pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-05-16t171348.919.png

"Nuk ishte e lehtë", Penesta Dika rrëfen për Mollëkuqja: S'dinte as gjuhën kur shkoi në Vjenë, sot numëron sukseset

DORA VETË

May 16th, 2024

Një rrëfim ekskluziv për “Mollëkuqja” nga një ndër gratë e para shqiptare e cila është në mesin e pak njerëzve në botë që betonuan frymën e artit të bukur, të gërshetuar me shkencë dhe teknologji. Penesta Dika është artiste, kuratore dhe ligjëruese në Universitetin e Artit dhe Dizajnit në Linz, Universitetin e Shkencave të Aplikuara në St.Polten, Austri dhe në UBT, Kosovë.  

untitled-design-(34)-1715872764.png

“Unë tashmë e kam kuptuar që jeta është sfiduese ndonjëherë aq sa e lejon ti të jetë. Rrugët nëpër të cilat ne kalojmë janë në fakt ato që ne në njëfarë mënyre i paracaktojmë. Janë dëshirat dhe ëndrrat tona ato që ti konceptojnë rrugët e jetës. Prandaj, mund të them që të gjitha këto nëpër të cilat po kaloj për momentin janë diçka që më përmbushin dhe më kompletojnë, kanë qenë plotësisht dëshira të mijat, por që në kohëgjatësi ndoshta më marrin më shumë energji se që kam për të dhënë. Prandaj, duhet vendosur prioritete në jetë. Në fakt momentalisht puna ime profesionale ndërhynë shumë më shumë me jetën time private dhe ma limiton kohën për të bërë gjëra që do të dëshiroja të bëj për qejfin tim. Unë jo rrallëherë punoj prej mëngjesit të hershëm e deri në orët e vona… Ligjëroj, shkruaj, selektoj, konceptualizoj, moderojë.” i tha Penesta Dika gazetares së ‘Mollëkuqja.”

Përkundër obligimeve profesionale, Dika është një nënë jashtëzakonisht e përkushtuar. Thotë se sukseset e vajzës e gëzojnë më shumë se sa të sajat.

“Por, megjithatë ia kam arritur që vajza ime të cilësohet si fëmija më social në klasë, apo atëbotë më thanë të njëjtën edhe derisa ishte në çerdhe. Dhe kjo ishte diçka që më bëri shumë të lumtur dhe më dha siguri në atë që unë e bëj si nënë. Pastaj, edhe pse jetojmë jashtë vendit ajo e flet shqipen bukur dhe e njeh kulturën tonë, humorin tonë, muzikën burimore, etj. Gjithashtu, i njeh edhe ushqimet tona, te cilat ndonjëherë i gatuajmë bashkë. Në një libër të edukimit të fëmijëve pata lexuar që: „asnjëherë nuk është mjaft të bisedosh me fëmijën tënd“ - këtë edhe jam përpjekur çdo here ta praktikoj duke shpenzuar energji sa më shumë në shpjegime, dhe duke iu përgjigjur asaj në shumë pyetje me shumë shembuj. Pastaj kemi qenë në shumë kurse të muzikës, artit, të vallëzimit qysh në moshë të hershme; kemi filluar para se të mbushte vitin. Sot kur e shoh rezultatin them që ja ka vlejtur! Ndër tjerash e praktikoj edhe të dëgjuarit e fëmijës në mënyrë aktive (active listening) - ku ti nuk duhet të sugjerosh apo të korrigjosh, por vetëm ta ndihmosh fëmijën të reflektojë mbi mendimet dhe vendimet e veta.” tha Penesta.

Për Penestën jeta s’ka qenë gjithmonë e lehtë, i është dashur të kalojë në shumë peripeci për të arritur këtu ku është sot. Për ‘Mollëkuqja’ tregon copëza nga rruga e saj drejt suksesit, thotë se kur shkoi në Vienë ishte vetëm 18 vjeçe, nuk e fliste gjuhën gjermane.

“Ishte një rrugë shumë e gjatë dhe me shumë peripeci e sakrifica për të arritur deri këtu profesionalisht, pasiqë unë si një 18 vjeçare nuk e dija as gjuhën gjermane atë kohë, e cila ishte kusht për tu integruar këtu në Vjenë, pastaj largësia nga e gjithë familja si dhe të qenit një ndër vajzat e para shqiptare që kishin marrë një rrugëtim të largët për të studiuar në një vend dhe gjuhë të huaj atëbotë nuk ishte diçka e zakonshme. Unë erdha në Vjenë për të studiuar flautin, sepse Vjena ishte e njohur për muzikën klasike dhe kultivimin dhe zhvillimin e saj në etapa historike dhe bashkëkohore. “

Studionte dhe mësonte gjuhën gjermane njëkohësisht, ndërkohë ndërroi lëminë që në javën e parë për t’ia përmbushur vetes ëndrrën e fëmijërisë, meqë në shtetin e saj amë nuk ofrohej diçka e tillë.

“Studimi i historisë së artit në Universitetin e Vjenës përfshinte edhe përzgjedhjen e shumë lëndëve zgjedhore nga drejtime të tjera. Kështu unë përpos filozofisë, arkeologjisë dhe historisë, të cilat ishin të paracaktuar, e zgjodha dhe absolvova me shumë sukses provime në shkencat muzikore në universitetin e Vjenës. Aty u ballafaqova me harmoninë e muzikës, vallëzimet e Johann Straussit, kompozimet e autoreve të ndryshëm botërore, rregullat e kompozimit, etj. Do të thotë u shkeputa nga një instrument i vetëm dhe roli i instrumentistit, por u ballafaqova me një grumbull librash rreth historive apo rreth praktikës dhe hulumtimit në botën e muzikës në përgjithësi. Pastaj muzika natyrisht mbeti pjesë përberëse e projekteve dhe hulumtimeve të mija që lidheshin me art ku, pos tjerash, unë e involvova si në veprat e mia artistike digjitale, ashtu edhe ne ekspozitat qe kam koncipuar.” rrëfen Penesta për ‘Mollëkuqja.”

untitled-design-(33).png

Përkundër që jetonte vetë, mbi 1 mijë kilometra larg familje dhe ishte vetëm 18 vjeçe, Penesta megjithatë për ‘Mollëkuqja’ tha se e gjithë kjo s’do të ishte e mundur pa mbështetjen morale dhe financiare të prindërve.

Sot, ajo është ndër gratë shqiptare më të suksesshme në nivel ndërkombëtar.

“Me duhet të shtoj që në Universitetin e Vjenës ku unë studjova për 6 vite (baçelor dhe magjistraturë), u trajtova vërtetë me shumë respekt nga profesoret e mij te atëhershëm për atë që kam sakrifikuar dhe për atë që mësoja me shumë përkushtim. Asnjëherë nuk jam ndjerë e huaj gjatë këtyre viteve, por për shkak të lëvdatave profesionale që merrja nga profesorët dhe nga kolegët, ndihesha shumë e lartësuar.. Ndoshta kjo e ka bërë pak më të lehtë rrugëtimin tim profesional. Shpesh kam qenë e ftuar nga profesorët për të biseduar edhe rreth kulturës time, gjuhës, vendit, shkollimit dhe tjera. Me admirim më thonin që ju pëlqen mënyra si unë shkruaj, analizoj dhe bëj vështrime e hulumtime rreth veprave të ndryshme botërore dhe se ata vet nuk mund ta paramendojnë të bëjnë një gjë të tillë në një gjuhë të huaj siç bëja unë në gjuhën gjermane. Thënë shkurt në Austri çmohet puna e mirë, e zellshme, idetë dhe vizionet inovative, largpamësia, mirësjellja dhe kultura e të komunikuarit - komponentë që për një vajzë shqiptare nuk ishte dashur të jetë vështirë t‘i posedoje.” tha Penesta.

Penesta thotë se rruga drejt suksesit jasht kufijve shqiptar sot është shumë më e thjeshtë, por shton se “për të arritur në jetë duhet sakrificë dhe për tu realizuar në profesion duhet të kesh orar të caktuar të mësimit, të të nxënit, të bësh plane vetanake dhe t’iu përmbahesh atyre.”

‘Mollëkuqja’ mësoi disa nga sukseset më të mëdha të Penesta Dikës.

Penesta Dika është autore e disa hulumtimeve. Ajo qysh në vitet e 90-ta ka hulumtuar ndikimin e inteligjencës artificiale në veprat artistike, temë që sot është shumë aktuale. Gjithashtu, ka publikime rreth motiveve shkencore dhe biologjike të involvuara në art si dhe digjitalizimit.

Në vitin 2001 magjistroi me temën ‘arti kompjuterik I Herbert W. Frankes’, kjo temë më pas u publikua nga shtëpia botuese Logos në Berlin për nder të 80 vjetorit të këtij artisti Vjenez. Ngjashëm edhe hulumtimi i saj i doktoraturës u botua si libër në Berlin. Me librat e Penestës sot shërbehen shumë profesorë universitarë në gjithë botën.

Për shkak të bagazhit intelektual, Penesta ka qenë e ftuar të konceptualizojë projekte interaktive digjitale në Akademinë e Shkencave të Austrisë. Këta projekte më pas janë prezantuar në qendrat më të mëdha botërore të artit elektronik si dhe në “European Researhes Night.”, një pjesë e tyre janë të involvuara në librat e botuara nga Akademia. Dika është ndër gratë e para shqiptare që ka prezantuar një vepër interaktive digjitale në Ars Electronica Center në vitin 2006.

Penesta ka qenë pjesë e bordit të ISEA-s, që është Symposiumi më i njohur në botë në lëminë e artit elektronik ndërsa në vitin 2023 është shpërblyer me çmimim ndërkombëtarë e-Culture Awards prej “Anilla Cultural Latinoamerica-Euorpa” në Uruguay, për punën e saj si pionere e studimit të veprave kompjuterike që nga vitet e 90-ta.

Ajo ka zhvilluar një kocept për muzeun më të madh të Austrisë, “Museumquartier Wien” në të cilin kishte involvuar vepra të zhvilluara në bazë të jetës artificiale nga artistët, kolegët e saj si Christa Sommerer dhe Laurent Mignonneau. Ideja e saj u përshëndet edhe nga mediet austriake.

Përveç kësaj, Penesta Dika në Vjenë ka themeluar shoqatën “SciTechArt” për promovimin e artistëve të rinjë që përdorin teknologji dhe shkencë në veprat e tyre. Ajo është gjithashtu autore e një libri për fëmijë në gjuhën shqipe i titulluar “Lola – Qenushja e Urritur.”

Fotografja: Katja Berger.

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani Dika ka kryer studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin "Komunikim Ndërkombëtar". Tre vite ka punuar si gazetare në sektorin e informimit online në Televizionin Alsat, kurse nga viti 2019 punon si gazetare e pavarur në projekte të ndryshme mediatike. Shefkija është edhe verifikuese e fakteve dhe recensente.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia