pink-minimalist-gynecologist-logo---2024-06-06t165002.962.png

Bisedë me gruan me flatra, poeten Vlora Konushevci

DORA VETË

June 7th, 2024

E pyeta Vlorën, ‘’çka t'i ka prerë herët flatrat?’’ ajo, si gjithnjë me përgjigjet që befasojnë ma priti: ‘’s’po m’i sheh flatrat a? Asgja’’. Me poetët s’luan dot me fjalët, aq më tepër kur poetja në fjalë është vazhdimisht në kërkim të fjalëve edhe si përkthyese e regjur që është. E titullova këtë intervistë me titullin e një libri monumental të autorit tim më të dashur Dino Bucatit. Të qenit njeri i letërsisë nganjëherë është vuajtje më vete, pasi të gjitha fjalët, fjalitë ndodhitë të vjen se i ke parë dikund, se i ke dëgjuar më parë, se kjo ka ngjarë diku, në një qoshe rafti te një libër i vjetër shumë. Çuditërisht, nga gruaja me flatra më erdhi ndërmend një libër që çdo grua duhet ta lexoj nëse akoma nuk e ka lexuar, një libër që flet për flatrat e grave. Edhe me Vlorën do të flasim për flatrat që bien.

Intervistën e transkriptuar e lexoni në vijim.

Gazetarja: A e ke gati ‘’kamxhikun poetik’’ për burra?

“S’është hiq poetik! Dua të bisedojmë në gegnisht pasi jemi dy gege.”

Gazetarja: Gegnishtja tingëllon më butë thua ?

“Më ashpër në këtë rast. Se në standard s'po na kuptojnë çka duam ne femrat (qesh).”

Gazetarja: Prandaj de. Po e rëndësishme ajo që duket, puna jonë (qesh). Çka di ti me bë më mirë se një burrë?

“Tana punët (qesh). Mbase ma mirë të flas për ndonji punë që s’mundem me e ba ma mirë se burrat e ajo asht me u ulë në krye të tavolinës në ndonji mbledhje, me buzë në gaz, tue i pohu sukseset dhe tue i marr meritat e punës së të tjerëve. Këta s’mundem me ba. Ndërkaq gratë në përgjithësi e kanë perfeksionu artin e menaxhimit të shumë punëve e detyrave njikohësisht, ajo që në gjuhën angleze njihet si “multitasking”, prej menaxhimit të shtëpisë, kujdesit për fëmijët deri te zhvillimi dhe mbajtja e karrierës profesionale.”

Gazetarja: Talent i lindur i grave ky...

“Ironikisht, ky nuk asht talent i lindun por rezultat i nji shoqnie që ua ka imponu grave barrën e përgjegjësive të shumta dhe derisa burrat vazhdojnë me u mburrë me arritjet e tyne individuale, gratë vazhdojnë me i mbajtë në kambë burrat dhe strukturat ma komplekse që e karakterizojnë jetën e përditshme.”

Gazetarja: Megjithatë , ne nuk jemi ne gare me burrat apo jo?!

“Sigurisht që jo, megjithëse nëse kishim garu se kush i harron ma shumë përvjetorët e kishim fitu garën. Por nuk asht çashtje gare, asht çashtje barazie në aspektin e mundësive të barabarta. Jean-Paul Sartre na kujton se "Ekzistenca e tjetrit asht e domosdoshme për ekzistencën tonë." Rrjedhimisht ne nuk mund të funksionojmë si ishuj të izolum sepse jemi pjesë e nji ekosistemi, pra asnji individ, pavarësisht nga gjinia, nuk mund të ekzistoj në izolim. Jetët tona janë të ndërlidhuna dhe duhet ta kemi të qartë se përparimi i njërit kontribuon në përparimin e të gjithëve. Ne jemi të gjithë pjesë e nji tanësie ma të madhe, dhe suksesi jonë kolektiv varet nga vlerësimi dhe ngritja e secilit anëtar të shoqnisë.”

Gazetarja: Të lutem... ne e dimë ku e kemi vendin ‘’seksi i dytë’’ , ose ‘’i shpërfillur’’ siç e quajnë disa autore femra gjininë femërore.

a7e70545-720d-4962-8ec6-ba0297fc95f2.jpg

"Nga këndvështrimi filozofik, Simone de Beauvoir në librin e saj "Seksi i Dytë" thekson se: “grua nuk lind, grua bahesh” kjo ndodh si pasoj e proceseve shoqërore dhe kulturore që të imponohen. Kjo perspektivë na ndihmon ta kuptojmë se ndjenja e inferioritetit apo shpërfilljes nuk asht natyrale, por nji konstrukt shoqëror që mundet dhe duhet me u sfidu. Gjinia asht performancë e përditshme, e ndikume dhe formume prej normave dhe strukturave shoqërore. Këto pritshmëri e vendosin gruan në pozitë të dytë dhe të nënvlerësume dhe asht pikërisht kjo pozitë e pabarabartë dhe shpërfillëse që ndikon më pas negativisht në mirëqenien emocionale dhe psikologjike të grave. “

Gazetarja: Por, si ta përballojmë jetën në këtë pozitë?

“Fillimisht, asht shumë e randësishme t’i njohim dhe sfidojmë normat dhe pritshmëritë gjinore që na vendosin në pozita të pabarabarta. Edukimi dhe ndërgjegjësimi janë mjete kyçe me i ndryshu perceptimet dhe me promovu barazinë. Në anën tjetër edhe mbështetja dhe solidariteti midis grave asht mjet i fuqishëm sepse krijon rrjet më anë të cilit sfidimi dhe ndryshimi i strukturave të padrejta shoqërore bahet ma i lehtë. “

Gazetarja: Kudo femrat e kane vështire, pak me shume ne ambiente tonat.

“Po asht e vërtetë kjo, gratë në mbarë botën përballen me sfida të shumta, megjithatë, këto sfida janë ma të theksume në kontekste të caktume kulturore dhe sociale, siç janë ambientet shqiptare ku strukturat patriarkale i kanë rranjët shumë thellë. Kjo ndikon në çdo aspekt të jetës së përditshme të grave, tu fillu prej familjes, arsimit, punësimit, e deri te pjesëmarrja në jetën publike dhe politike ngase pritshmëritë rigjide e kufizojnë rolin e tyne dhe i mbajnë në pozita inferiore pa mundësi për vetërealizim. Në shumë zona shqiptare, koncepti i nderit dhe turpit mbetet ende element i randësishëm i kulturës dhe përdoret për ta kontrollu sjelljen e grave dhe për ta justifiku kufizimin e lirive të tyne. Megjithatë, duhet theksu që situata po ndryshon. Ndërgjegjësimi për të drejtat e grave po rritet dhe ka shumë organizata dhe individë që punojnë për t’i sfidu dhe ndryshu këto struktura diskriminuese. “

Gazetarja: Nëse do bëje një manual  si te mbijetojmë patriarkatin , çfarë rekomandimesh do kishte?

“Gruja shqiptare përgjatë gjithë historisë ka dëshmu qëndresë të pashoqe, andaj mbijetesa s’ka qenë asnjiherë problem, ndërkaq jetesa me dinjitet po! Ne fatbardhësisht s’kemi nevoje me shpik ujin e nxehtë. Shoqëritë perëndimore kanë kalu transformime të tilla para nesh. Ka modele dhe shembuj të suksesit mjaftueshëm ku ne mund të inspirohemi. Modeli nordik për shembull, vendet si Suedia, Norvegjia dhe Danimarka ofrojnë modele fantastike ku përmes politikave progresive, përfshirjes së grave në vendimmarrje dhe promovimit të nji kulture barazie kanë arrit me kriju nji shoqni të barabartë. Mendoj që edhe shteti duhet të luaj rol më të madh me politika gjinore për përfaqësim ma të barabartë edhe në pozita vendimmarrëse, politika për mbështetje të familjes, politika që mbështesin balancimin e jetës private dhe profesionale dhe shume mekanizma tjerë që janë tregu të dobishëm në vendet perëndimore.”

Gazetarja: A kanë frikë burrat nga barabarësia?

“Pjesa ma e madhe e tyne nuk e kuptojnë drejtë konceptin e nji shoqërie të barabartë andaj edhe i frikohen. Normat tradicionale në shoqërinë tonë e bajnë edhe jetën e burrave të randë, u kërkohet  gjithmonë me qenë fortë, të paprekshëm, kryefamiljarë, përgjegjës për shumicën e punëve që nuk ia kanë haberin. Ky presion i vazhdueshëm iu shkakton stres të madh, shëndet mendor të dobët madje edhe izolim, ngase detyrohen me i fsheh ndjenjat, mos me kërku ndihmë dhe me i përballu sfidat e jetës të vetëm. Ndërkaq në nji shoqni të barabartë, burrat do të çlirohen nga këto norma të rrepta. Do të kenë mundësi me nda barrën e përgjegjësisë me partneret e tyne me kriju marrëdhanie ma të balancume që çojnë në jetë ma kualitative.”

Gazetarja: Çka t'i ka prerë herët flatrat ?

“A s’po mi sheh flatrat a? Asgja. Unë e kam pas fatin me u brumos në nji familje goxha liberale ku flatrat veç janë ujit, andaj as shoqëria jonë e tillë siç asht s’ka mbërri me mi pre flatrat. “

Gazetarja: Ka plot gra pa flatra, që përditë rrethohen me dhunë ...nga buron gjithë kjo dhunë në shoqërinë tonë ?

“Problem kompleks ky, që kërkon nji qasje shumë- dimensionale. Filozofët si Thomas Hobbes për shembull kanë argumentu se njeriu asht natyrshëm i prirun për dhunë dhe konflikt. Sipas tij, në gjendjen natyrore, njerëzit janë në luftë të përhershme për mbijetesë dhe burime. Pra, njifar instikti për mbijetesë dhe dominim. Shtoja kësaj edhe shoqërinë patriarkale dhe normat zakonore dhe të pasqyrohet nji cikël i pafund i dhunës. Shoqëritë e mbyllura i karakteirzon dhuna dhe fatkeqësia asht që ai cikël s’mbyllet kurrë nëse nuk del dikush me ndërpre, si në familje ashtu edhe në shoqëri.”

Gazetarja: E ushqejmë vet ne pra, me mos përpjekjen tonë për shpëtim.

0f02e863-b665-4442-a2ed-09da6be5889e.jpg

“Po i kthehem prapë Hobbes-it, i cili thotë që njeriu në thelb asht krijesë e frikësume me pasiguri të shumta, rrjedhimisht ndaj frikës reagon me instinktin ma primitiv që asht dhuna. Pastaj normat tradicionale dhe zakonore që përcillen brez pas brezi sikur veç e përforcojnë. Nuk mund t’i harrojmë edhe mediat që shfaqin dhe glorifikojnë personazhe të dhunshme të cilët shpërblehen me hapësirë mediale veç për klikime. Duhet ta përmendi edhe hipokrizinë dhe standardet e dyfishta që përdoren edhe prej pushtetit që e dënon dhunën në publik, por e justifikon kur i shërben. Kur nji deputet për shembull përdor dhunë në kuvend dhe nuk ndëshkohet, nji abuzues që ushtron dhunë mbi gruan dhe/apo fëmijët e tij nuk ndëshkohet krejt këta shembuj e ushqejnë këtë bishë të pangopun.”

Gazetarja: A mos ndoshta edhe ne gratë edukojmë keq?

“Nuk e kisha nda edukimin në të mirë dhe të keq, mbase gratë janë edhe vet viktima të këtij mentaliteti dhe bajnë aq sa dinë. Prindërimi asht barrë e madhe përplot me dilema dhe pritshmëri. Në këtë rrugëtim të paqartë gratë përpiqen me ba ma të mirën tue u mbështet në dashni dhe vlera të mirëfillta. Por kur fëmija rritet në nji ambient kushtimisht të shëndosh brenda shtëpisë dhe jashtë e pret nji ambijent krejt jo miqësor ndaj atyre vlerave atëherë krijohet konfuzion i madh, dhe mbase ky kaos asht pikërisht çelësi i nji edukimi të suksesshëm në një botë që ndryshon në vazhdimësi. Fëmijët janë fatbardhësisht fleksibil dhe të adaptueshëm, e marrin më të mirën uroj prej dy botëve dhe krijojnë personalitete të veçanta dhe krejt unike që e pasunojnë dhe e hapin shoqërinë tonë.”

Xhemazije Rizvani

Xhemazije Rizvani

Xhemazije Rizvani është magjistre e letërsisë. Një kohë të gjatë ka punuar në arsim me nxënës dhe studentë ndërsa momentalisht është e angazhuar në sferën e medias në TV Alsat dhe Portalb.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia