pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-07-05t112353.552.png

Eli Krasniqi për Mollëkuqja: Burrnia është konstrukt patriarkal, feminizmi tenton t'i çlirojë burrat prej shtypjes

DORA VETË

July 5th, 2024

Virginia Woolf shkroi shumë libra dhe artikuj rreth aparteidit gjinor gjatë jetës së saj. Sidomos, ajo u ndal te barazia gjinore. Woolf ka folur shumë për gratë dhe letërsinë. Në vitin 1929 ajo shkroi librin e parë rreth feminizmit me titull ‘’Një dhomë më vete’’. Ju kujtohet grupi ‘’Sheakspeare sisters’’ emrin e kanë marrë pikërisht nga kjo autore e cila në një kapitull te ‘’Një dhomë më vete’’ flet për një motër imagjinare te Shekspirit të quajtur Xhudi Shekspir e cila ishte shumë e talentuar për letërsi dhe ëndërronte për të shkruar një dramë, por, ëndrrat e saja ishin fare pa rëndësi dhe nuk e kishte të hapur derën e letërsisë ku primatin e kishin ekskluzivisht burrat.

 “Seksi i dytë” ose bibla e feminizmit siç e quajnë në botë, libri i ndaluar që edhe vet Kamy e quajti një “sulm kundrejt burrave të Francës”. Libri është në dy vëllime i pari i bazuar në fakte dhe mite, i dyti në përvoja të jetuara. Në javën e parë të publikimit arriti shitje rekord prej 20 mijë kopjesh, jo sepse ishte shumë ‘’i mirë’’, por sepse ka qenë libri më i i përfolur i botuar deri më 1949. De Bovuar ka ngjallur debate të ashpra mes burrave të globit me teoritë e saja filozofike- ekzistencialiste që rreken të gjejnë thelbin e të qenit grua.

Me antropologen, feministen dhe shkrimtaren Elife (Eli) Krasniqi nga Kosova e cila vepron dhe ligjëron në Austri, i kemi vënë njërën përballë tjetrës, një filozofe ekzistencialiste si Simone dhe një shkrimtare liberale si Virginia Woolf.

Gazetarja: Gra nuk lindim, por bëhemi thotë një “mikja” jonë e padorëzuar Simone De Bovuar , si bëhemi gra e dashur Eli ?

1f436a5a-d880-41bc-8143-7f2cec92ab47.jpg

Eli Krasniqi: Ke përzgjedhur dy autore feministe Simone de Bovar dhe Virginia Woolf që shumë prej neve na e kanë shenju formimin tonë feminist. Ka kohë, shumë kohë që nuk e kam shfletu asnjenën, por që  të dyjat m’i ka prezantuar në shkollë të mesme, tezja ime Shukrije Gashi (feministe, poete, eksperte ndërkombëtare në fusha të shoqërisë civile), dhe e di që ka lanë mbresa të mëdha te unë. Tash në një moshë tjetër e më përvoja tjera, më duhet t’iu rikthehem këtyre leximeve fundamentale sepse e di qe kam për të mësuar gjëra të reja. N ‘atë vakt, nuk kanë qenë të përkthyera në shqip, për aq sa kam unë informatë, po merret vesh. Por, mandej Sazana Çapriqi, ka bërë një punë të jashtëzakonshme me themelimin e redaktimin e revistës Sfinga, e në përkthimin e shumë feministeve, e që për vitet e 1990 ishte kontribut i jashtëzakonshëm, jo i çmuar sa duhet në kohë të sodit. Madje edhe revista “Kosovarja” në socializmin e 1970, përfshinte artikuj për feminizmin dhe kam hasur edhe një shkrim për de Bovuar, apo përkthimin të shkrimeve të saj. E tash, sa i përket “Gra nuk lindim, por bëhemi” apo fundamenti mbi të cilin janë ndërtuar mendime feministe të shek. 20 – shoqëria e kultura na formëson të sillemi si vajza e gra me standardet e vendit se çka e konsideron feminine dhe çka thotë se “i ka hije” një gruaje, apo një burri. Pra i formëson rolet gjinore. Feministet nuk e shpërfillin komplet biologjinë e gjenetikën, por shumë prej çka shohim janë sjellje të mësuara, trupa të disiplinuar brenda kornizave të hetero- normativitetit, si pasojë e konstrukteve shoqërore, kulturore e politike të vendit. Dijet antropologjike janë goxha interesante në këtë pikë, për të parë sa lehtë e pa lidhje e përdorim fjalinë “se ne krejt botën, femnat e mashkujt…” Bota është e madhe, e kur themi “në krejt botën…”, edhe huqja është po aq e madhe sa bota. Puna, është një kategori prej së cilës mirë vërehet rigjiditeti i ndarjes gjinore dhe tej thjeshtimi i konceptit të gjinisë. Çka quhet “punë e grave” në një pjesë të botës, nuk është e tillë në një tjetër pjesë të botës. Pastaj, çështja biologjike, ta zamë ajo e amësisë, si diskutimi më i shpeshtë (krejt i mërzitshëm) në aspektin e dallimit gjinor me shembuj si “gratë lindin…”, etj. Krejt punët tjera, përtej lindjes e gjidhënies (nëse veç ushqehet fëmija me gji), të domosdoshme, mundet një baba t’i bëj në mënyrë që mos ta shndërrojë veten në bankë sperme e me raste edhe (jo gjithmonë madje) në bankomat. Shembuj të tillë, në kategori të ndryshme, ka aq shumë e që vështirë të përmblidhen në një përgjigje. M me gjasë, sado që ky kuptimi i gjinisë, e diskutimi për të, mund të jetë krejt bazik, nuk është mjaftueshëm i kuptuar, e lëre më i marrë si i mirëqenë. Prandaj, nevoja për përsëritje. Fatkeqësisht

Gazetarja: Edhe mënyra si bëjmë dashuri thotë Simone përmban seksizëm, meshkujt duan dominimin, “sipër”? Dhe kur ta mendosh Eli , ajo te vetja nuk ndiente se kishte ndonjë kufizim, ishte krejtësisht e lirë sa një burrë, vetëm se nuk do t’i pëlqente po të kuptonte se e njohin në botë si e dashura e Sartrit , apo jo?!

Eli Krasniqi: Simone de Bovuar njihet si filozofe e si feministe në të drejtën e vet. Madje edhe në shoqëritë e qarqet patriarkale, reduktimi i tillë është gjithnjë më i zbehtë. Fatmirësisht, feministet në fusha të ndryshme të shkencave sociale e natyrore, përmes punës së tyre profesionale a aktivizmit, po nxjerrin në sipërfaqe emra të rëndësishëm grash që kanë ndryshuar botën, apo kanë marrë një hise të rëndësishme në progresin e gjithmbarshëm në botë. Kjo gjeneratë po i nxjerr në sipërfaqe këta emra që historia i ka lënë në heshtje, apo me thënë më troç – burrat i kanë fshirë apo gratë, ruajtëset e moralit patriarkal.

Gazetarja: Burrat e dhunshëm, arrogant janë ata që kanë pasiguri në burrërinë e vet, konstatojnë këto gra të shquara?

Eli Krasniqi: "Burrnia” (çkado që mund të definohet a kuptohet me këtë), është një tjetër konstrukt patriarkal. Feminizmi përpiqet t’i çliroj edhe burrat prej shtypjes patriarkale, e cila përderisa u jep atyre disa privilegje, njëkohësisht i shndërron edhe në viktima të njëri-tjetrit.

Gazetarja: Virxhinia insiston që gratë të kenë paratë e veta dhe një dhomë ku të mund të shkruajnë... Për të arritur gratë lirinë duhet t’i kthejnë sytë nga librat sipas Woolfit, ndërsa sipas Simonit librat të shpëtojnë nga dëshpërimi, po sipas teje?

Eli Krasniqi: Librat, dituria në përgjithësi, janë ndër udhët e rëndësishme drejt çlirimit. Por,  dëshpërimin s’e shoh si të shmangshëm. Është pjesë e të jetuarit.

Gazetarja: Njëra liberale, tjetra ‘’fundamentale’’ në konceptet mbi feminizmin, kë të ndjekim, Simonen apo Woolfin?

Eli Krasniqi: Nuk e di si çka i cilësoj tash, sepse kam tjera ide e imagjinatë për çka e përbën liberalen, sido që të jetë, të dyja autoret janë tejet të rëndësishme, madje të pashmangshme për gratë e burrat në formimin e tyre feminist.

Gazetarja: Ke ndjerë që flasin me gratë tona këto autore, çka të duket se i këshillojnë?

Eli Krasniqi: Po, gjithmonë. E çka flasin, apo më mire të them si kuptohen, varet nga pozita shoqërore, ekonomike e politike që kanë gratë. Rëndom, gratë cilësohen si grup homogjen e që nuk janë. Më pëlqen pyetja që bell hooks ( dëshirë e saja të shkruhet me shkronja të vogla) shtron kur është fjala për barazi gjinore – e barabartë me kë? Nëse flasim me gratë e pasura, ndryshe flasin prej grave të varfra. Gratë rome pastaj (me përjashtime të rralla të atyre që mund të kenë status të lartë ekonomik) që i përjetojnë të gjitha llojet e shtypjes, kanë krejt përvojë tjetër, qoftë edhe nga gratë e bardha të varfra. Çka i bashkon të gjitha, apo çka nuk e kursen asnjërën, është femicidi. Pra, të gjitha janë në shënjestër të vrasjes pavarësisht cilës etni, race, a klase i takojnë. Çfarë ndryshon është hapi që merret tutje. Ndonjë emër i ndonjë gruaje që vritet nuk del në sipërfaqe kurrë, e shuhet pa u kuptuar që atë e ka vrarë një burrë, apo, e ka vrarë sistemi patriarkal, përmes një burri si doras i vrasjes. Por, edhe kur i jepet vëmendje grave të vrara, shpesh mediat i vrasin në forma tjera. Për shembull mediet në Shqipëri, në përgjithësi, janë horror. Ato eksploatojnë çka të gjejnë, jetët e grave, varfërinë...nejse, t’i kthehem pytjes më konkretisht – pra, varësisht në çfarë pozicioni shoqëror janë gratë, në çfarë kushtesh ekonomike, edhe dy shoqet tona feministe si Simone e Virxhinia, kuptohen ndryshe. Apo në kuptimin e shkrimeve të tyre, njëri aspekt del të jetë më i rëndësishëm varësisht prej pozitës në të cilën janë gratë.

Xhemazije Rizvani

Xhemazije Rizvani

Xhemazije Rizvani është magjistre e letërsisë. Një kohë të gjatë ka punuar në arsim me nxënës dhe studentë ndërsa momentalisht është e angazhuar në sferën e medias në TV Alsat dhe Portalb.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia