku jetoj të gjithë merren me kultivimin e duhanit. Të jesh në atë vend dhe mos ta mësosh se si punohet duhani është e pamundur."

Mund të bëhesh një "boss lady" e duhanit mbase..

"Pas studimeve vjen biznesi.."

Sepse kërkon shumë përkushtim kultivimi i duhanit ?

"Eh deri te djegia ka shumë procedura.  Një herë bëhet mbjellja e farës edhe e presim një muaj deri sa të bëhet për ta mbjellur në tok-arë. Pastaj e mbjellim në tokë e pas dy jave e punojmë. Më pas presim përafërsisht një muaj deri sa të bëhet për ta mbledhur. Kjo punë ka të ardhura të mira mirëpo edhe lodhjen fizike e ka të madhe."

E di ti që ka një ritual nëpër dasma tani, dhëndri ulet në karrige, përreth nusja sillet me një shkrepëse në dorë duke e interpretuar këngën " Kallma cigaren, paja çka të kallxoj?

"E di veç që ka një këngë "Kallma, cigaren paja çka të kallxoj".

Kur je shefja e "duhanit" besoj ndryshon puna (qesh).

 "Është interesante sepse ne merremi me duhan, por shumica nuk e konsumojmë edhe unë personalisht e kam bezdi tymin e duhanit e sidomos t'ia ndez dikujt cigaren." (qesh)

Sërish u kthyem te martesat ... sikur nguten me u ba gra vajzat në Veles...

"Po, nguten ca që martohen 14, 15 vjeçare, por edhe ato që martohen nëntëmbëdhjetë nguten.."

Diçka humbasin.

"Shumëçka humbasin. Humbasin kontrollin mbi jetën e tyre, përjashtohen nga mundësitë e zhvillimit personal dhe profesional."

Ti je timoniere e traktorit, veturës, jetës tënde mbi të gjitha.

"Nuk e kam lëshuar "timonin" edhe kur kam pasur ndjesinë se nuk jam në rrugën e duhur ose se nuk jam në gjendje të arrijë për ku jam nisur. Megjithatë, duke punuar vazhdimisht dhe duke mos u dorëzuar në ballafaqimin me sfidat, kam arritur të kaloj përpara dhe të kem sukses në mënyra që nuk kam pritur."

Çelësin se si mbahet ky "timon" e ke?

"Besimi në veten dhe vullneti për të mos u dorëzuar janë çelësat. Vajzat si unë duhet të besojnë në aftësitë dhe pasionet e tyre, dhe të mos kenë frikë të ndjekin ëndrrat e tyre me guxim dhe përkushtim. Të mos lejojnë kurrë paragjykimet ose kufizimet sociale të pengojnë përparimin e tyre. Të jenë të vendosura dhe të punojnë me këmbëngulje për të arritur qëllimet e tyre, duke mos u ndalur përpara asnjë sfide."

Çka duhet të kenë parasysh gjithnjë vajzat?

"Vajzat duhet të mbështesin gjithnjë njëra-tjetrën dhe të jenë të guximshme që të  ndërtojnë një nën qiell të sigurt për to." përfundoi Mejlani.

Xhemazije Rizvani

Xhemazije Rizvani

Xhemazije Rizvani është magjistre e letërsisë. Një kohë të gjatë ka punuar në arsim me nxënës dhe studentë ndërsa momentalisht është e angazhuar në sferën e medias në TV Alsat dhe Portalb.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia