women-empowerment.png

Tina Abdulla: Më vjen mirë që nuk jam rritur në një mentalitet që kufizon vajzat, sepse vajzat mund të bëjnë gjithçka që ata duan

DORA VETË

March 30th, 2022

Edhe pse pak e përmendur nga mediat lokale në vendin tonë, Tina Abdulla është një ndër emrat e rinj më të lakuar nga mediat ndërkombëtare, sidomos ato norvegjeze, sa i përket hendbollit.

Në moshën 3-vjeçare së bashku me familjen e saj në periudhën pas konfliktit të armatosur u largua për në Norvegji. Sporti ishte strategjia e saj për t’u integruar në një shoqëri të re, ose “udhërrëfyesi i jetës” si do ta quante ndryshe ajo. Një rrugëtim i filluar nga baleti dhe noti, për t’u kurorëzuar me mirënjohje në futboll, që më pas të linte gjurmë të përjetshme në hendboll. Kjo është historia e një vajze të re, por me shumë ambicie dhe përkushtim e cila edhe pse nuk luan në ngjyrat e Maqedonisë, na bën krenarë me arritjet e saj.

Kur kishte 14-vjeçe ajo synonte një karrierë në futboll, por një ndeshje e një kampionati në Bergen, Norvegji e ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e jetës së saj. Menjëherë pas ndeshjes, asaj iu afrua një zotëri në moshë të shtyrë i cili pohoi se ka ndjekur të gjitha ndeshjet e saj, dhe shprehu bindjen se ajo luante më mirë edhe se vajzat më të mëdha se ajo të cilat ishin pjesë e reprezentacionit dhe se seriozisht duhej ta konsideronte një karrierë edhe në hendboll. Tina pohon se këto fjalë i ndezën shkëndijat e para drejt hendbollit, por edhe i dhanë kurajë në kohë të vështira. Nga aty filloi edhe rrugëtimi i saj në dy ekipet norvegjeze Viking dhe Tertnes, në ekipin nacional norvegjez dhe më pas rrugëtimi në ekipin gjerman Borrusia Dortmund.

Në intervistën e parë për mediat e vendit, Tina ndan me ne më tepër rreth fillimeve të saj, jetën në Norvegji, kujtimet mbi vendlindjen e saj Maqedoninë, rrugëtimin në hendboll dhe planet për të ardhmen.

Si ka lindur dashuria për sportin? Çfarë rëndësie ka sporti për ty dhe si filloi rrugëtimi yt në hendboll? 

-Nga shumë e vogël kam pasur talent për sport, nuk besoj se ekziston sport të cilin nuk e kam provuar, jam marrë me vallëzim, not, futboll dhe më pas edhe me hendboll. Sporti më ka ndihmuar që unë si fëmijë të integrohem në një shoqëri të re dhe të jem një fëmijë i pëlqyer. Kur unë nuk kisha ndjenjën e përkatësisë ishte sporti ai i cili hapi krahët për mua, nga aty kuptova se sporti është vendi im, dhe qëllimi im në jetë.

Në moshën 14-vjeçare luaja në përfaqësimin e regjionit, në gara, dhe kur duhej të aplikonim për në shkollë, unë aplikova në shkollën me elitare të hendbollit në Bergen dhe u pranova. Nga aty filloi edhe impenjimi im më serioz në hendboll, fillimisht përmes angazhimit në klubin Viking në divizionin e parë, dhe pas dy vjetëve shkova në Ternets, ekip në ligën e parë norvegjeze, ku kam luajtur për katër vite para se të iki në Dortmund.

Si është një ditë jotja e zakonshme? Si e menaxhon stresin nga ushtrimet dhe presionin e ndeshjeve?

– Zgjohem herët në mëngjes, sepse zakonisht ne ushtrojmë dy herë në ditë: një herë në mëngjes dhe një herë pasdite, dhe ndërmjet ushtrimeve kuptohet duhet të pushojmë mirë dhe të ushqehemi mirë, qe të jemi të gatshëm për trajnimin e radhës. Nuk është se kemi shumë kohë të lirë ose kohë për të kaluar me shoqërinë. Për të liruar stresin do thoja Netflix, filma dhe seriale, por gjithashtu edhe telefonata me miq dhe familjarë për të dëgjuar zërin e tyre, por gjithashtu edhe meditim, teknika për frymëmarrje dhe ngjashëm.

Cilat janë shprehitë që të bëjnë një person të suksesshëm?

– Kur unë i vendoj vetes një qëllim, gjithmonë jam shumë e përkushtuar dhe punoj fort për të arritur. Prandaj kur unë vë qëllime, punoj për to çdo ditë derisa të bëhen realitet.

Cili është momenti që të ka bërë më krenare gjatë karrierës sate?

– Mendoj se ka qenë momenti kur trajneri i ekipit nacional norvegjez më mori në telefon dhe me bëri ftesën të luaja për kombëtaren norvegjeze në ekipin B. Ishte një moment shumë madhështor. E mbaj mend si sot isha në supermarket dhe mora një telefonatë, nuk e kisha numrin e tij të regjistruar, prandaj e kontrollova në rrjet dhe në momentin kur pash emrin e tij isha e shokuar, thashë me vete “çfarë është duke ndodhur”. Më pas unë e mora në telefon dhe ai më pyeti nëse kisha interes të shkoja në një takim të përbashkët. Ky po që ishte një moment i madh për mua.

Si është ndjenja të jesh një shqiptare nga Maqedonia e cila përfaqëson skuadrën nacionale të Norvegjisë në hendboll?

– Po në fakt është pak e çuditshme, para ca kohësh e kam biseduar këtë gjë edhe me një shoqe, sepse ndonjëherë ndihem se nuk jam në shtëpi askund. Kur jam në Norvegji nuk ndihem plotësisht në shtëpi, sepse edhe rrethi më sheh ashtu; se ti nuk je plotësisht norvegjeze… Por pastaj e njëjta gjë edhe në Maqedoni, sepse as atje nuk perceptohem komplet nga vendi. Por arsyeja pse unë dua të luaj për ekipin nacional Norvegjez, është sepse unë jam rritur këtu. Zemra ime do të luajë për këtë ekip dhe ka qenë ëndrra ime që kur kam pasur 13 vjet. Mendoj se ka qenë një rrjedhë e zakonshme të luaj për ekipin norvegjez dhe mendoj se edhe kur luaj për këtë ekip unë në fakt përfaqësoj pak nga kultura shqiptare dhe maqedonase.

Çfarë ju bën ju, lojtare të veçantë?

– Ndoshta fakti se jam shumë e shpejtë dhe vrapoj shumë përgjatë ndeshjeve dhe jam gjithmonë shumë e uritur për të shënuar. Kur luaj gjithashtu tregoj shumë emocion për lojën dhe mendoj se unë jap gjithçka nga vetja kur jam në fushë.

Cilat janë kushtet që ekipi nacional shqiptar ose ai maqedonas do të duhej të ofronte, që Tina të thoshte “po”?

– Nuk e di nëse një gjë e tillë është e mundur, por nëse do më tregonin cili është plani i tyre për mua dhe nëse do ma dëshmonin se realisht duan që unë të luaj për reprezentacionin e shtetit atëherë realisht do e konsideroja, edhe pse për momentin vëmendja ime është të vazhdoj të luaj për flamurin norvegjez në gjoksin tim.

Kush është mbështetësi yt më i madh?

– Nëna ime (qesh). Ajo gjithmonë ndjek ndeshjet e mia, edhe atëherë kur duhet të udhëtoj me kilometra ajo është me mua në fushë. Edhe kur nuk është aty pas çdo ndeshje më merr në telefon dhe më qorton ndoshta edhe më shumë se trajneri për gabimet që bëj.

Nga gjithë ofertat që ke pasur, përse e zgjodhe pikërisht Borusia Dortmundin si klub?

– Nga bisedat me trajnerin dhe kërkesat e shpeshta që më bënte klubi, vërehej se kishin dëshirë që unë të luaja për ekipin e tyre, por gjithashtu planet të cilat ekipi ka, lojtarët të cilët i posedojnë ishin shtysë që unë të pranoj ofertën e tyre duke e ditur se do kisha mundësi të fitoj shumë përmes klubit. Isha madje edhe të shihja disa ndeshje të tyre para se të nënshkruaja kontratën dhe pashë që edhe atmosfera atje ishte shumë e mirë dhe më pëlqeu. Nga ana tjetër kur e mendon Dortmundin, e di se çfarë klubi është, të gjithë e dinë se është një klub i mirë edhe nga futbolli të gjithë e njohin si një klub i madh tek i cili mund të kesh mundësinë të luash në Champions League. Shkurtimisht thënë, ishte zemra ime ajo që e mori vendimin e më tha se ky është vendimi i duhur për mua.

Cilat ishin të arriturat më të mëdha përderisa luaje me Borrusia Dortmund, cilat janë pritshmëritë për të ardhmen?

– Mendoj se fakti që u shndërruam në kampionë të Gjermanisë është një gjë shumë e madhe. Prandaj edhe mund të them që kjo ishte medalja ime e parë me senior. Unë kam fituar një medalje bronzi në Tertnes, por kjo ishte diçka madhore. Kur luan një lojë ku ke ekip, gjithmonë do të fitosh me ekipin tënd dhe fitimi i medaljes së arit ishte vërtet diçka shumë e bukur.

Shpresoj që në sezonin e ri gjërat do të shkojnë vetëm për më mirë. Lojtarë ndërkombëtarë shumë të mirë janë duke iu bashkuar ligës kështu që mbase do të jetë edhe më mirë në të ardhmen.

Përveç hendbollit, ti ke përmbushur veten edhe në jetën akademike, përmes studimeve në dizajn interieri. Si lindi ky pasion?

– Gjithmonë kam qenë shumë e pasionuar pas modës, veshjes dhe gjërave të këtilla. Kur u rrita dhe mendoja se dua të blej një shtëpi, në ndërkohë që isha në Instagram duke ndjekur gjëra të këtilla, programe për guida brenda shtëpive luksoze… Erdhi shumë spontanisht, ishte diçka që më jepte shumë energji dhe vendosa se mbase duhet të bëja diçka në këtë drejtim. Ideja që një ditë mund të skicoja vetë shtëpinë time ishte shtysë. Edhe sot, unë e pëlqej shumë modën dhe veshjet dhe vazhdoj të jem e interesuar edhe për zhvillime të mëtejme profesionale në këtë drejtim.

Ke kaluar shumë kohë gjatë verave të jetës tënde në Maqedoninë e Veriut, cilat janë kujtimet nga Maqedonia?

– Ndoshta janë momentet më të bukura të jetës sime si vajzë e vogël. Verat e kaluara në Maqedoninë e Veriut i kam shumë të gjalla në kujtimet e ditëve kur udhëtoja dhe emocionet duke e ditur se do të takoja gjithë familjen time dhe kjo gjë më jepte shumë energji për gjithë pjesën tjetër të vitit. Ishin ndjesi shumë pozitive dhe gjithmonë kur kthehesha në shtëpi më mungonte shumë e gjithë eksperienca atje dhe familja ime. Familja është gjithçka për mua, prandaj qëndrimi me to dhe argëtimi, janë çaste të paharruara në jetën time.

A mendon se jeta jote do ishte ndryshe po të mos kishe ikur në Norvegji?

– Po, në fakt mendoj se do të ishte shumë më ndryshe. Nuk është se e di tamam si është të jetosh në Maqedoni, ngaqë nuk kam jetuar atje për një periudhë të gjatë. Por ama e di që për shumë gjëra thuhet se vajzat nuk duhet të bëjnë këtë ose atë, jam shumë e lumtur që nuk jam zhvilluar në një mentalitet të tillë sepse vajzat gjithashtu mund të bëjnë gjithçka që ato duan.

Cili do të ishte mesazhi yt për vajzat e reja të cilat kanë talent në këtë drejtim, por nuk ndërmarrin asgjë nga frika e paragjykimit?

– Gjeja e parë është të bëjmë gjërat të cilat na kënaqin dhe na plotësojnë si njerëz, gjërat që i duam, sado të pamundura që të duken. Prandaj nuk duhet të mërzitemi për atë çfarë thonë të tjerët përderisa ne ndihemi të plotësuar. Jini vetvetja dhe shijoni rrugëtimin, pa marrë parasysh mendimet e të tjerëve…

E dimë se je shumë e famshme në gazetat norvegjeze, por dhe në ato gjermane. Si është ndjenja e të qenit e njohur dhe e të dëgjuarit fjalë të mira për veten?

– Po në qytetin tim, shkruajnë shumë për mua, është qejf sepse kur jam në shtëpi, njerëzit më takojnë dhe më flasin, më thonë se janë krenarë. Është diçka shumë e bukur dhe unë jam shumë falënderuese për të gjithë që gëzohet me arritjet e mia dhe më përkrahin.

Blerim Salihi

Blerim Salihi

Blerim Salihi është i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, ka mbaruar programin prestigjioz Community Leadership Institute nga George Mason University. Blerimi është aktivist në sektorin civil, në sferën e promovimit të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia