90.jpeg

"Nuk e dija në doja të martohesha apo jo, por kjo ishte diçka që të gjithë e bënin"

FEMINISTING

October 6th, 2021

Nuk e dija në doja të martohesha apo jo, por kjo ishte diçka që të gjithë e bënin!

*SPOILER!

Koha si njësi matëse përveç se është një koncept i rëndësishëm në studimet e matematikës dhe fizikës, ajo gjithashtu përgjatë historisë ka qenë dhe është një nga fushat e interesit të filozofisë.  Në filozofi koha shihet si një koncept relativ. Sipas Aristotelit, koha është prudukt i lëvizjes. Në një mënyrë apo tjetrën koha reale nuk mund të ndërpritet, përsëritet apo të kthehet pas. Në varësi të historisë dhe kahjes që do të marrë historia e treguar, me ndihmën e editimit, në kinematografi u krijua e ashtuquajtura “koha kinematografike” e cila mund t’i bëjë këto të fundit. E krijuar fillimisht për të mos “mërzitur” shikuesit me çdo detaj të çdo lëvizjeje të çdo karakteri dhe për të ofruar koncentrim më të lehtë në thelbin e asaj që regjisori do të tregojë, (pikërisht për t’i dhënë gjithë fokusin historisë) koha kinematografike do të humbiste magjinë dhe fuqinë e vet në filmin “Jeanne Dielman, 23, Quai du Commerce, 1080 Bruxelles” të regjisores belge Chantal Akerman.

Filmi “Jeanne Dielman, 23, Quai du Commerce, 1080 Bruxelles” i vitit 1976, bëri që regjisorja vetëm 25 vjeçare të njihet ndërkombëtarisht. Ndyshe nga çdo film i saj i mëparshëm, ky film përcillet me një kamerë statike dhe pothuajse pa dialogje. Heshtja dhe monotonia e karakterit kryesor në film bënë që ne fare lehtë të mishërohemi me të. Filmi tregon tre ditët e Jeanne Delman-it (Delphine Seyrig),  një gruajeje të ve rreth të dyzetave, nënë e një djali adoleshent, e cila çdo ditë pune nga ora 5 deri në 5 e tridhjetë pret një burrë në shtëpinë e saj për të prostituar veten. Mes të tjerash në film, nga letra që e motra i dërgon, kuptojmë që rrethina e karakterit kryesor kërkon që ajo të martohet sërish. Me kamerën që zakonisht është e vendosur në atë pozicion që të lë të shohësh gjithë dekorin dhe karakterin në mes, për të lënë të ndjekesh me vëmendje çdo lëvizje të karakterit por edhe për ta theksuar vetminë e saj, shikuesi “vlerëson” punët e shtëpisë të amvises duke pasur mundësi t’i ndjekë pandërprerje nga fillimi deri në fund. Ashtu si titulli, filmi është i gjatë 201 minuta por përkundër pritjeve paraprake të një shikuesi është një film i ngadalshëm duke mos treguar jetën e ndryshuar të Jeanne-s pasi ajo të bëjë vrasjen por duke treguar tre ditët e saj deri në momentin kur ajo vret dikë. Chantal Akerman, e cila tregon se filmin e ka shkruar mbrenda një jave në formë të novelës, gjithashtu citon se “Unë mendoj se është një film feminist sepse u jap hapësirë gjërave që kurrë, pothuajse asnjëherë më parë s’janë shfaqur në këtë mënyrë, si gjestet e përditshme të një gruaje. Këto janë në fund të hierarkisë së imazheve të filmit. Një puthje ose një aksident me makinë është më i rëndësishëm se këto dhe unë nuk mendoj se është aksidentale. Sepse këto janë gjestet e një gruaje,  që ata i llogarisin si të pakta”. Gjithashtu, në titrat e filmit vërejmë se 80 përqind i prapaskenës është i mbushur me punëtore gra dhe kjo sipas regjisores nuk është bërë për të treguar se shumica janë gra por ka qenë si rebelim i kohës në të cilën është incizuar filmi për të vërtetuar se në botën e kinemasë ka gra të zonja.

Ky film flet për një grua të ve, të neglizhuar dhe pa shoqëri e cila portretizohet me punët e shtëpisë. Këto punë që në shoqëri duken shumë të padukshme dhe të parëndësishme, me anë të përzgjedhjes së heroinës që në të vërtet është një anti-hero, vërehen dhe fitojnë kuptim. Metafora që regjisorja përdor me prostituimin e heroinës  dhe përzgjedhja e asaj se shikuesi nuk është prezent vetëm në jetën seksuale të saj por edhe bumerangu që regjisorja krijon duke lejuar shikuesin të shoh jetën seksuale të Jeanne-it vetëm në ditën e tretë kur ajo vret partnerin e saj seksual, i jep kuptim të tërë pritjes disa orëshe të të parit pandërprerë monotoninë jetësore të Jeanne-s. Është fare lehtë ashtu siç edhe duket vështirë i kuptueshëm kaosi i brendshëm shpirtëror i karakterit, të vërehet nëpërmjet lëvizjeve didakte dhe të mësuara përmendësh të saj. Regjizorja njëashtu, gjatë disa skenave përkundrejt mimikës së pandryshuar të Jeanne-it, nëpërmjet dukjes fizike të saj, na ofron detaje të vogla, si flokët ose edhe dëgjimi i “Moonlight Sonata” apo edhe një orë kohë e lirë (e cila e frikëson amvisen në fjalë) të kuptojmë luftën e brendshme të karakterit.

Filmi nuk ka një fund por është shumë më shumë se aq. Është një adresë, një shtëpi dhe brenda një grua. Një grua e fshehur, e pavërejtur por që është aty: si shumë gra të tjera… Filmi, është pothuajse i pa zë por bërtet me heshtjen e tij. Ai tregon gruan nënë, gruan punëtore dhe atë amvise. Me mospërdorimin e shumë lokacioneve, duke qenë shumë minimalist si në ndriçim, kamerë dhe personazh, “Jeanne Dielman, 23, Quai du Commerce, 1080 Bruxelles” iu referohet Jeanne-ve duke u fokusuar në kaosin mendor dhe shpirtëror të tyre: që përgjatë historisë madje edhe tani mbeten të pa para, të pa dëgjuara, të pa kuptuara, të pa vlerësuara dhe të lëna pas dore.

Shkrimi është shkruar ekskluzivisht për Mollëkuqja.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Mollëkuqja.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.
Besa Tusha

Besa Tusha

Besa Tusha aktualisht është studente e vitit të fundit në universitetin e Arteve të Bukura "Mimar Sinan" në Stamboll. Ajo ka punuar si asistente e regjisë në disa filma studentor atje. Përveç kësaj ka qenë pjesë e stafit në Festivalin e Filmave të Shkurtë dhe Dokumentar "DokuFest" në Prizren. Besa ka qenë edhe pjesë e jurisë në edicionin e tretë të Festivalit të Filmave të Shkurtë "KFYD" në Turqi. 

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia